pexels kamilzubrzycki 1245066

Korrik 2024


“Vendi më i çmuar në botë” është kisha.[1]

Të gjithë kemi vendet tona të çmuara të cilat i vizitojmë qoftë personalisht, qoftë përmes kujtimeve tona. Për mua, një nga këto vende ishte ferma e gjyshërve të mi. Më pëlqente të vrapoja përmes fushave të sapo pluguara, të kacavirresha nëpër lisat gjigantë që ushqenin imagjinatën e një djaloshi të vogël, si dhe të ulesha në tavolinën plot gatime fshati të gjyshes sime. Ky vend ishte me të vërtetë mjaft i çmuar për mua — një vend që më jepte kënaqësi, rehati dhe dashuri, të cilin tanimë mund ta vizitoj vetëm me kujtesën time.

Cilat janë disa nga vendet tuaja të çmuara?

Dhe tani le të mendojmë për kishën. A na shkakton mendimi për “kishën” të njëjtat pasione të thella? A mund të themi me vërtetësi që kisha është “vendi më i çmuar në botë”? Perëndia mund ta thotë këtë! Përshkrimi i mrekullueshëm i predikuesit legjendar të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Charles Spurgeon-it, i përshkruan siç duhet pasionet që të gjithë besimtarët e vërtetë duhet të kenë për kishën. Të zgjedhur nga Perëndia Atë, të blerë nga Biri, Krishti, dhe të fuqizuar nga Perëndia Frymë, kisha duhet të jetë një thesar i çmuar për këdo që e njeh dhe e do Perëndinë. Spurgeon-i tha më tej: “Nuk ka asgjë në këtë botë më të çmuar për zemrën e Perëndisë sesa kisha e tij. Ndaj, duke qenë të tijtë, le t’i përkasim atij, në mënyrë që përmes lutjeve, dhuntive dhe veprave tona, ne të mund ta fuqizojmë atë”.[2]

Është mjaft e lehtë t’i lejojmë ndjenjat tona për kishën të ftohen dhe të bëhemi indiferent ndaj saj. Ndonjë vendim i marrë, me të cilin nuk kemi qenë dakord, mund të na mërzisë. Lëndimi prej atyre të cilët mendonim se na donin, mund të na dekurajojë. Kisha mund të jetë një vend i vështirë për t’u quajtur “e çmuar”. Sidoqoftë, kur e zhvendosim perspektivën tonë të vogël e njerëzore te perspektiva hyjnore e Perëndisë, kisha na bëhet jo vetëm e çmuar, por edhe një thesar ngazëllimi, bukurie dhe dashurie të pasosur.

Përkufizimi dhe ripërkufizimi

Cili është objekti i fokusit dhe pasioneve tona? Çfarë nënkuptojmë me fjalën “kishë”? Çdo brez përballet me sfidën se si ta dallojë natyrën e vërtetë të trupit të Krishtit. Shekulli i njëzet dëshmoi një përpjekje për ta ripërkufizuar kishën dhe i shkëmbeu rrobat kishtare, gjoja të dalë jashtë mode, me rroba më bashkëkohore.

Neveria postmoderne gjithnjë në rritje për institucionet e organizuara i ka bërë disa të ngrenë dyshime, nëse kisha sot është e nevojshme, apo ka akoma ndonjë vlerë. Ka shumë që ofrojnë arsye të ndryshme pse disa mund të jenë në mëdyshje ndaj një strukture të tillë institucionale. Për shembull, këto vitet e fundit hezitimi për t’iu nënshtruar çfarëdo institucioni, i ka bërë disa të jenë të kujdesshëm përkundrejt kishës dhe asaj që ajo mundet, apo nuk mundet, t’i ofrojë shoqërisë në tërësi. Si përgjigje ndaj kësaj thirrjeje për t’iu përshtatur kohës, ka shumë që e rishikojnë shpesh përkufizimin e kishës duke i hequr ndonjë fjalë për hir ndjeshmërisë ndaj çështjeve bashkëkohore.

Në disa qarqe, kisha është shndërruar thjesht në një çështje strukture — si duhet të shprehen strukturat e autoritetit dhe llogaridhënies, si duhet të kremtohen sakramentet dhe sa shumë, apo pak, duhen mpleksur format e reja me ato të vjetra.

Në disa qarqe të tjera, diskutimi përqendrohet në rolin e kishës në sferën e gjerë të shoqërisë dhe të debatit publik, ku kisha përkufizohet si një institucion i zakonshëm tokësor me një mandat hyjnor, për të plotësuar nevojat e të gjithë njerëzimit. Ndërkohë, të tjerë kërkojnë ta përkufizojnë kishën në bazë të aderimit apo shkëputjes nga disa lloje liturgjie apo metodologjie.

“Të thirrur”

Për ata që janë të thirrur të jenë “administratorë të mistereve të Perëndisë” — pavarësisht gjeneratës ku bëjnë pjesë – më e rëndësishme është të konsiderojnë Shkrimin si autoriteti përfundimtar nga ku ne nxjerrim përkufizimin e këtij organizmi hyjnor (1 e Korintasve 4:1). Në Dhiatën e Re, kisha përcaktohet së pari me fjalën greke ekklesia. Kjo fjalë formohet nga ek’, që do të thotë ‘i nxjerrë jashtë nga diçka’ dhe fjala ‘kaleo’, që do të thotë ‘i thirrur’. Në kohët e lashta, ekklesia i referohej mbledhjes së qytetarëve nga vendbanimet e tyre në një kuvend. Kjo nënkupton se një kishë e vërtetë nuk është një vend apo një ndërtesë ku mblidhen njerëzit, por një grup njerëzish — ‘të thirrurit’.

Dikush mund të pyesë: Të thirrur nga çfarë? Kisha është një komunitet i përbërë nga ata që Perëndia i ka thirrur nga skllavëria e mëkatit përmes besimit në Jezu Krishtin (Romakëve 1:7; 1 e Korintasve 1:2; Efesianëve 4:1). Te 1 e Pjetrit 2:9-10, Pjetri e përshkruan me mjaft gjallëri kishën e thirrur:

Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fituar nga Perëndia, që të shpallni lavdinë e atij, që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme; ju që dikur nuk ishit një popull, kurse tani populli i Perëndisë; dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.

Këta “të thirrur” përcaktohen konkretisht si një popull i zgjedhur e mbretëror, të paracaktuar që nga përjetësia e shkuar, të thirrur e të shfajësuar në këtë jetë të tanishme, dhe u është premtuar përlëvdim në të ardhmen (Romakëve 8:30).

Për këtë arsye, kisha nuk përcaktohet nga ndërtesa e saj, nga shoqata socialo-politike, nga struktura organizative, apo nga praktikat e saj metodologjike.

Përkundrazi, kisha është kuvendi i të shpenguarve — i atyre që Perëndia Atë i ka thirrur për shpëtim, si dhuratë për Birin e tij, Zotin Jezu Krisht (Gjoni 6:37). Pjetri e përshkruan këtë kuvend të shpenguarish të përbërë nga ata që janë thirrur “nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 e Pjetrit 2:9). Kisha është mbledhja si një trup e qytetarëve qiellorë e të shpenguar, të cilët janë transferuar nga sundimi i errësirës në mbretërinë e Krishtit përmes gjakut të tij të derdhur, ringjalljes, ngritjes në qiell dhe ndërmjetësimit të tij të vazhdueshëm sot (Kolosianëve 1:13)

Kjo njohuri biblike përcakton edhe trajektoren e jetës sonë të krishterë, thirrjen dhe shërbesën tonë, si dhe marrëdhënien tonë me gjithë botën. Megjithëse kisha ka një thirrje, një qëllim dhe një mision të mirëpërcaktuar, nuk janë ato që e përkufizojnë kishën. Sigurisht, kisha e përmbush këtë thirrje, këtë qëllim dhe mision në botë, por ekziston një realitet më i thellë e më kuptimplotë, i cili — atëherë kur kuptohet — i jep energji shërbesës dhe misionit të saj. Kisha nuk duhet të përkufizohet me atë që ne bëjmë, por kush jemi ne në Krishtin.

Një nuse për Krishtin

Në një kuptim më të lartë teologjik, kisha është nusja e Jezu Krishtit dhe është e lidhur ngushtë me marrëdhënien ndër-trinitariane të Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë. Nuk ka burim më gufues dhe më përlëvdues prej të cilit mund të furnizojmë botëkuptimin tonë për kishën, sesa ta hedhin spirancën tonë të botëkuptimit në portin e sigurt e të përjetshëm të veprës së Atit, Birit dhe Frymës.

Duke përdorur fjalët e teologut të shekullit të tetëmbëdhjetë nga New England, SHBA, Jonathan Edwards-it, e tërë bota u krijua “për të siguruar një nuse për Birin e përjetshëm të Perëndisë”.[1] Me fjalë të tjera, kisha nuk është një gjetje trinitariane, si reagim ndaj rënies së përjetshme të njeriut në Kopshtin e Edenit. Përkundrazi, kisha është territori i qëllimshëm ku mund të zbulohen prania, premtimet dhe qëllimet e Perëndisë, dhe ku ato të realizohen përjetësisht.

Natyra thelbësore e kishës personifikohet te përshkrimi i saj te Shkrimet si “nusja e Krishtit”. Pali i udhëzon bashkëshortët: “...duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të” (Efesianëve 5:25). Te Zbulesa 19:7, turmat thërrasin: “...erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij bëri gati veten e saj”. Gjithashtu, një engjëll i thotë Gjonit: “Eja, do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit” (Zbulesa 21:9). Shkrimi e përdor shpesh këtë simbolikë të kishës si nusja e Qengjit, e veshur me rroba të bardha dhe e larë me gjakun e tij shpengues (Zbulesa 7:14).

Për Edwards-in, ky përfaqësim kulmon në veprën e Krishtit, të cilin ai e përshkruan si “fytyra e Perëndisë”, ose “rrëzëllimi e shndritja e lavdisë së Perëndisë”.[2] Edwards-i e shikonte Krishtin si qëllimi përfundimtar pse Perëndia e krijoi botën, si dhe elementin përcaktues përmes të cilit shprehet dashuria e bollshme e Perëndisë:

Krishti është urtësia hyjnore, prandaj bota ose është krijuar me etje për dashurinë hyjnore që Krishti shfaq, ose me etje për dashurinë që mban zemra e Krishtit, ose për të siguruar një nuse për Krishtin — të cilët janë krijesat që urtësia zgjedh si objekt i dashurisë hyjnore për të qenë nusja e zgjedhur e Krishtit.[1]

Kisha është zgjedhur prej Perëndisë për të gjetur kënaqësi në Krishtin dhe që të jetë përfituesi i dashurisë dhe i lumturisë së tij të përjetshme. Perëndia ia jep kishën Krishtit si nusja e tij, “në mënyrë që gëzimi i përbashkët midis nuses dhe dhëndrit të jetë qëllimi përfundimtar i krijimit”.[1] Jeta e kishës përcaktohet këndshëm në pozitën e kishës si shpërblim për Krishtin, për shkak të vuajtjeve të tij në kryq, duke e bërë Krishtin kreun e trupit dhe dhëndrin e denjë për nusen. Lidhja e lavdishme midis Krishtit dhe kishës nuk do të prishet kurrë, ndaj ata do ta kënaqin njëri-tjetrin përjetësisht në një gëzim dhe shkëlqim të lavdishëm.

Trupi i Krishtit

Kisha shëmbëllehet në Shkrim edhe si “trupi i Krishtit”. Në letrën e Palit drejtuar Romës, ai cilëson: “Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtin funksion, kështu edhe ne, megjithëse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili gjymtyrë të njëri-tjetrit” (Romakëve 12:4-5). Kjo metaforë e portretizon Krishtin në një lidhje frymërore me popullin e tij, kishën, duke e pozicionuar veten jo thjesht pranë kishës, por brenda kishës së tij (Gjoni 17:23).

Perëndia e krijoi trupin e njeriut sipas shëmbëllimit të tij, ndaj edhe ndërvarësia e tij është kaq mrekullisht komplekse. Trupi nuk mund të funksionojë pjesë-pjesë, i ndarë nga tërësia e tij. Po kështu, lidhja frymërore që ekziston midis Krishtit dhe “trupit të tij” — kishës — është një njësi e tërë. Mund të ekzistojnë mjaft organizata e struktura, por ekziston vetëm një kishë, një trup i Krishtit, pjesë e të cilit është çdo person i thirrur e i shpenguar. Ashtu si trupi nuk mund të funksionojë po të ndahet nga koka, po kështu edhe kisha nuk mund të funksionojë siç duhet po të ndahet nga Krishti.

