spurgeon dev 01 korrik pm
Korrik 2023

…zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës.

Zanafilla 3:8

Shpirti im, tani që ka zbritur flladi i ditës, shko në një vend të qetë për një copë herë dhe dëgjoje zërin e Perëndisë! Ai është gjithnjë i gatshëm të flasë me ty sa herë që ti je gati ta dëgjosh. Nëse komunikimi mes jush është i ngadalshëm, kjo nuk ndodh për shkak të Tij, por plotësisht për shkakun tënd, sepse Ai qëndron te dera dhe troket, dhe nëse njerëzit e Tij thjesht ia hapin derën, Ai do të hyjë brenda gjithë gëzim. Mirëpo, në ç’gjendje është zemra ime, e cila është kopshti sekret i Zotit tim? A mund të guxoj të shpresoj se është i mirëkujdesur e i mirëujitur, dhe po prodhon fryte që janë të denja për Të? Nëse nuk është kështu, Ai do të ketë shumë arsye për të më qortuar, por, megjithatë, lutem që Ai të vijë tek unë, sepse nuk ka asgjë tjetër që ta sjellë me siguri zemrën time në gjendjen e duhur sa lindja e Diellit të Drejtësisë, i cili sjell shërimin në krahët e Tij.

Eja, pra, o Zot, Perëndia im, shpirti im të fton me zell dhe të pret me padurim! Eja tek unë, o Jezus, shumë i dashuri im, dhe mbill lule të freskëta në kopshtin tim, lule të cilat lulëzojnë përsosurisht në karakterin Tënd të pashoq! Eja, o im Atë, Ti që je Kopshtari, dhe kujdesu për mua me zemërbutësinë dhe urtësinë Tënde! Eja, o Frymë e Shenjtë, dhe veso mbi mbarë natyrën time, ashtu siç është njomur tani bari i lëndinave nga vesa e mbrëmjes! O, sikur të më fliste Perëndia! Fol, Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon! O, sa mirë do të ishte sikur të ecte me mua; unë jam gati t’ia fal Atij gjithë zemrën dhe mendjen time, dhe çdo mendim tjetër shuhet. 

Po kërkoj vetëm atë që Ai ka kënaqësi të më falë. Jam i sigurt se Ai do të denjojë të ketë përbashkësi me mua, sepse më ka dhënë Frymën e Tij të Shenjtë që të banojë tek unë për jetë e mot. I bukur është muzgu i freskët kur çdo yll duket si syri i parajsës, ndërsa flladi i freskët si fryma e dashurisë hyjnore. Ati im, Vëllai im më i madh, Ngushëlluesi im i ëmbël, folmë tani me dashamirësi, sepse m’i ke hapur veshët dhe ma ke larguar frymën e rebelimit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin