Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet t’i dini rreth...
Michael P.V. Barrett
1. Gjëja e parë që duhet ditur rreth librit të Zakarias është identiteti i autorit të tij.
Zakaria ishte një emër i zakonshëm në Besëlidhjen e Vjetër, por vargu i parë i librit e përshkruan atë pikërisht si “birin e Berekiahut”, i cili vetë ishte “bir i Idos, profet”. Sipas, Nehemias 12:1-4, Ido ishte një prej priftërinjtë që qe kthyer në Palestinë bashkë me Zorobabelin pas skllavërisë babilonase. Përparësia e të gjithë atyre që u kthyen në Judë pas mërgimit, ishte që të rindërtonin tempullin e shkatërruar nga babilonasit. Nën udhëheqjen e Zorobabelit, puna lulëzoi fillimisht, por pastaj ngeci për shkak trysnive të jashtme dhe apatisë së brendshme (Ezdra 4, 5). Ido, gjyshi i Zakarias, me siguri që qe i përfshirë në punimet fillestare për ndërtimin e tempullit. Zakaria luajti një rol thelbësor në përfundimin e punimeve. Në mënyrë mjaft ironike dhe sipas Jezusit (Mateu 23:35-37), Zakaria u vra në të njëjtin tempull ku luajti një rol thelbësor për ndërtimin e tij.
Mirëpo përpara se ta vrisnin, Zakaria pati një shërbesë të gjatë. Ai tha se mesazhin e parë profetik (Zakaria 1–6) e kishte dhënë në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, pra, rreth vitit 520 para Krishtit. Serinë e dytë të mesazheve profetike (Zakaria 7–8), ai tha se e kishte dhënë dy vjet më pas, në vitin e katërt të Darit (518 para Krishtit). Kapitujt 9–14 nuk datohen, por përmendja e Greqisë (Zakaria 9:13) na lë të mendojmë se bëhet fjalë për një datë të vonshme, me shumë gjasë mes viteve 480-470 para Krishtit. Kështu që Zakaria profetizoi për rreth pesëdhjetë vjet gjithsej.
2. Gjëja e dytë që duhet ditur rreth librit të Zakarias ka të bëjë me mesazhin e tij.
Skllavëria babilonase kishte përfunduar, por populli nuk po përjetonte begatinë apo bekimet e shumëpritura. Ata ballafaqoheshin me kundërshtimin e samaritanëve, shkretimin e tokës, punë të rënda dhe vuajtje. Situata dukej e pashpresë, madje dukej sikur vetë Zoti i kishte harruar. Emri i Zakarias do të thotë “Zoti kujton” dhe vetëm të dëgjuarit e këtij emri duhet t’i ketë kujtuar popullit se Zoti nuk i kishte harruar.
Tema kryesore e predikimit të Zakarias ishte shpresa në qëllimet e pandryshueshme të Perëndisë. Shpresa është perspektiva e ardhshme e besimit. Ashtu si çdo besim i vërtetë, edhe shpresa është objektive, dhe objekti me të cilin është e lidhur, përcakton edhe vlerën e saj. Shpresa nuk është një dëshirë nguruese, e paqëndrueshme dhe e lidhur me fatin. Përkundrazi, është pritshmëria besimplotë se premtimet e Perëndisë nuk mund të jenë veçse të vërteta. Vështrimi i përqendruar te Perëndia është e fshehta e shpresës, kështu që Zakaria i drejton njerëzit për tek Perëndia, fuqia e Tij, pushteti i Tij, te besnikëria e besëlidhjes së Tij dhe Krishti i Tij.
Duke pasur parasysh fokusin te kjo shpresë, nuk është për t’u habitur që Zakaria renditet ndër librat mesianikë më të shquar e më të qartë të mbarë Besëlidhjes së Vjetër. Përqendrimi te qëllimi shpengues i Perëndisë për zhbërjen e mallkimit në Krishtin dhe përmes Tij qe një element kyç për të nxitur dhe rigjallëruar shpresën e një populli, i cili në shumë mënyra kishte hequr dorë nga shpresa për shkak të shkurajimeve të atyre ditëve. Ta shihje Krishtin ishte njëlloj sikur të shihje bërthamën e premtimit të Perëndisë dhe të kishe siguri për çdo fjalë tjetër, sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë “po” dhe “amen” në Krishtin (II Korintasve 1:20).
Teksa Zakaria na e tërheq vëmendjen te Krishti që po vjen, ajo që bie në sy është vëmendja që u kushtohet funksioneve ndërmjetësuese të Krishtit si Profeti, Prifti dhe Mbreti ideal. Ofiqi i Tij profetik, si përfaqësuesi i Perëndisë, shfaqet qartë te Zakaria 13:7, ku ZOTI i Ushtrive e emërton Mesian si “Bariu Im” dhe si njeriun e fuqishëm që është i barabartë me Të, të cilin Ai Vetë e godet. Mateu 26:31 e lidh këtë drejtpërdrejt me Krishtin dhe me kryqin. Po ashtu, heq një vijë paralele me shtjellimin që Krishti i bën Bariut të Mirë, ku Ai shpall se e jep jetën për delet, dhe se Ai dhe Ati janë një (Gjoni 10:30). Shërbesa priftërore shprehet qartë në titullin e veçantë mesianik, “Filizi”, që gjendet te Zakaria 3:8 dhe Zakaria 6:12 në analogji me Jozueun, kryepriftin. Veç kësaj, tërë vegimi i Jozueut që qëndron përpara gjyqit të qiellit, është tablo e bukur e asaj se si Perëndia i fal dhe i drejtëson mëkatarët: nevoja për drejtësim është e madhe, vepra e drejtësimit është e hirshme, themeli i drejtësimit (Filizi) është i qëndrueshëm dhe nevoja për drejtësim është logjike. Statusi mbretëror i Krishtit shihet te Zakaria 10:4 (guri i qoshes, kunji, harku i betejës dhe sunduesi absolut) dhe Zakaria 9:9, profecia, pra, që u përmbush kaq qartë të Dielën e Palmave. Aspektet e sundimit mbretëror të lidhura me ardhjen e dytë të Krishtit janë po ashtu pjesë e shpresës (Zakaria 14). Nuk do ta tepronim aspak po ta emërtonim këtë profeci si “Ungjilli sipas Zakarias”.
3. Gjëja e tretë që duhet ditur rreth librit të Zakarias ka të bëjë me metodën e tij.
Zakaria 1:1 thotë se fjala e Zotit iu drejtua Zakarias. Një nga mënyrat se si vinte fjala ishte përmes vegimeve. Gjashtë kapitujt e parë regjistrojnë një varg vegimesh që japin një pamje panoramike të qëllimit të Perëndisë për popullin e Tij nga rrethanat e menjëhershme të ditës e deri te përmbushja përfundimtare.
Përveç mesazheve që na janë zbuluar, Zakaria është një libër studimor se si Perëndia e shpall fjalën e Tij përmes vegimeve. Së pari, vegimet janë personale dhe të brendshme. Vetëm profeti mund t’i shohë ato. Së dyti, marrësi i vegimit është një pjesëmarrës aktiv. Zakaria bashkëbisedoi me engjëllin interpretues, i cili e udhëzoi atë për kuptimin e vegimit. Së treti, vegimet ishin tej mase simbolike. Kuajt me ngjyra të ndryshme, katër kovaçët, shandanët dhe pemët e ullirit, rrotullat fluturuese dhe qerret luftarake të mbushura me kuaj ishin që të gjitha vegime që flisnin për njëfarë realiteti frymëror.
Një tipar tjetër i metodës së Zakarias është toni i tij apokaliptik, një lloj parashikimi që trajtonte të ardhmen e largët, përfshirë këtu përmbushjen përfundimtare. Për pasojë, mesazhi i Zakarias shkon përtej Izraelit pas mërgimit. Ai e siguron kishën se Perëndia është në kontroll dhe se gjithçka shërben për të përmbushur planin dhe qëllimin e përjetshëm të Perëndisë.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-zechariah
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025

