Maj 2023

Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike.

Kënga e Këngëve 5:13

Pa shiko, paska ardhur muaji i luleve! Erërat e marsit dhe shirat e prillit e kanë bërë punën e tyre, dhe toka është stolisur me bukuri. Eja, shpirti im, vishi petkat e pranverës dhe shko të mbledhësh kurora mendimesh qiellore! Ti e di se ku të shkosh, se i njeh mirë “lehet e barërave aromatike”, dhe shpesh e ke ndier aromën e “leheve të balsamit”, kështu që do të shkosh menjëherë tek Ai që është tërheqës në çdo anë, dhe do të gjesh gjithë kënaqësinë e gëzimin tek Ai.

Faqja e Tij, e cila dikur u godit kaq mizorisht me shkop, shpesh u lag nga lotët e bashkëvuajtjes dhe u përdhos nga njeriu—ajo faqe më buzëqesh me mëshirë dhe mban një aromë erëmirë për zemrën time. Ti nuk e fshehe fytyrën Tënde përpara turpit dhe pështymave, o Zoti Jezus, prandaj, unë do të gjej kënaqësinë më të madhe në lavdërimin Tënd! Fytyra Jote u hullua prej plugut të dhimbjes dhe gjaku rrodhi lirisht prej ballit Tënd [të shpuar] nga kurora me gjemba. Të tilla shenja dashurie të pakufishme ma mbushin shpirtin tim, aq sa nuk mund të thuhet me fjalë. Nëse nuk do të mund t’ia shikoja gjithë fytyrën, do të soditja faqet e Tij, sepse edhe vetëm një shikim i shpejtë prej Tij është jashtëzakonisht freskues për shqisën time frymërore dhe më fal një larmishmëri kënaqësish.

Në Jezusin, unë nuk gjej vetëm aromën e mirë, por një leh barërash aromatike; jo vetëm një bar aromatik, por lloj-lloj barërash të këndshme. Për mua, Ai është sherbela dhe majdanozi im, rozmarina dhe trumza ime. Kur Ai është me mua, është maj gjatë gjithë vitit, dhe shpirti im shkon ta lajë fytyrën e vet të lumtur në vesën mëngjesore të hirit të Tij dhe të përdëllehet me cicërimën e zogjve të premtimeve të Tij. I shtrenjti Zoti Jezus, jepmë mundësinë që në gjithçka të shoh lumturinë që rrjedh nga përbashkësia e qëndrueshme dhe e vazhdueshme me Ty! Unë jam një qenie e gjorë dhe e pavlerë, faqen e së cilës Ti ke denjuar ta puthësh! Oh, lërmë të të puth edhe unë nga ana ime, me puthjet e buzëve të mia!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin