Mars 2023

“Ja, po vë në Sion një gur qosheje, të zgjedhur, të çmuar…”

1 e Pjetrit 2:6

Ashtu si të gjithë lumenjtë derdhen në det, kështu edhe të gjitha kënaqësitë përqendrohen te Zoti Jezus. Shikimet e syve të Tij shkëlqejnë më shumë sesa dielli: bukuritë e fytyrës së Tij ia kalojnë edhe luleve më të zgjedhura; nuk ka aromë më të mirë sesa fryma e gojës së Tij. Diamantet e minierës dhe perlat e detit duken gjëra pa vlerë kur krahasohen me vlerën e paçmueshme të Tij. 

Pjetri na thotë se Jezusi është i çmuar, por ai as na tha, as mund të na thoshte se sa i çmuar është Ai, po ashtu asnjëri prej nesh nuk mundet të përllogarisë vlerën e dhuratës së papërshkrueshme të Perëndisë. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dot vlerën e paçmueshme të Zotit Jezus për popullin e Tij, dhe as të na tregojnë plotësisht se sa thelbësor është Ai për kënaqësinë dhe lumturinë e tyre. 

Besimtar, në mungesë të Zotit tënd, a nuk të është dukur begatia më e jashtëzakonshme si një zi e thekshme buke? Dielli ndriçonte, por Jezusi e kishte fshehur fytyrën dhe e gjithë bota të dukej e zezë, apo sikur kishte rënë nata. Duke qenë se ylli më i ndritshëm i mëngjesit ishte zhdukur, asnjë yll tjetër nuk mund të të jepte as edhe një rreze të vogël drite. Çfarë shkretëtire vajtuese është kjo botë pa Zotin tonë! Sikur vetëm njëherë të na fshihet, lulet e kopshtit tonë vyshken; frytet tona të shijshme kalben; zogjtë e pushojnë këngën e tyre, ndërsa një stuhi i përmbys shpresat tona. Edhe sikur të mblidhen të gjithë qirinjtë e kësaj toke, ata nuk mund të shndrisin dot dritë dielli nëse Dielli i Drejtësisë është eklipsuar. Ai është shpirti i shpirtit tonë, drita e dritës sonë dhe jeta e jetës sonë.

Lexues i dashur, çfarë do të bëje pa Të në këtë botë tek zgjohesh dhe në mendje të vijnë betejat me të cilat do të të duhet që të përballesh gjatë ditës? Çfarë do të bëje teksa bie nata e kthehesh në shtëpi i rraskapitur e i dërrmuar, nëse nuk do të kishte një derë të hapur përbashkësie mes teje dhe Krishtit? Bekuar qoftë emri i Tij, Ai nuk do të na lërë që ta përballojmë betejën të vetëm, sepse Jezusi nuk i braktis kurrë të Vetët! Megjithatë, lëre mendimin se si do të ishte jeta pa Krishtin të ta shtojë vlerën e paçmueshme që ka Ai për ty.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin