spurgeon dev 01 dhjetor pm
December 2023

Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.

Psalmi 107:8

Në qoftë se do të ankoheshim më pak dhe do të falënderonim më shumë, do të ishim më të lumtur, dhe Perëndia do të përlëvdohej më tepër. Le ta falënderojmë Perëndinë çdo ditë për mëshirat e zakonshme—ne i quajmë të zakonshme, por prapëseprapë, ato janë kaq të paçmueshme, saqë në mungesë të tyre na pret humbja. Le ta falënderojmë Perëndinë për sytë tanë me të cilët shohim diellin, për shëndetin dhe fuqinë për të ecur, për bukën që hamë dhe për petkat që veshim. Le ta falënderojmë Atë që nuk jemi mes të pashpresëve dhe që nuk jemi ndryrë mes fajtorëve; le ta falënderojmë Atë për lirinë, për miqtë, për lidhjet familjare dhe ngushëllimet. Në fakt, le ta lavdërojmë Atë për çdo gjë që marrim nga dora e Tij bujare, pasi, edhe pse nuk meritojmë shumë, Ai siguron me bollëk. 

Mirëpo, nota më e ëmbël dhe më kumbuese e këngëve tona të falënderimit duhet t’i kushtohet dashurisë shpenguese. Veprat shpenguese të Perëndisë ndaj të zgjedhurve të Tij janë temat e preferuara të këngëve të tyre të lavdërimit nga përjetësia në përjetësi. Në qoftë se e dimë mirë se ç’domethënie ka shpengimi, le të mos i kursejmë himnet tona të falënderimit. Jemi shpenguar nga fuqia e prishjes sonë dhe jemi nxjerrë nga humnera e mëkatit, në të cilën na kishte zhytur natyra jonë. Jemi çuar te kryqi i Krishtit—prangat tona të fajit janë këputur. Nuk jemi më skllevër, por bij të Perëndisë të gjallë, dhe mund ta presim me besim çastin kur do të paraqitemi përpara fronit hyjnor pa njolla a rrudha, a ndonjë gjë të tillë. 

Madje që tani, përmes besimit, ne mbështillemi me të linjtat e hijshme, të cilat do të jenë zbukurimi ynë i përjetshëm, dhe praktikojmë falënderimin tonë të pambarim për Zotin, Shpengimtarin tonë. Fëmijë i Perëndisë, a mund të rrish vallë pa e hapur gojën? Zgjohuni teksa mendoni për trashëgiminë tuaj dhe çojeni në robëri skllavërinë tuaj, duke kënduar bashkë me Davidin: “Beko, shpirti im, ZOTIN dhe gjithçka që është në mua të bekojë emrin e tij të shenjtë” (Psalmi 103:1). Filloftë ky muaj i ri me këngë të reja!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin