Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Titit

Gusht 2025


 Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Lee Gatiss

Letra drejtuar Titit është një prej Letrave Baritore, një term ky i shpikur në shek. XVIII për Letrën e Parë dhe të Dytë drejtuar Timoteut, si dhe Letrën drejtuar Titit, për shkak se ato janë letra që Apostulli Pal ua drejton bashkëpastorëve të vet. Më poshtë renditen tri gjëra të rëndësishme për t’u pasur parasysh teksa e lexoni këtë letër.

1. Letra drejtuar Titit flet për të vërtetën që çon në perëndishmëri.

Në fillim të letrës që i drejton Titit, Pali thotë se ai është “apostull i Jezu Krishtit, për besimin e të zgjedhurve të Perëndisë dhe për njohjen e plotë të së vërtetës që është sipas përshpirtërisë” (Titit 1:1[1]). Theksi që vihet këtu mbi të vërtetën dhe perëndishmërinë (përshpirtërinë) vazhdon gjatë gjithë letrës: këto dy gjëra shkojnë përherë krah për krah me njëra-tjetrën.

Kur bën fjalë për ata lloj burrash që Titi duhet t’i caktojë si pleq të kishave të Kretës, Pali e bën shumë të qartë se ata duhet të jenë “të paqortueshëm” dhe se ata duhet t’i mbahen fort “fjalës së besueshme që është sipas mësimit” (Titit 1:6-9), ndërsa mësuesit e rremë, me të cilët po ndeshet Titi “pohojnë se e njohin Perëndinë, por me vepra e mohojnë” — gjë që tregon se ata e kanë gabim si me fjalë ashtu edhe me vepra, qoftë në mësime, qoftë në sjelljen e tyre (Titit 1:16).

Për t’iu kundërvënë kësaj, Titi duhet të flasë “ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë”, meqenëse i njëjti hir i Perëndisë, që ofron shpëtim për të gjithë, po ashtu na mëson që të mohojmë “papërshpirtërinë dhe dëshirimet e kësaj bote” (Titit 2:1, 11-12). Në qoftë se ne nuk e kapim lidhjen mes të vërtetës dhe perëndishmërisë, kemi humbur pikën qendrore të kësaj letre.

2. Pali e thërret Jezusin “Perëndi”.

Te kapitulli 2, Pali thotë se të krishterët duhet të jetojnë “maturisht dhe drejtësisht, dhe përshpirtërisht në epokën e tanishme, duke pritur shpresën e lume dhe dukjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe Shpëtimtar tonit, Jezu Krishtit” (Titit 2:12-13). Çfarë mund të humbasim lehtësisht në këtë pasazh, është fakti që Jezusi emërtohet si “i madhi Perëndi… i yni”.

Natyrisht, falë pjesëve të tjera të Biblës, e dimë se Jezusi është Perëndi. Të Tijat vepra dhe fjalë, përmbushja e profecive prej Tij dhe mënyra se si flet Dhiata e Re për Të, dëshmojnë se Ai është i tillë. Një nga dogmat qendrore të Besores së Nikesë thotë se Jezusi është “Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë”. Ama, nuk ka shumë vende në Dhiatën e Re ku kjo gjë shpallet me kaq guxim sa te Titit 2. A ju kujtohet ndonjë pasazh tjetër? Gjoni 1:1 është shembull i mirënjohur: “Fjala ishte Perëndi.” Pali po ashtu flet te Romakëve 9:5 për Krishtin, “ai që është mbi të gjitha gjërat Perëndi i bekuar në shekuj”.

Ky emërtim i jashtëzakonshëm ka në sfond të tij pritjen e lavdisë së Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, që do të shfaqet kur Ai të kthehet. Kjo është shpresa jonë e madhe. Vini re se Pali e vë në dukje këtë fakt, duke na kujtuar njëkohësisht se Perëndia dhe Shpëtimtari që do të shfaqet, është i njëjti që “e dha vetveten për ne, me qëllim që të na shpengonte nga çdo paligjshmëri dhe të pastronte për veten e vet një popull të veçantë” (Titit 2:14). Domethënë, emërtimi që Pali i bën Jezusit si Perëndi është në shërbim të vijës melodike të kësaj letre — thirrjes së tij për të kujtuar të vërtetën që çon në perëndishmëri.

3. Pali na tregon se t’i trajtojmë heretikët.

Titit i thuhet që të shmangë “rragatjet e marra” me mësuesit e rremë në Kretë, “sepse janë të padobishme dhe të kota” (Titit 3:9-10). Ai duhet të ishte i aftë të hidhte poshtë argumentet e tyre dhe t’ua mbyllte gojën atyre kur të mundej, madje t’i qortonte ashpër nëse ishte e nevojshme (Titit 1:9, 11, 13). Mirëpo, vjen koha kur ata që kanë trazuar familje të tëra dhe kanë prishur shumë shtëpi me mësimet e tyre, duhet të demaskohen si përçarës dhe në mënyrë kategorike të merresh me ta.

Fjala që Pali përdor për “njeriun sektar” te Titit 3:10 është hairetikos, nga e cila me kalimin e kohës doli fjala heretik. Fjala “heretik” ka një kuptim disi të ndryshëm në anglishten apo shqipen bashkëkohore, në krahasim me fjalën origjinale në greqishten e lashtë. Te Letra drejtuar Titit kjo fjalë nuk ka medoemos kuptimin e dikujt që predikon një herezi apo doktrinë të rreme të caktuar, por me dikë që nis apo nxit krijimin e tarafeve, megjithëse ka gjasë që e bën këtë përmes mësimeve heterodokse (heretike) dhe spekulimeve të kota.

Vlen të vihet re se te Titit 3 njeriut sektar i jepet një paralajmërim dhe nuk përjashtohet menjëherë. Ashtu siç thuhet te Juda 1:22-23, duhet bërë një përpjekje për të pasur mëshirë dhe për t’i shpëtuar njerëzit si prej zjarrit, duke i paralajmëruar ata fillimisht si vëllezër përpara se t’i trajtojmë ata ndryshe (shih gjithashtu II Selanikasve 3:15). Përkufizimet klasike të herezisë kanë të bëjnë me konceptin që një njeri duket përkufizuar si heretik sektar, dhe për pasojë duhet t’i shmangemi atij apo asaj nëse ata ngulmojnë në mësimin e tyre të rremë pasi u kemi dhënë mësime të ngjyera me lutje dhe kohë për pendim (një pendim për të cilin shpresohet te II Timoteut 2:25-26).

Pohimi thelbësor që shquhet në këto pasazhe, është se uniteti i kishës kërcënohet prej njerëzve sektarë që mësojnë doktrinë të prishur (domethënë të pashëndetshme). Kjo është arsyeja përse ne, të shtyrë nga shqetësimi i duhur për unitetin e kishës, duhet të “rrimë larg nga ata” (Romakëve 16:17). Janë pikërisht ata që i shkaktojnë problemet dhe që duhen shmangur (shih Juda 19).

Në komentarin e tij rreth Titit 3, Tomas Akuini (1225-1274) thotë se “në qoftë se një person nuk beson se Perëndia është trini dhe një, apo që kurvërimi nuk është mëkat, ai duhet shpallur heretik”. Këta dy shembuj herezie e përmbledhin mirë e bukur theksin që vihet te letra e Palit, duke na treguar se si teologjia dhe etika, e vërteta dhe perëndishmëria, shkojnë krah për krah.

 ___________________________

[1] Vargjet biblike janë marrë nga versioni BiblaPRO, të cilin e gjeni tashmë si aplikacion.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-titus

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Jobit