spurgeon dev 01 gusht pm
August 2023

Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde.

Psalmi 65:11

Gjatë gjithë vitit, në çdo orë të ditës, Perëndia derdh me bujari bekimet e Veta mbi ne; mëshira e Tij na pret, si kur jemi në gjumë, ashtu edhe kur jemi zgjuar. Dielli mund t’ia lërë vendin hijeve të muzgut, por Perëndia ynë nuk pushon kurrë së shkëlqyeri mbi fëmijët e Vet me rreze dashurie. Dashamirësia e Tij rrjedh pa ndërprerje, porsi një lumë, me një bollëk të pashtershëm, ashtu siç është edhe vetë natyra e Tij. Ashtu si atmosfera që mbështjell përherë tokën dhe është gjithnjë e gatshme për ta mbështetur jetën e njeriut, edhe mirësia e Perëndisë i rrethon të gjitha krijesat e Tij; në të, porsi peshku në ujë, ata jetojnë, lëvizin dhe gjallojnë. 

Mirëpo, ashtu si dielli në ditët e verës na gëzon me rrezet e tij më të ngrohta dhe më të ndritshme sesa në stinët e tjera, ashtu si lumenjtë fryhen nga shiu në stinë të caktuara, ashtu si vetë ajri ndonjëherë është i mbushur me puhi më të freskëta sesa në kohë të tjera, kështu ndodh edhe me mëshirën e Perëndisë; ajo ka orët e saj të arta, ditët e saj të bollëkut, kur Zoti e madhëron hirin e Tij përpara bijve të njerëzve. Ditët e hareshme të të korrave janë një periudhë e veçantë mbrothësie të jashtëzakonshme. Është për lavdinë e vjeshtës që frutat e provanisë janë me bollëk në atë stinë, sepse është stina e ëmbël kur shijojmë gjithçka që kishim shpresuar. E madhe është hareja e të korrave. Lum si korrësit që i mbushin krahët me bollëkun e qiellit!

Psalmisti na thotë se të korrat janë kurorëzimi i vitit. Me siguri që këto mëshira kurorëzuese meritojnë një falënderim kurorëzues! Le ta shprehim atë përmes emocioneve të brendshme të mirënjohjes! Le të ngrohen zemrat tona, ndërsa frymët tona le të rikujtojnë, meditojnë dhe mendojnë rreth mirësisë së Zotit! Pastaj, le ta lavdërojmë atë me buzët tona dhe ta nderojmë e ta madhërojmë emrin e Tij, i cili është burimi i gjithë kësaj mirësie! Le ta përlëvdojmë Perëndinë duke i sjellë dhuratat tona për kauzën e Tij! Një provë praktike e mirënjohjes sonë është një blatim i veçantë falënderimi për Zotin e të korrave.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>