“Lërmë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj prapa atij në sytë e të cilit do të gjej hir.”
Ruthi 2:2
I krishterë i trazuar dhe i vrarë shpirtërisht, eja sot dhe mblidh kallinj në fushën e gjerë të premtimit. Këtu do të gjesh premtime të vyera me shumicë, të cilat janë pikërisht ato që të nevojiten. Le të marrim këtë zotim: “Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym” (Isaia 42:3). Vallë, a nuk të ndihmon ky premtim? Një kallam, i pambrojtur, i parëndësishëm dhe i dobët, një kallam i thyer, prej të cilit nuk mund të dalë asnjë tingull muzikor; më i dobët sesa vetë dobësia—e megjithatë, Ai nuk do të të thyejë, por përkundrazi, do të të rimëkëmbë dhe do të të forcojë.
Ti je si kandili që bën tym: nuk prodhon dot as dritë e as ngrohtësi, por Ai nuk do të të fikë; Ai do të fryjë mbi ty me frymën e Vet të ëmbël të mëshirës derisa flaka të ndizet sërish. Vallë, a nuk dëshiron të mbledhësh edhe një kalli tjetër? “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh” (Mateu 11:28). Ç’fjalë të ëmbla! Zemra jote është e ndjeshme, dhe Mjeshtri yt e di këtë, ja pse të flet me kaq butësi. A mund të rrish vallë pa iu bindur dhe pa shkuar tek Ai që tani? Mblidh një tjetër kalli gruri: “Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj, thotë ZOTI; Shpengimtari yt është i Shenjti i Izraelit” (Isaia 41:14). Si mund të kesh sërish frikë pas një sigurimi kaq të mrekullueshëm sa ky?
Mirëpo, mund të mbledhësh edhe dhjetë mijë kallinj të artë si ky: “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur dhe mëkatet e tua si një mjegullinë” (Isaia 44:22). Ose këtë: “...edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe si purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18). Ose këtë tjetrin: “Dhe Fryma dhe nusja thonë: ‘Eja!’ ... Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17). Fusha e Mjeshtrit tonë është shumë pjellore, siç edhe mund ta shohësh. Besimtar, pa shiko se sa shumë premtime gjenden përpara teje! Mblidhi dhe bëji ato të tuat, sepse Jezusi dëshiron që t’i kesh! Mos ki frikë; vetëm beso! Shtrëngoji fort këto premtime të ëmbla, bluaji ato në përsiatje dhe ushqehu me to me gëzim!
© dritez.al 2024