Kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër.
Zakaria 14:8
Burimet e ujërave të freskëta që rrjedhin nga Jerusalemi, nuk thahen nga i nxehti përcëllues i diellit të zjarrtë të mesverës dhe as nuk ngrijnë dot nga erërat e ftohta të dimrit të acartë.
Gëzohu, o shpirti im, që u kurseve për të dëshmuar besnikërinë e Zotit! Stinët ndryshojnë dhe bashkë me to ndryshon edhe ti, por Zoti yt mbetet përgjithmonë i njëjti, dhe burimet e dashurisë së Tij janë po aq të thella, të gjera dhe të mbushura përplot sa edhe përherë. I nxehti i shqetësimeve të lidhura me punën dhe sprovat përvëluese më shtyjnë që të kërkoj efektet freskuese të lumit të hirit të Tij. Mund të shkoj menjëherë për të pirë sa të ngopem nga burimi i pashtershëm, sepse, dimër e verë, ai nuk pushon së gurgulluari ujë të freskët. Burimet e lartësive nuk mbeten kurrë pa ujë, ashtu sikurse, lavdi emrit të Zotit, edhe burimet e fushave nuk shterojnë asnjëherë.
Elia e gjeti përroin Kerith të tharë, por Jahveh-u mbetej po i njëjti Perëndi sigurues. Jobi u shpreh se vëllezërit e tij e kishin zhgënjyer si një përrua, por ai zbuloi se Perëndia i tij ishte një lumë i tejmbushur me përdëllim. Siguria e madhe e Egjiptit qëndron në lumin Nil, por prurjet e tij ndryshojnë nga viti në vit, ndërsa Zoti ynë mbetet i njëjtë sot e mot. Duke ndryshuar rrjedhën e Eufratit, Kiri arriti të merrte qytetin e Babilonisë; por nuk ekziston asnjë fuqi, njerëzore apo demoniake, që mund ta ndërrojë rrjedhën e hirit hyjnor.
Janë gjetur shtretër lumenjsh të lashtë, të gjithë të tharë e të shkretuar, por burimet që rrjedhin nga malet e sovranitetit hyjnor dhe dashurisë së pafundme, do të jenë përngaherë të mbushura deri në grykë. Brezat i lënë vendin njëri-tjetrit, por rrjedha e hirit nuk ndryshon kurrë. Kënga e së vërtetës jehon më fort nga lumi i Perëndisë sesa nga përroi i poemës:
Njerëzit vijnë e shkojnë,
Por unë rrjedh për jetë e mot.
Lum si ti, o shpirti im, që të kanë drejtuar pranë këtyre ujërave të qeta! Mos u end kurrë nëpër burime të tjera, në mos daç të dëgjosh qortimin e Zotit: “Pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, që të pish ujërat e Shihorit [Nilit]?” (Jeremia 2:18).
© dritez.al 2024