key verses liria

Prill 2022                                          Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Galatasve 4:28-5:1

Kurse ne, o vëllezër, jemi sikundër Isaku, bij të premtimit. Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë, që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani. Po çfarë thotë Shkrimi? “Dëboje skllaven dhe birin e saj, sepse biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me birin e së lirës”. Kështu, pra, vëllezër, nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës. Qëndroni, pra, në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

Në mënyrë analoge, me lindjen e mbinatyrshme të Isakut, galatasit janë bërë fëmijë të Perëndisë përmes veprës së hirit dhe fuqisë së mrekullueshme të Perëndisë, jo përmes përpjekjeve njerëzore.

Ashtu si Ismaili përndoqi Isakun (nuk përmendet drejtpërdrejt në Dhiatën e Vjetër, por sugjerohet te Zanafilla 21:9), po ashtu judenjtë, që kërkojnë drejtësim përmes përpjekjeve njerëzore, po përndjekin të krishterët që besojnë premtimin e Perëndisë, të drejtësimit përmes besimit. Te Zanafilla 16:4, kur Agari u ngjiz “e shikoi me përbuzje zonjën e saj”. Edhe kjo reflektohet në faktin se, jo të krishterët dhe judenjtë pseudo të krishterë po përndjekin të krishterët si Pali (siç shihet te Galatasve 6:17). Historia po përsëritet.

“Dëboje skllavin dhe birin e saj”, dhe tërthorazi, të gjithë ata që përfaqëson kjo alegori, pra, ata që kërkojnë drejtësim përmes përpjekjeve të tyre. Kjo nënkupton se ata që mësojnë ungjillin e rremë të drejtësimit përmes veprave, nuk duhen lejuar të qëndrojnë dhe të mësojnë në një kishë që ndjek Krishtin.

Ata që i drejtohen ligjit për shpëtim do ta përjashtojnë veten nga shpëtimi. Për këtë arsye, Pali paralajmëron dhe inkurajon lexuesit e tij të mos devijojnë. Krishti na ka çliruar nga rregullat dhe ligjet ceremoniale judaike (shih shënimin te 2:11-12), por jo nga bindja ndaj standardeve morale të Perëndisë (Galatasve 5:14-6:1).

1 e Korintasve 6:12 (Versioni “Së bashku”)

Disa thonë:Gjithçka më lejohet”, por jo gjithçka është e dobishme; gjithçka më lejohet, por unë nuk do të lë të pushtohem nga asgjë.

Thonjëzat në këtë shprehje, si këtu dhe te10:23, na lënë të kuptojmë se ky, me shumë mundësi, ishte një slogan shumë i përdorur nga korintasit. “Ushqimi është për barkun”, ka gjasa të jetë gjithashtu një slogan tjetër i korintasve. Korintasit kanë marrë nga kultura përreth tyre, idenë se trupi duhet të marrë gjithçka që kërkon. Pali e di se dëshirat njerëzore janë të njollosura me mëkat, që i përdor këto dëshira për të kënaqur mishin në qëllimet e tij të liga (Romakëve 6:6, 12, 16-22; 7:7-25).

Gjoni 8:31-36

Atëherë Jezusi u tha judenjve që besuan në të: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Ata iu përgjigjën: “Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe s’kemi qenë kurrë skllevër të askujt; si mund të thuash ti: “Do të bëheni të lirë”?. Jezusi iu përgjigj atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkat është skllav i mëkatit. Por skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri përgjithmonë. Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë”.

Na tregohet se “besimi” i tyre është i rremë në rrjedhën e historisë (shih Gjoni 8:33-47). Të qëndrosh në fjalën e Jezusit do të thotë të besosh atë që Jezusi ka thënë, dhe të ecësh në bindje ndaj Tij. Ky varg tregon se të besuarit vazhdimisht te Jezusi dhe bindja ndaj Tij janë prova që tregojnë cilët janë dishepujt e Tij të vërtetë.

Gjoni 8:32 citohet shpesh jashtë konteksti, por lidhja me Gjonin 8:31 tregon se Jezusi po flet për një rrugë të vetme për të njohur të vërtetën, dhe kjo është në besim dhe në bindje ndaj fjalës së Tij. “Do t’ju bëjë të lirë” nga faji dhe fuqia skllavëruese e modeleve mëkatare të sjelljes.

“Skllav i mëkatit” do të thotë të mos mundesh të largohesh nga modelet mëkatare të sjelljes pa ndihmën e Jezusit për çlirim (shih Gjoni 8:36).

“Do t’ju bëjë të lirë” edhe nga faji, edhe nga fuqia kontrolluese e mëkatit (dhe, me shumë gjasa, edhe nga ndikimi shoqërues i ngjarjeve demoniake, siç e përmend Jezusi te Gjoni 8:44).

2 e Korintasve 3:17

Por Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje ka liri.

Janë ofruar shpjegime të ndryshme për këtë deklaratë të shkurtër dhe të vështirë: Pali mund të jetë duke thënë se Krishti dhe Fryma funksionojnë së bashku në përjetimin e të krishterit — pra, Zoti (Krishti) vjen te ne përmes shërbesës së Frymës (edhe pse vazhdojnë të jenë dy persona të ndryshëm).

Një këndvështrim tjetër (bazuar te referencat: 2 e Korintasve 3:16 dhe Eksodi 34:34: “Moisiu hynte përpara ZOTIT për të biseduar me të”) është që, “ZOTI” këtu i referohet Perëndisë Jahve (“ZOTIT”) në Dhiatën e Vjetër (pra, Perëndisë në tërë qenien e Tij, pa specifikuar Atin, Birin apo Frymën). Në këtë rast, Pali po thotë se Perëndia Jahve në Dhiatën e Vjetër nuk është thjesht Atë dhe Bir, Ai është gjithashtu edhe Frymë.

Sidoqoftë, çështja kryesore e Palit duket se është fakti që, përjetimi i krishterë i shërbesës së Frymës, nën besëlidhjen e re (2 e Korintasve 3:3-8) është paralel me përjetimin e Zotit në besëlidhjen e vjetër — pra, Fryma (në besëlidhjen e re) çliron njeriun nga mbulesa e zemërngurtësisë (2 e Korintasve 3:12-15). Pali e thekson vazhdimisht dallimin e Krishtit nga Fryma e Shenjtë në shkrimet e tij, dhe kjo ndodh edhe këtu, sepse pak më poshtë ai flet për Frymën e Zotit. Për më tepër, nuk duhet supozuar se Pali po mëson që pjesëtaret e Trinisë (Ati, Biri, apo Fryma) janë i njëjti person, sepse do ishte herezi e modalizmit; në fakt, Pali po thekson unitetin e hirit në tri personat e Trinisë. “Ka liri”, edhe pse e paspecifikuar në kontekst, ka gjasa t’i referohet llojeve të ndryshme të lirisë që vijnë me shpëtimin në Krishtin dhe me praninë e Frymës së Shenjtë: pra, liria nga dënimi, faji, mëkati, vdekja, besëlidhja e vjetër dhe verbëria ndaj ungjillit, gjithashtu liria që mundëson përjetimin e pranisë së dashur të Perëndisë.

1 e Pjetrit 2:16-17

Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një petk për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë. Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin. 

Liria në Shkrim nuk është një licencë mëkati, por shprehet në përkushtim ndaj asaj që është e mirë (krahaso me Galatasve 5:13-14). Të gjithë njerëzit meritojnë të njëjtin nderim dhe respekt si mbreti. Ne duhet të kemi vetëm frikën e Perëndisë. Besimtarët duhet të kenë dashuri për njëri-tjetrin si anëtarë të së njëjtës familje.

Isaia 61:1

Fryma e ZOTIT, ZOTI, është mbi mua,
sepse ZOTI më ka vajosur
për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve;
më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer,
t’u shpall çlirimin e atyre në robëri,
hapjen e burgut të burgosurve.

Mesia do të shpallë popullin e Tij të ri, të çliruar, që do të lutet për botën e re të shpenguar. Kjo na rikthen te Isaia 48:16, ku folësi është shërbëtori mesianik, që krijon një popull të ri përmes predikimit të tij të fuqizuar nga Fryma (Isaia 11:2; Isaia 59:21). Isaia shpjegon qëllimin e vajosjes së Mesias me shtatë shprehje qëllimore. Shih Isaia 11:4; Isaia 29:19; Mateu 5:3.

“Hapjen e burgut” i referohet rikthimit nga mërgimi babilonas, por, mbi të gjitha: lirisë frymërore nga lidhja e mëkatit dhe satanit. “vitin e pranueshëm të Zotit”. Një epokë e re bekimi (krahaso me Isaia 34:8; 63:4; 2 e Korintasve 6:2). Kur e citoi këtë tekst në Nazaret (Luka 4:18-19), Jezusi nuk e përfshiu ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë, sepse shfaqja e zemërimit të Tij pret ardhjen e dytë të Krishtit (krahaso me Isaia 5:25-29; 63:1-6; Veprat 17:31; Zbulesa 6:15-17).

Romakëve 6:16-18

A nuk e dini se, nëse e paraqitni veten tuaj shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë bindjes për drejtësi? Por qoftë falënderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër formës së mësimit që iu është dhënë. Dhe, mbasi u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.

Vendimet morale vazhdojnë të kenë ende rëndësi për të krishterët. Dorëzimi ndaj mëkatit , i bën gradualisht njerëzit skllevër të bindur ndaj mëkatit. Kjo lloj veprimtarie më pas çon në vdekje, duke mos qartësuar se besimtarët e vërtetë mund të humbasin shpëtimin, por që mëkati i çon në atë drejtim, larg nga shijimi i plotë i jetës me Krishtin. Ata që dorëzohen tërësisht ndaj mëkatit, vdesin (përballen me ndëshkim të përjetshëm).

Të krishterët e vërtetë, nuk do të jetojnë kurrë si skllevër të mëkatit, sepse Perëndia ka transformuar zemrat e tyre në konvertim, që ata të rriten në dashurinë për drejtësi dhe të jetojnë sipas Fjalës së Perëndisë.

Romakëve 8:1-4

Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës, sepse ligji i Frymës së jetës në Krishtin Jezus më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e tij në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish, që të përmbushet kërkesa e drejtë e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.

Nuk ka “asnjë dënim” për të krishterin, sepse Perëndia ka dënuar mëkatin në mish duke dërguar Birin e Tij (Romakëve 8:3) për të paguar çmimin për mëkatin përmes vdekjes së Tij në kryq. Vargjet e mëposhtme tregojnë se mëkati mposhtet me anë të Frymës në ne, me dhjetë referenca për Frymën te Romakëve 8:4-11.

Prova që besimtarët janë në Krishtin është se fuqia e mëkatit është shkatërruar në jetën e tyre nga vepra e Frymës së Shenjtë. “Ligji” në të dyja rastet nënkupton parimet. Ligji (në këtë rast, ai i Moisiut) nuk arriti të zgjidhë problemin e njerëzimit, sepse mëkati e ushtron ligjin për përftim të vet, siç shpjegohet edhe te Romakëve 7. Perëndia dërgoi Birin e Tij si sakrificë për mëkatin (një shprehje që përshkruan një ofrim për mëkatin) dhe pagoi çmimin e plotë për mëkatin në sakrificën e Tij (dënoi mëkatin). “Në mish” i referohet trupit të Krishtit, dhe në ngjashmërinë e mishit mëkatar nënkupton se Jezusi u bë tërësisht njerëzor, edhe pse ishte i pamëkat.

Vargu 4 mund të nënkuptojë se kërkesa është përmbushur në jetën e re që të krishterët të jetojnë në bazë të veprës së Krishtit, ose mund t’i referohet ndëshkimit të plotë të ligjit që u mor në kryq.

Veprat 13:38-39

Le ta dini, pra, o burra vëllezër, se nëpërmjet tij ju shpallet falja e mëkateve, dhe prej të gjithave që ju, nëpërmjet ligjit të Moisiut, nuk mund të drejtësoheshit, në të çdo njeri që beson është i drejtësuar.

Në greqisht (“dikaioo”) shpesh përkthehet “justifikim” që do të thotë “të deklarosh të pafajshëm, të justifikosh”. Judenjtë kërkonin të përballeshin me mëkatin përmes ligjit të Moisiut. Mirëpo ligji nuk mund të çlirojë askënd nga mëkati, jo vetëm sepse askush nuk mund t’i përmbahet plotësisht, por edhe sepse ligji nuk u bë për të sjellë shlyerje për mëkatet (Galatasve 3:10-14; Hebrenjve 10:1-14); vetëm ata që besojnë në Krishtin dhe në sakrificën e Tij shpëtuese janë të lirë nga mëkati dhe të pranuar nga Perëndia.

Galatasve 5:13-14

Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin por, përmes dashurisë, t’i shërbeni njëri-tjetrit. Sepse gjithë ligji përmbushet në këtë fjalë të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”.

Jo vetëm që jeta e krishterë nuk është skllavëruese, por është e vetmja mënyrë për t’i rezistuar skllavërimit që na ofron bota. Kjo nuk do të thotë se të krishterët mund të bëjnë ç’të duan (kjo në vetvete është një formë skllavërie). Në fakt, mënyra për t’iu larguar skllavërisë dhe për të përmbushur pikat kryesore të ligjit është duke dashur e duke i shërbyer njëri-tjetrit.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: 

https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-freedom/ 
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022 | Përditësuar në 2024


EtiketaCrossway, Liria

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin