zotimet e jonathan edwards it

I vetëdijshëm se nuk mund të bëj asgjë pa ndihmën e Perëndisë, i përgjërohem me përulje hirit të tij që të më aftësojë në mbajtjen e këtyre zotimeve, për aq sa ato mund të jenë në përputhje me vullnetin e tij e për hir të Krishtit.

Kujtohuni që t’i lexoni këto zotime një herë në javë.

Misioni i përgjithshëm në jetë[1]

  1. Zotohem të bëj çfarë mendoj se është më e mira për lavdinë e Perëndisë, si dhe për të mirën time, për kënaqësinë e përfitimin tim, për gjatë gjithë jetës sime e për çdo kohë, qoftë tani apo në mijëra vite që do të vijnë. Zotohem të bëj atë që mendoj se është detyrimi im dhe, në përgjithësi, më e mira dhe në përfitimin e njerëzimit. Zotohem të bëj kështu pavarësisht nga vështirësitë që më dalin, sado të mëdha apo të shumta qofshin ato.
  2. Zotohem të përpiqem vazhdimisht për të gjetur ndonjë shpikje të re apo mjet për realizimin e atyre më sipër.
  3. Zotohem se nëse dështoj a shkujdesem, aq sa të lë pas dore përmbushjen e ndonjërit prej këtyre zotimeve, kur të vij në vete, të pendohem për çdo pakujdesi që më vjen ndër mend.
  4. Zotohem që kurrë të mos bëj ndonjë gjë, qoftë në trup a shpirt, sado pak apo shumë, veçse atë që synon lavdinë e Perëndisë; as të jem unë shkaktari, as të nxis ndonjë tjetër, për aq sa mundem ta mënjanoj këtë.
  5. Zotohem të jetoj me gjithë fuqitë e mia, për sa të kem jetë.
  6. Zotohem të përpiqem që të siguroj për në botën tjetër sa më shumë lumturi që të mundem, me të gjithë pushtetin, fuqinë, jetën dhe furinë, pse jo edhe me forcën e aftësisë sime, apo me aq sa kam mundësi të shpalos në çfarëdo mënyre që më vjen ndër mend.
  7. Zotohem të mos bëj asgjë veç detyrës sime, dhe sipas Efesianëve 6:6-8 ta bëj me dëshirë dhe zemër të gëzuar si për Zotin dhe jo për njeriun, “duke ditur se secili, po të bëjë diçka të mirë, do të marrë këtë të mirë nga Zoti” 25 qershor dhe 13 korrik 1723

Veprat e mira

  1. Zotohem që sa herë të mendoj për ndonjë parim teologjik që kërkon zgjidhje, të bëj menjëherë të pamundurën për ta zgjidhur nëse rrethanat nuk më pengojnë ta bëj.
  2. Zotohem të këmbëngul në zbulimin e përfituesve të duhur të bamirësisë dhe të bujarisë.
  3. Zotohem të bëj gjithmonë atë që do të doja ta kisha bërë, kur shoh që të tjerët po e bëjnë. 11 gusht 1723