Na vijnë në ndihmë edhe njëherë fjalët e Jonathan Edwards-it kur e përshkruan këtë “trup mistik të Krishti” si më poshtë:

Zemrat e tyre bashkohen me popullin e Jezu Krishtit si populli i tyre, që të ndërveprojnë e t’i duan ata si vëllezërit e tyre, të adhurojnë e t’i shërbejnë Perëndisë, si dhe të ndjekin Krishtin në bashkësinë dhe miqësinë e tyre, të gatshëm dhe të zellshëm për të kryer të gjitha detyrat që u përkasin, si anëtarë të së njëjtës familje të Perëndisë dhe trupit mistik të Krishtit.[1]

Kisha është trupi i Krishtit ku anëtarët ushtrojnë varësi të ndërsjellë dhe ku nuk ka vend egoizmi, por sundon dashuria. Edwards-i shkruan:

Çdo besimtar është si një lule në kopshtin e Perëndisë dhe dashuria e shenjtë është aroma e ëmbël, të cilën ata e shpërndajnë kudo, e me të cilën mbushet i gjithë qielli. Çdo besimtar është si një notë në një koncert muzikor, e cila harmonizohet me çdo notë tjetër dhe të gjitha së bashku bashkëpunojnë në përlëvdimin e Perëndisë dhe të Qengjit.[1]

Trupi i Krishtit është aq i bashkuar, sa ne të gjithë — nga i njëjti kopsht — e ngremë lart për tek Ati adhurimin tonë melodik e harmonik, si një notë e vetme. Kjo jemi ne — nusja dhe trupi i Jezu Krishtit: të zgjedhur prej Atit, të lidhur me Birin, dhe të bashkuar në Frymë.

Përfundimi

Ka kaluar mjaft kohë nga Jonathan Edwards-i i shekullit të tetëmbëdhjetë dhe Charles H. Spurgeon-i i shekullit të nëntëmbëdhjetë, e me sa duket kemi humbur një element jetësor në përcaktimin e perspektivës biblike të kishës — aspektin e këndshëm dhe të bukur të saj. Kisha e merr jetën e saj nga miqësia e këndshme e Atit, Birit dhe Frymës, duke krijuar një popull adhurimi, miqësie e misioni, të cilët gjallërohen prej ungjillit dhe fuqizohen prej Fjalës së Perëndisë. Pasionet tona për nusen e Krishtit duhet të jenë nxitja jonë për t’i shërbyer asaj gjatë të gjithë ditëve tona të jetës, në mënyrë që përfundimisht t’ia paraqesim atë Krishtit “pa njolla a rrudha” (Efesianëve 5:27). Deri atëherë, le të shpallim fort që “ajo është me të vërtetë vendi më i çmuar në botë”.


Shënime
[1] Charles Spurgeon, “The Best Donation” një shtjellim i vargut nga 2 e Korintasve 8:5, predikuar më 5 Prill 1891, në kishën “Metropolitan Tabernacle” të Londrës, Angli.
[2] Spurgeon, “The Best Donatio”), në predikimet e “Metropolitan Tabernacle”, vëll. 37, fq. 633-635.
[3] Jonathan Edwards, “The Church’s Marriage To Her Sons, And To Her God”, në The Works of Jonathan Edwards, vëll. 25, Sermons and Discourses, 1743–1758, red. nga Wilson H. Kinnach (Shtypshkronja e “Yale University”, New Haven, Connecticat, 2006), fq. 187.
[4] Jonathan Edwards, “Trinity”, në The Works of Jonathan Edwards, vëll. 21, Writings on the Trinity, Grace, and Faith red. nga Sang Hyun Lee (Shtypshkronja e “Yale University”, New Haven, Connecticut), fq. 118-119)
[5] Po aty, fq. 142
[6] Po aty.
[7] Jonathan Edwards, “Religious Affections” te The Works of Jonathan Edwards, vëll. 2, botues Paul Ramsey (Shtypshkronja e “Yale University”, New Haven, Connecticat, SHBA, 2009), fq. 416-417.
[8] Edwards, “Charity and Its Fruits” te The Works of Jonathan Edwards, vëll. 8, “Ethical Writings”, red. nga Paul Ramsey, (Shtypshkronja e “Yale University”, New Haven, Connecticut, 1989) fq. 359,386.


Për më shumë informacion mbi kishën si vendi më i çmuar në botë, lexoni librin e Dustin-it, “The Loveliest Place: The Beauty and Glory of the Church”.

Dustin Benge ((PhD, “The Southern Baptist Theological Seminary”) është autori i librave “The Loveliest Place: The Beauty and Glory of the Church” dhe “The Precious Blood: The Benefits of the Atonement of Christ”. Së bashku me gruan e tij, Molli-n, ata jetojnë në Louisville, Kentaky, SHBA.


Përkthyer me leje: https://www.unionpublishing.org/resource/the-dearest-place-on-earth/
Përktheu: Redin Manasterliu | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

EtiketaUnion

Postime të ngjashme

Zëri i kujt ka më shumë rëndësi?