tri gjëra që duhet t’i dini rreth sofonisë

Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet t’i dini rreth…

William Wood

Sofonia është një libër tej mase i sofistikuar, i mbushur me kthesa të ndërlikuara, poezi të mrekullueshme, premtime të thella dhe paralajmërime të ashpra. Duke qenë se ai profetizoi nga fundi i Mbretërisë së Jugut, mesazhi i Sofonisë është kryesisht një mesazh gjykimi, të cilin Zoti do ta realizonte fillimisht në lidhje me Judën përmes mërgimit (Sofonia 1:4-6), por edhe në mënyrë më të gjithmbarshme në lidhje me gjithë njerëzimin në ditën e fundit (Sofonia 1:2-3), çka përbën edhe shumicën e librit (Sofonia 1:2–3:8). Mirëpo, megjithëse Sofonia përqendrohet te gjykimi, në thelb ai e nxit lexuesin që të shpresojë në premtimet e Perëndisë për shpengimin e popullit të Tij (Sofonia 3:9-20). Tri gjëra na ndihmojnë që ta kuptojmë më mirë mënyrën se si Sofonia e përshkruan mesazhin e vet profetik të gjykimit dhe shpresës.

1. Sofonia është i tejmbushur me aluzione lidhur me librat e mëparshëm të Besëlidhjes së Vjetër.

Këshilla më e mirë që mund t’ju jap, nëse doni ta kuptoni Sofoninë, është që ta njihni Biblën sa më mirë. Shërbesa profetike e Sofonisë është e mbushur me përmendje të tërthorta të librave të mëparshëm të Besëlidhjes së Vjetër që na ofrojnë edhe kyçin për ta kuptuar mesazhin e tij. Më poshtë jepen disa shembuj për ta ilustruar këtë koncept:

 

  • Te Sofonia 1:2-3 shohim përmbysjen e Zanafillës 1, sepse Sofonia e përmend krijimin sipas një radhe të përmbysur si një imazh gjykimi dhe shkatërrimi. Ndërkohë që Zanafilla 1 e paraqet prejardhjen e të gjitha gjërave në veprën krijuese të Perëndisë, Sofonia profetizon rreth “zhdukjes” së gjithmbarshme të të gjitha gjërave si pasojë e gjykimit. Teksa e hedh fjalën te Zanafilla 1, profeti po ashtu mbështetet tek ajo në fjalët e fundit që thotë për sa i përket zhdukjes së “shkaqeve të mëkatit (d.m.th, idhujve) dhe të pabesëve”. Gjykimin e sjell pikërisht njeriu që jepet pas idhujtarisë së ligë.
  • Te Sofonia 1:9, flitet për ndëshkimin e Perëndisë mbi ata që “hidhen mbi prag”. Këtu, Sofonia e ka fjalën për adhurimin e filistinëve në tempullin e Dagonit (1 i Samuelit 5:5) dhe e përshkruan popullin e Perëndisë sikur e adhuron Atë në mënyrë të ngjashme, duke e ndërthurur adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë me praktika pagane. Ky aluzion jo vetëm që na e bën të qartë se adhurimi sinkretist i Izraelit është arsyeja për gjykimin e Perëndisë, por edhe e identifikon “shtëpinë e zotërve të tyre”, që përmendet në vijim, si tempullin që është mbushur me “dhunë e mashtrim” përmes adhurimit të rremë.
  • Te Sofonia 2:15, Asiria thotë: “Unë, dhe askush tjetër veç meje”, fjali e cila vjen nga refreni që gjendet te Isaia 40–48, ku thuhet se Perëndia është Ai që “është” dhe “askush tjetër nuk është si Ai” (shih Isaia 44:6; 45:5, 6, 14, 18, 21; 46:9). Mëkati i Asirisë është vetëlartësimi blasfemues dhe arrogant, në saje të të cilit ata e identifikojnë veten me Perëndinë.
  • Te Sofonia 2:4-15, një pjesë e mirë e “orakullit kundër popujve” të Sofonisë ndjek tabelën e kombeve të Zanafillës 10.
  • Te Sofonia 3:9-12, shpengimi është përmbysja e Babelit (Zanafilla 11:1-9).
  • Të gjitha këto aluzione, të cilave mund t’i shtojmë edhe shumë të tjera, tregojnë se Sofonia është i tejmbushur me pasazhe të tjera të Besëlidhjes së Vjetër.

2. Dita e Zotit është një ditë gjykimi dhe rivendosjeje.

Një nga temat më të rëndësishme te Sofonia është “dita e ZOTIT”, një frazë që gjendet gjashtëmbëdhjetë herë në Besëlidhjen e Vjetër, tri prej të cilave te Sofonia (Sofonia 1:7, 14). Janë edhe terma të tjerë që e çojnë lexuesin drejt gjuhës së qartë rreth “ditës së ZOTIT”, sikurse terma të tillë si “dita” (njëzet herë), “në atë kohë” (katër herë), ose më thjesht me “atëherë” (dy herë), çka përbën një total prej njëzet e nëntë rastesh kur përmendet shprehimisht dita e ZOTIT. Dijetarët e kanë pyetur veten për shumë kohë se çfarë është dita e ZOTIT      , dhe teoritë kryesore që kanë lindur për ta shpjeguar këtë term, thonë se bëhet fjalë për një ditë riti fetar, lufte të shenjtë, teofanie, besëlidhjeje, apo për një ndërthurje të këtyre elementeve.

Sofonia i shton material këtij diskutimi duke na transmetuar një koncept më të thjeshtë të kësaj “dite”. Edhe pse secili prej tipareve të këtyre teorive gjendet te Sofonia, ai faktikisht e shpreh këtë koncept si realitetin themelor të ardhjes së Perëndisë. Dita e ZOTIT te Sofonia është dita kur Perëndia i qiellit ngrihet nga tempulli i Tij qiellor duke përdorur tema fetare (Sofonia 1:7, 9), vjen si një luftëtar hyjnor në krye të ushtrive të Tij qiellore (Sofonia 1:7, 14, 16), i vë në zbatim mallkimet dhe bekimet e besëlidhjes (Sofonia 1:13, 18; 3:19-20), si dhe afrohet në lavdi teofanike (Sofonia 1:15). Thënë thjesht, dita e ZOTIT është dita e ardhjes së Tij. Është shpresa e bekuar për ata që kanë besim teksa i ngjiten malit të Perëndisë (Sofonia 3:11), ku do të banojnë të sigurt përjetësisht (Sofonia 3:9-20), por nga ana tjetër është dita e tmerrshme e zemërimit për të ligjtë (Sofonia 1:2-18, 2:4–3:8).

3. Përulësia dhe krenaria janë temat kryesore.

Së fundi, tema e ditës së ZOTIT te Sofonia ndërthuret me konceptin kyç teologjik të tij lidhur me këmbimin e fateve të krenarëve dhe të përulurve. Vetëlartësimi krenar është arsyeja kryesore për gjykimin e ditës së ZOTIT. Pasi ka shpallur mallkimet kundër Moabit si kundërpërgjigje ndaj talljeve të tyre mburravece të popullit të Perëndisë, Sofonia shprehet qartë:

Kjo do t’u ndodhë për shkak të kryelartësisë së tyre,

sepse kanë fyer dhe trajtuar me arrogancë

popullin e ZOTIT të ushtrive. (Sofonia 2:10)

Krenarët janë ata që do të largohen nga kodra e shenjtë e Zotit (Sofonia 3:11). Jo vetëm që krenarët janë vetëlartësues, por krenaria e tyre i çon në vetëlavdërim blasfemues e mburracak. Kombi i Asirisë përshkruhet si “qyteti i ngazëllimit”, i cili merr mbi vete atë refrenin e lartpërmendur të Isaisë 40–48 për sa i përket Perëndisë, pra, thotë: “Unë, dhe askush tjetër veç meje” (Sofonia 2:15). Vetëlartësimi krenar e shfaq veten në vetëlavdërim blasfemues. Mirëpo, në ditën e ZOTIT, ata që e lartësojnë dhe që e lavdërojnë veten do të përfundojnë shumë poshtë.

Për pasojë, shpengimi te Sofonia është lartësimi i të përulurve që ngazëllejnë në Zotin. Kalimi nga gjykimi te shpëtimi, i cili ndodh te Sofonia 3:9 ka të bëjë me mbledhjen e besimtarëve nga të gjitha kombet, të cilët Sofonia i përshkruan si një “popull të përulur e të varfër” (Sofonia 3:12). Ata nuk e lartësojnë veten, por “thërrasin emrin e ZOTIT” për shpëtimin e tyre (Sofonia 3:9). Të përulurit nuk vetëlartësohen, por adhurojnë Zotin dhe lartësohen në Të (Sofonia 3:14). Veç kësaj, si një tablo e mrekullueshme e dashurisë së Perëndisë dhe lartësimit që i bën të përulurve, Zoti gëzohet me britma gëzimi për të përulurit te Sofonia 3:17!

Ndonëse për njëfarë kohe populli i Perëndisë mund të përshkruhet si “çalaman” apo “i dëbuar” (Sofonia 3:19), një popull ndaj të cilit kombet mburren (Sofonia 2:8) dhe e turpërojnë (Sofonia 3:19), Perëndia premton se Ai do ta lartësojë të përulurin dhe se atë “do ta bëjë të lavdishëm dhe të dëgjuar në të gjitha vendet ku ka qenë me turp” (Sofonia 3:19, 20). Faktikisht nxitja kyçe gjendet te Sofonia 2:3 ku profeti na bën thirrje: “Kërkoni drejtësinë; kërkoni përulësinë”, thirrje e cila është në një mënyrë të gjithmbarshme thirrja për të “kërkuar ZOTIN”.

Për ta përmbledhur, mund të themi se mesazhi teologjik i Sofonisë, i përshkruar përmes lidhjeve të shumëfishta me pasazhet e tjera të Besëlidhjes së Vjetër, është se në ditën e Zotit, “cilido që do ta lartësojë vetveten, do të përulet; dhe cilido që do ta përulë vetveten, do të lartësohet” (Mateu 23:12).

Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-zephaniah

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?