Administrimi i kohës

  1. Zotohem të mos çoj dëm asnjë çast, përkundrazi, ta përmirësoj atë në mënyrën më përfituese të mundshme.
  2. Zotohem që kurrë të mos bëj atë që do të kisha frikë të bëja po të ishte ora e fundit e jetës sime.
  3. Zotohem që do të jetoj në atë mënyrë që kur të vdes të them se jetova siç duhej.
  4. Zotohem të jetoj gjatë gjithë jetës ashtu siç mendoj se duhet të jetoj kur jam më i devotshëm dhe kur kam vetëdijen më të qartë të ungjillit e të jetës së përtejme.
  5. Zotohem që kurrë të mos bëj çfarë do të kisha frikë të bëja sikur ta dija që, në pak çaste, do të dëgjoja të bjerë boria e fundit.
  6. Zotohem që çdo mbrëmje, përpara se të shkoj të fle, të hetoj se ku kam qenë i shkujdesur, çfarë mëkati kam kryer dhe në çfarë gjërash kam dështuar; të bëj kështu çdo fund jave, muaji dhe viti. 22 dhe 26 dhjetor 1722
  7. Zotohem që çdo mbrëmje, përpara se të shkoj të fle, të hetoj nëse kam vepruar siç duhet për sa i përket të ngrënit e të pirit. 7 janar 1723
  8. Zotohem të pyes veten në fund të çdo dite, jave, muaji dhe viti nëse do të kisha mundur t’i bëja gjërat më mirë. 11 janar 1723
  9. Zotohem të veproj ashtu siç do ta gjykoja të ishte më e mira dhe më e këshillueshmja, po të isha tashmë në jetën e përtejme. 5 korrik 1723
  10. Zotohem të veproj në çdo sferë të jetës ashtu siç do të dëshiroja të kisha vepruar, po të isha tashmë në ferr. 8 korrik 1723
  11. Shpesh dëgjoj të moshuarit të thonë si do të kishin dashur të jetonin po t’u jepej një mundësi tjetër në jetë: Zotohem të jetoj ashtu siç do të doja të kisha jetuar, po të arrij moshën e plakjes. 8 korrik 1723
  12. Zotohem të përpiqem me përkushtim të veproj siç do të doja të veproja, po të kisha përjetuar lumturinë e qiellit dhe tmerret e ferrit. 8 korrik 1723
  13. Zotohem që nuk do t’i hap rrugë plogështisë, e cila më shkujdes dhe më heq mendjen nga të qenët tërësisht i përqendruar në detyrat fetare, cilido qoftë shfajësimi që mund të gjej për të — atë që plogështia më pengon të bëj, ajo është më e mira për t’u bërë, etj. 21 maj dhe 13 korrik 1723

Marrëdhëniet

  1. Zotohem të mos bëj asgjë i shtyrë nga hakmarrja.
  2. Zotohem që kurrë të mos lejoj as shfaqjen më të vogël të zemërimit ndaj qenieve të paarsyeshme.
  3. Zotohem që kurrë të mos flas keq për dikë aq sa ta turpërojë atë, qoftë pak a shumë, për çfarëdo arsyeje, me përjashtim të rastit kur kjo sjell vërtet diçka të mirë.
  4. Zotohem që gjithmonë t’u them të tjerëve vetëm atë që është përsosmërisht e pranueshme sipas shkallës më të lartë të nderimit të krishterë dhe të dashurisë për njerëzimin, sipas përulësisë më të madhe, dhe pasi të kem konsideruar dështimet dhe fajet e mia, si dhe në përputhje me rregullën e artë. Shpesh, pasi t’i kem thënë ndonjë gjë dikujt, ta hetoj me kujdes përkundrejt këtij zotimi.
  5. Zotohem të synoj të pamundurën për të mbajtur, për të siguruar dhe për të ruajtur paqen, sa herë të jetë e mundur, pa shkaktuar dëme në sfera të tjera. 26 dhjetor 1722
  6. Zotohem të them veç të vërtetën e thjeshtë e të pastër në çdo bisedë.
  7. Zotohem që kurrë të mos flas keq për dikë, veç nëse kam një arsye të fortë. 19 dhjetor 1722
  8. Zotohem të mos lejoj kurrë as më të voglën ndjenjë zemërimi ndaj nënës dhe babait tim. Zotohem të mos lejoj të ndikohem prej ndjenjave të tilla, as duke ndryshuar sado pak zërin, apo duke rrokullisur ndonjëherë sytë, dhe këtë kujdes të veçantë ta shfaq me të gjithë familjen time.
  9. Zotohem që jo vetëm ta ruaj veten nga fryma e përbuzjes, e zemërimit dhe e inatit në bashkëbisedim, por gjithashtu të shpalos një frymë dashurie, ngazëllimi dhe mirëdashjeje. 27 maj dhe 13 korrik 1723
  10. Zotohem që sa herë të ndërgjegjësohem për provokimet që më shtyjnë në zemërim a drejt një sjelljeje të keqe, të përpiqem të ndihem dhe të sillem miqësisht; po, në kohë të tilla të shpalos mirësjellje, ndonëse mendoj që në ndonjë rast kjo nuk do të ishte e favorshme, dhe atëherë do të ishte e pamatur të bëja kështu. 12 maj, 2 korrik dhe 13 korrik
  11. Zotohem që gjithmonë të përpiqem për t’u shfaqur i padëmshëm, si në veprime, ashtu dhe në të folur, në çdo vend e shoqëri, veç kur detyra do të më kërkojë të kundërtën.
  12. Pastë diçka dashamirëse në gjithçka unë them.

Vuajtja

  1. Zotohem të konsideroj gjithmonë se jam veç vdekatar, si dhe të konsideroj çdo rrethanë të zakonshme që të çon në vdekje.
  2. Zotohem që sa herë të kem dhimbje, të mendoj për dhimbjet e martirëve dhe dhimbjet e ferrit.
  3. Zotohem të hetoj se në çfarë aspekti vuajtjet më kanë përmirësuar, çfarë të mire më kanë sjellë dhe çfarë mund të kem përfituar prej tyre.
  4. Zotohem që sa herë fatkeqësitë apo vështirësitë të më frikësojnë, të konsideroj nëse e kam bërë detyrën time dhe, përfundimisht, ta bëj atë. Të lejoj provaninë të bëj të sajën e, me aq sa më jepet mundësia, të merakosem vetëm për detyrimet e mia e për mëkatin tim. 9 qershor dhe 13 korrik 1723

Karakteri

  1. Zotohem që të veproj, si në të folur, ashtu edhe në të bërit, sikur askush tjetër nuk ka qenë më i ndyrë se unë, e sikur unë të kem kryer të njëjtat mëkate si ato të tjetrit, ose sikur të kisha pasur të njëjtat dobësi a dështime si të tjerët. Dështimet e të tjerëve të mos më nxisin gjë tjetër, veç turp për veten, si dhe qoftë kjo nxitja ime për të rrëfyer përpara Perëndisë mëkatet dhe mjerimin tim.
  2. Zotohem të hedh tutje menjëherë çdo kënaqësi të tillë si tërheqja prej krenarisë, apo kotësia, apo çdo lloj syresh.
  3. Zotohem të mos bëj kurrë asnjë veprim të cilin do ta përbuzja, po të shihja të tjerët ta bënin, apo që do të më bënte të mendoja më keq për ta.
  4. Zotohem të jem rreptësisht besnik e i patundur në atë që më është besuar, dhe që citimi tek Fjalët e Urta 20:6: “…kush mund të gjejë një njeri besnik?” të mos vlejë aspak për mua.
  5. Zotohem të vendos të gjitha fuqitë e mia për të refuzuar atë që nuk është e përputhje me një temperament të mirë, përgjithësisht të këndshëm dhe mirëdashës, të qetë, paqedashës, të plotësuar, të lehtë, të dhembshur, bujar, të përulur, të butë, modest, të nështruar, të mirësjellshëm, të zellshëm dhe prodhimtar, të dashur, të drejtë, të durueshëm, të moderuar, falës dhe të sinqertë, dhe të udhëhiqem nga ky lloj temperamenti për të bërë gjithçka e në çdo kohë. Zotohem të hetoj me rreptësi çdo javë nëse kam bërë kështu. Mëngjesi i së dielës, 5 maj 1723
  6. Sa herë të flitet për ndonjë person në bisedat e mia, nëse mendoj që do të ishte përlëvduese edhe për mua, zotohem të përpiqem që ta imitoj atë. 8 korrik 1723
  7. Duke supozuar se do të ekzistonte vetëm një person në botë, në çfarëdo momenti, i cili do të ishte një i krishterë i arrirë, një model në të gjitha aspektet, i cili gjithnjë e shndrit krishterimin në shkëlqimin e tij më të vërtetë dhe me një sjellje të dashur e të përsosur, i parë nga çdo anë e aspekt i karakterit të tij: Zotohem të veproj po ashtu edhe unë, duke u përpjekur me të gjitha fuqitë që të jem ky person gjatë gjithë epokës në të cilën jetoj. 14 janar dhe 3 korrik 1723
  8. Zotohem që, me dijeninë time, kurrë të mos lë gjë pa thënë apo pa bërë, me përjashtim të rastit kur kjo do të ishte për lavdinë e Perëndisë; dhe të shqyrtoj rregullisht çdo rast kur bëj kështu.
  9. Zotohem që, nëse e vë në dyshim ligjshmërinë e një veprimi, të mos e bëj atë, dhe në të njëjtën kohë t’i vë synim vetes të konsideroj dhe të shqyrtoj më pas nëse është me të vërtetë e ligjshme apo jo; përveçse kur unë e dyshoj ligjshmërinë e mosbërjes së një veprimi.
  10. Zotohem të ushtroj kontroll të rreptë në të ngrënit e të pirit.

Jeta Shpirtërore

Siguria

  1. Zotohem të shqyrtoj me kujdes e vazhdimisht dhe gjënë më të vogël në mua që më shtyn të dyshoj sado pak dashurinë e Perëndisë, si dhe ta frenoj atë me tërë fuqinë time.
  2. Zotohem të flak tutje çdo gjë që më minon sigurinë e shpëtimit.
  3. Zotohem të hetoj vazhdimisht plot me zell e kënaqësi, por edhe me mjaft imtësi, gjendjen time shpirtërore, që ta di nëse me të vërtetë jam i përkushtuar ndaj Krishtit apo jo; kështu që kur të vdes, nuk do të kem pasur asnjë shkujdesje për t’u penduar për çdo mëkat. 26 maj 1723
  4. Zotohem të mos më ndodhë kurrë një shkujdesje e tillë, për aq sa varet nga unë.

 

Bibla

  1. Zotohem të studioj Biblën sa më shpesh, vazhdueshëm dhe me atë këmbëngulje që të mundem, dhe ta dalloj qartë se jam duke u rritur në njohurinë e saj.

 

Lutja

  1. Zotohem që kurrë të mos ta konsideroj lutje, as të mos lejoj ta quaj lutje, qoftë edhe si një kërkesë lutjeje, nëse më mungon shpresa që Perëndia do t’i përgjigjet lutjes; as ta konsideroj rrëfim mëkati nëse më mungon shpresa që Perëndia do ta pranojë rrëfimin.
  2. Zotohem që kur të dalloj ato “psherëtima të pashqiptueshme”, për të cilat flet apostulli Pal (Romakëve 8:26), apo ato “tretje të shpirtit nga dëshira”, për të cilat flet psalmisti (Psalmi 119:20), atëherë do t’i përqafoj ato me gjithë forcën time. Do të përpiqem pa u lodhur e plot zell në shpalosjen e dëshirave të mia, apo në përsëritjen e tyre të zellshme. 23 korrik dhe 10 gusht 1723

 

Dita e Zotit (E Diela)

  1. Zotohem që kurrë të mos them asgjë që është tallëse, argëtuese apo qesharake në Ditën e Zotit. Mbrëmja e së dielës, 23 dhjetor 1722.

 

Rigjallërimi i drejtësisë

  1. Zotohem të përpiqem maksimalisht të rritem çdo javë në çështjet e besimit dhe në ushtrimin e hirit, më shumë sesa një javë më parë.
  2. Zotohem ta ripërtërij vazhdimisht përkushtimin e vetes ndaj Perëndisë, siç ndodhi në pagëzimin tim, të cilin e ripërtëriva solemnisht kur u pranova në përbashkësinë e kishës, e të cilin e kam ribërë solemnisht këtë 12 janar të vitit 1722 dhe 1723.
  3. Zotohem që tani e tutje derisa të vdes të mos sillem sikur i përkas vetes, por tërësisht dhe plotësisht Perëndisë, në përputhje me vendimin e marrë këtë të shtunë, 12 Janar 1723.
  4. Zotohem që veprimet e mia të mos ndikohen aspak nga asgjë tjetër veç besimit. Vetëm besimi të përcaktojë synimin përfundimtar të çdo veprimi. 12 Janar 1723
  5. Zotohem që kurrë të mos lejoj asnjë kënaqësi apo vajtim, gëzim apo hidhërim, apo çfarëdo ndjenje a fazë ndjenjash të tjera, as rrethanat e lidhura me to, nëse nuk ndihmon besimin. 12-13 janar 1723

 

Vrasja e mëkatit dhe vetëshqyrtimi

  1. Zotohem të zgjedh vazhdimisht, për lavdinë e Perëndisë, ndonjë veprim të qëllimshëm dhe të zbuloj shkakun fillestar, skemën dhe përfundimin e tij. E nëse zbuloj se nuk është për lavdinë e Perëndisë, ta konsideroj atë si shkelje të zotimit të katërt.
  2. Zotohem që sa herë të bëj haptazi ndonjë veprim të lig, ta shqyrtoj derisa të arrij në shkakun fillestar të atij veprimi. Më pas, të këmbëngul me kujdes që të mos e përsëris dhe të luftoj e të lutem me të gjithë forcën kundër shkakut të tij fillestar.
  3. Zotohem që sa herë të pyes veten nëse e kam bërë detyrën time apo jo, kur të humbas qetësinë dhe rehatinë time, ta shkruaj atë bashkë me mënyrën se si ka gjetur përgjigje pyetja. 18 dhjetor 1722
  4. Zotohem t’ia nënshtroj veten një hetimi rigoroz sa herë që ndjenjat e mia ndryshojnë nga normalja, apo kur ndërgjegjësohem për një ankth sado të vogël brenda meje, apo një parregullsi në sjelljen time. 4 dhe 13 korrik 1723
  5. Zotohem t’ia rrëfej sinqerisht vetvetes gjithçka që zbuloj në mua, qoftë dobësi apo mëkat. Nëse ka lidhje me besimin, t’ia rrëfej të gjithë çështjen Perëndisë dhe të kërkoj ndihmën e duhur. 23 korrik dhe 10 gusht 1723
  6. Zotohem që kurrë të mos dorëzohem, as ta dobësoj sado pak luftën time kundër gabimeve të mia, sado i pasuksesshëm të jem.

 

Miqësia me Perëndinë

  1. Zotohem të shfrytëzoj çdo rast kur të jem në gjendjen mendore më të mirë e më të lumtur, që t’ia dorëzoj dhe ta lëshoj shpirtin tim mbi Zotin Jezu Krisht, t’i besoj e t’i hapem atij, dhe ta shenjtëroj tërësisht veten për të. Kështu do të kem garancinë e sigurisë sime, duke e ditur që unë i zë besë Shpenguesit tim. 8 korrik 1723
  2. Zotohem të ushtrohem sa më shumë gjatë gjithë jetës sime për t’i shpallur Perëndisë rrugët e mia me sinqeritetin më të madh të mundshëm dhe t’ia hap shpirtin tim atij: të gjitha mëkatet, tundimet, vështirësitë, trishtimet, frikërat, shpresat, dëshirat, dhe gjithçka e çdo rrethanë; siç shtjellohet në Predikimin e 27-të të Dr. Manton-it mbi Psalmin 119. 26 korrik dhe 10 gusht 1723

 

17 gusht 1723

 

Jonathan Edwards ishte një predikues amerikan i periudhës së Rizgjimit të Madh, një filozof dhe teolog.

_____________

[1] Nëntitujt dhe kategorizimet janë vendosur nga Matt Perman për një lexueshmëri më të mirë.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-resolutions-of-jonathan-edwards

Përktheu: Redin Manastirliu | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2026

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?