spurgeon dev 01 dhjetor am
December 2023

Ke bërë verën dhe dimrin.

Psalmi 74:17

Shpirti im, filloje këtë muaj dimëror me Perëndinë! Të gjitha borërat e ftohta dhe erërat e acarta të kujtojnë se Ai e mban besëlidhjen e Tij me ditën dhe natën, dhe shërbejnë edhe për të të siguruar se do t’i qëndrojë besnik asaj besëlidhjeje të lavdishme që ka lidhur me ty në personin e Jezu Krishtit. Ai, i cili i qëndron besnik Fjalës së Tij tek ndërrojnë stinët e kësaj bote mjerane të ndotur nga mëkati, nuk do të dalë i pabesë në marrëdhëniet me Birin e Vet shumë të dashur. 

Dimri në shpirt nuk është një stinë aspak e rehatshme, dhe nëse je duke e kaluar tani, do të të shkaktojë shumë dhimbje: mirëpo, ka një ngushëllim për ty, dhe ky ngushëllim është që dimrin e bën Zoti. Ai i dërgon thëllimet therëse të ngushticës dhe të vështirësive për të mbytur sythet e shpresave të kota. Ai e shpërhap brymën si hi mbi luadhet dikur me bar të gjelbër të gëzimit tonë. Ai i shpërndan ngricat e Tij për të kallkanosur burimet e kënaqësisë sonë. 

Ai e bën gjithçka; Ai është Mbreti i madh i Dimrit dhe sundon mbi mbretërinë e akullt, dhe ja pse nuk ke asnjë arsye për t’u ankuar. Humbjet, kryqet, rëndesat, lëngatat, skamja dhe një mijë e një mundime të tjera janë të dërguara prej Zotit dhe vijnë te ne për të realizuar plane të mençura. Bryma vret insektet e dëmshme dhe u vë fre sëmundjeve vdekjeprurëse; thërrmon plisat dhe ëmbëlson shpirtin. Oh, sa mirë do të ishte sikur dimrat tanë të vuajtjes të pasoheshin përherë nga rezultate kaq të mira! 

Sa e çmojmë zjarrin në këtë kohë! Sa i këndshëm është ndriçimi i tij i gëzueshëm! Le ta çmojmë në të njëjtën mënyrë Zotin tonë, i cili është burimi i vazhdueshëm i ngrohtësisë dhe ngushëllimit në çdo kohë mundimesh. Le t’i afrohemi Atij dhe, duke besuar, të gjejmë gëzim dhe paqe tek Ai. Le të mbështillemi me rrobat e ngrohta të premtimeve të Tij dhe le të vazhdojmë të punojmë, ndryshe nga përtaci që refuzon të plugojë për shkak të të ftohtit të madh; në verë, ai nuk do të ketë asgjë për të ngrënë dhe do të detyrohet të lypë për bukë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin