Tetor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Dennis Johnson
Shushatës. Ngjall debate. Shqetësues. Tmerrues. Në qoftë se libri i Zbulesës i sjell këto epitete në mendjen tuaj, nuk jeni i vetmi të cilit i ndodh kjo. Megjithatë qëllimi i Perëndisë për Zbulesën është që të zbulojë dhe jo të fshehë, të inkurajojë dhe jo të shqetësojë. Zbulesa u premton bekime atyre “që i lexojnë me zë të lartë dhe që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie, dhe që mbajnë ato që janë shkruar në të” (Zbulesa 1:3, theksi i shtuar). Pa mendoni pak skenën në bashkësitë e shek. I pas Krishtit, të cilave iu dërgua për herë të parë Zbulesa: një drejtues del përpara bashkësisë që ta lexojë rrotullën teksa të gjithë dëgjojnë. Ata mund ta ngërthejnë mesazhin e Zbulesës dhe ta marrin bekimin e premtuar prej saj thjesht duke e dëgjuar të lexohet me zë të lartë dhe duke i marrë të vërtetat e saj në zemër. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe ne. Për ta marrë këtë bekim, duhet të dini tri gjëra rreth këtij libri dramatik të Biblës.
1. Libri i Zbulesës zbulon triumfin e Qengjit në një botë të dalë jashtë kontrollit.
Vargu i parë i Zbulesës është edhe titulli i librit: “Zbulesa e Jezu Krishtit” (Zbulesa 1:1). Termi në greqisht i përkthyer si “zbulesë” (apocalypsis) na thotë se na nevojitet një “zbulim” që të shohim përtej dukjes sipërfaqësore të përvojës sonë dhe historisë botërore, dhe të perceptojmë realitetin themelor që fshihet pas tyre dhe që shpjegon burimin e tyre. Në qoftë se shohim vetëm simptomat sipërfaqësore — mizoritë e luftës, katastrofat mjedisore, krizat ekonomike, zinë e bukës dhe vdekjen si pasojë e saj, sëmundjet dhe vdekjen si pasojë e tyre — nuk do t’ia dalim dot ta shquajmë se përse bota jonë ka dalë jashtë kontrollit. Vetëm një vështrim i shkurtër prapa perdes së padukshme të sferës frymërore, ku Perëndia, i cili sundon si sovran mbi gjithçka, lufton kundër “dragoit të madh, gjarprit të lashtë, ai që quhet Djall dhe Satan” (Zbulesa 12:9; 20:2), na ndihmon të kuptojmë më mirë mjerimet dhe misteret që na rrethojnë.
Ky libër është një “zbulesë e Jezu Krishtit” në dy kuptime: Jezusi është qoftë ai që zbulon, ashtu edhe ai që zbulohet. Së pari, “Perëndia ia dha” këtë zbulesë Jezu Krishtit “për t’u treguar skllevërve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti” (Zbulesa 1:1). Ky kalim nga Ati te Biri i mishëruar bëhet edhe më dramatik te Zbulesa 4 dhe 5, kur Qengji merr nga Sovrani që rri mbi fron një rrotull dhe pastaj hap një nga një vulat e saj për të vënë në lëvizje dhe për të kontrolluar ngjarjet që zhvillohen në histori. Vetëm Qengji është i denjë të zbulojë dhe të vërë në zbatim planin e Perëndisë, sepse Ai ka ngadhënjyer duke pësuar një vdekje të dhunshme për të paguar çmimin e shpengimit të “njerëzve prej çdo fisi dhe gjuhe, dhe populli, dhe kombi” (Zbulesa 5:5-10).
Së dyti, Zbulesa po ashtu zbulon Jezu Krishtin. Ai, jo vetëm është Qengji që ngadhënjeu përmes vuajtjes shpenguese, por edhe “një si bir njeriu”, i cili ecën mes kishave të Tij mbi tokë (Zbulesa 1:10-20), duke vlerësuar shëndetin e tyre frymëror dhe duke bekuar ata që qëndrojnë deri në fund (kapitujt 2–3). Jezusi është pasardhja e gruas që qe premtuar në fillimet e historisë (Zanafilla 3:15), i cili menjëherë pas lindjes u kërcënua nga gjarpri i lashtë, por prapëseprapë u lartësua në fronin e Perëndisë (Zbulesa 12:1-6). Gjaku i Tij e përzuri akuzuesin tonë nga qielli, duke i bërë të heshtin akuzat kundër nesh (Zbulesa 12:7-17). Jezusi është Kapiteni i ushtrisë së qiellit që do të kthehet për të shkatërruar dragoin, puthadorët përbindësha të këtij të fundit, si dhe të gjithë ata që besojnë gënjeshtrat e tyre (Zbulesa 19:15-21). Jezusi, me Atin dhe me Frymën, është qendra e adhurimit e suitës qiellore të Perëndisë, emisarëve të Tij engjëllorë, si dhe gjithë krijesave kudo ku ndodhen (Zbulesa 5:9-14; 11:15-18; 14:2-5; 15:3-4; 19:1-8; 21:2-4, 22–24; 22:3-5).
Për shkak se vegimet e Zbulesës paraqesin realitetin tronditës të pasojave toksike të mëkatit në një botë të dalë nga kontrolli, këto skena kaosi na tërheqin vëmendjen, njëlloj si përplasjet e makinave nëpër autostrada. Mirëpo, në qoftë se e ngulim vështrimin te “pemët” (skenat e ligësisë njerëzore dhe të zemërimit hyjnor që ato shkaktojnë), do të humbasim nga sytë “pyllin” e Zbulesës: madhështia dhe mëshira e Jezu Krishtit.
2. Zbulesa flet me një “fjalor” figurativ të rrënjosur në Dhiatën e Vjetër.
Zbulesa e shpall mesazhin e saj me një gjuhë të përshtatshme për leximin me zë të lartë: figura të gjalla të gdhendura në mënyrë të pashlyeshme në imagjinatën tonë. Gjatë gjithë Shkrimit të Shenjtë, Perëndia (komunikuesi i përsosur) pikturon portrete: bariu, shkëmbi, kështjella, zjarri, bashkëshorti e kështu me radhë. Përmes ëndrrave të mbushura me imazhe, Zoti ia zbulon planet e Tij Jozefit dhe Danielit, si dhe i zbulon ato përmes tyre (Zanafilla 37, 41; Danieli 2, 7). Profetëve të tillë si Isaia, Ezekieli dhe Zakaria, Zoti u dha mundësinë që të vështronin pas perdes, për të parë dhomën e Tij hyjnore të fronit, duke i aftësuar ata që të shihnin me anë të simboleve të gjalla (si dhe të dëgjonin me anë të fjalëve) mesazhet e Tij drejtuar popullit të Tij. Përmes simbolizmit të Zbulesës, Perëndia po bën atë që ka bërë përherë.
Për të ngërthyer rëndësinë e simboleve të Zbulesës na nevojitet një fjalor që na i shpjegon të gjithë këta terma figurativë. Ky fjalor, i shkruar prej Perëndisë gjatë shekujve, është Dhiata e Vjetër. Individët dhe ngjarjet e historisë së Dhiatës së Vjetër (krijimi, gjarpri, dalja nga Egjipti, Moisiu, Elia etj.), si dhe vegimet që iu shfaqën profetëve të Izraelit, janë kyçet që shkyçin simbolizmin e Zbulesës. Për shkak se Krishti u flet si kishave të shek. I pas Krishtit, ashtu edhe atyre të shek. XXI, Ai përdor një gjuhë figurative, tek e cila kanë qasje gjithë njerëzit e Tij nga të gjitha brezat: ngjarjet shpenguese të Dhiatës së Vjetër dhe simbolizmi profetik.
3. Qëllimi i Krishtit për Zbulesën është të forcojë të krishterët, besimi dhe besnikëria e të cilëve po sulmoheshin prej Satanit përmes përndjekjes, përjashtimit, mashtrimit dhe përbotshmërisë së vetëkënaqur.
Zbulesa është e mirënjohur për shkaktimin e polemikave. Megjithëse Jezusi na paralajmëroi kundër caktimit të datave, sepse është njëlloj sikur të hulumtosh sekrete hyjnore që shkojnë “përtej sferës sonë të kompetencave” (Marku 13:32-35; Veprat e Apostujve 1:7), ka grupe të krishterësh që ende bëjnë luftë me njëri-tjetrin për atë se si “përkojnë” ngjarjet e përditshmërisë me vegimet e Gjonit. Mirëpo, në vend që të na ofrojë municion për përplasjet tona eskatologjike, Jezusi na e jep librin e Zbulesës për një qëllim më urgjent e praktik: Krishti po e armatos kishën e Tij, e cila vazhdon të pësojë sulme nga forcat e së keqes, që të qëndrojë e fortë deri në fund.
Zbulesa na zbulon marifetet e Satanit dhe na forcon që t’u bëjmë ballë sulmeve të armikut. Përndjekjet e dhunshme dhe përjashtimi shoqëror na tundojnë si populli i Perëndisë, që të heqim dorë nga besnikëria jonë ndaj Krishtit. Kisha mund të mashtrohet nga mësuesit e rremë dhe të joshet për të rënë në vetëkënaqësi dhe kompromis për shkak të pasurisë së kësaj bote (Zbulesa 2–3). Vegimi i Gjonit i “mishëron” këto armë sulmi si bishë, profet të rremë dhe prostitutë (Zbulesa 13, 17).
Shtatë kishat e Azisë përbëjnë një mikrokozmos të kishës gjatë gjithë epokave. Forcat keqdashëse të Satanit ndryshojnë formë, duke u maskuar në mënyra të ndryshme në epoka të ndryshme. Nuk ka rëndësi se çfarë forme marrin sulmet e tij, sepse Satani është mposhtur tashmë (Zbulesa 12:7-13; 20:1-3). Kështu që, Qengji ngadhënjimtar na e dha librin e Zbulesës që të rrënjosë në ne dallimin, guximin dhe besnikërinë, me qëllim që të mbahemi fort pas Fjalës së Tij teksa presim me padurim bekimin e pranisë së Tij në qiejt dhe dheun e ri (Zbulesa 1:3; 22:7, 14).
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-revelation
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025