Unë jam trëndafili i Sharonit.
Kënga e Këngëve 2:1
Në botën frymërore, Jezu Krishti është pafundësisht më i bukur sesa gjëja më e bukur në këtë botë materiale. Mes luleve, trëndafili konsiderohet më i bukuri, por në kopshtin e shpirtit tim, Jezusi është pafundësisht më i bukur sesa çdo trëndafil lulishtesh mbi këtë tokë. Ai zë vendin e parë si më i hijshmi ndër dhjetëra mijëra. Ai është dielli, dhe gjithë të tjerët janë yjet; qiejt dhe dita janë të errët në krahasim me Të, sepse Mbreti ua kalon të gjithë atyre për nga bukuria.
“Unë jam trëndafili i Sharonit.” Ky ishte më i miri dhe më i rralli ndër trëndafilat. Jezusi nuk është thjesht “një trëndafil”; Ai është “trëndafili i Sharonit”, ashtu siç e quan Ai drejtësinë e Tij “ar”, dhe pastaj shton: “ari i Ofirit” (1 i Kronikave 29:4)—më e mira ndër më të mirat. Ai është me të vërtetë i bukur, madje më i bukur se çdo gjë tjetër.
Bukuria e Tij është e larmishme. Trëndafili është i pashëm për syrin, ndërsa aroma e tij është e këndshme dhe flladitëse. Kështu, të gjitha shqisat e shpirtit, qoftë shijimi apo ndijimi, dëgjimi, shikimi apo nuhatja frymërore, e gjejnë përmbushjen e duhur në Jezusin. Madje edhe kujtimi i dashurisë së Tij është i bukur. Merre trëndafilin e Sharonit, këputja petalet një nga një dhe mbylli ato në kavanozin e kujtimeve, dhe do të zbulosh se çdo petal e ruan erën e mirë, duke ta mbushur shtëpinë me aromën e vet të këndshme. Krishti e kënaq deri në maksimum edhe shijen më fine të shpirtit më të edukuar. I pasionuari më i madh pas parfumeve është më se i kënaqur me një trëndafil: dhe kur shpirti të ketë arritur nivelin më të lartë të shijes së vërtetë, prapëseprapë do të jetë i kënaqur me Krishtin; në të vërtetë, do të jetë edhe më i aftë që ta vlerësojë Atë siç duhet.
Vetë qielli nuk përmban asgjë që ia kalon për nga bukuria trëndafilit të Sharonit. Çfarë simboli mund ta shprehë plotësisht bukurinë e Tij? Gjuha njerëzore dhe gjërat e kësaj bote nuk mund ta përshkruajnë dot Atë. Edhe sikur t’i mblidhnim bashkë të gjitha bukuritë më të zgjedhura të kësaj bote, ato do ta përshkruanin në një mënyrë tepër të pamjaftueshme lavdinë e Tij. Trëndafil i bekuar, lulëzo përgjithmonë në zemrën time!
© dritez.al 2024