Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Psalmeve

Gusht 2025


 Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Ian Hamilton

Libri i Psalmeve ishte libri i këngëve që përdorte Zoti Jezu Krisht çdo shabat. Në kishën e sotme librat e këngëve i kemi me shumicë e të llojllojshëm, ndërsa në kohën e Jezusit kishte vetëm një të tillë: 150 këngët që gjenden te Psalteri. Sa thellë e njohim librin e këngëve të Shpëtimtarit?

1. Libri i Psalmeve u shkrua gjatë një periudhe prej njëmijë vjetësh.

Psalmi 90, një psalm i Moisiut, me shumë gjasë ishte psalmi më i hershëm, i shkruar rreth vitit 1500 para Krishtit. Vështirë të thuhet se kur u hartua psalmi i fundit, por Psalmi 126 që fillon me fjalët: “Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr”, me shumë gjasë flet për kthimin e Izraelit nga robëria në vitin 537 para Krishtit.

2. Rreth 40 % e psalmeve janë vajtime.

59 psalme nga 150 në total janë vajtime, apo këngë të hartuara nisur nga një gjendje e ulët teologjike dhe frymërore. Ka edhe psalme që shpërthejnë nga gëzimi dhe hareja, sikurse Psalmi 47. Po përse vallë kemi kaq vajtime? Jeta e besimit, qoftë kjo vetjake apo kolektive, jetohet në një botë të rënë, ku hasim kundërshtimin e mishit, të botës dhe të djallit. Jezusi u tha dishepujve të Vet: “Në botë do të keni mundim” (Gjoni 16:33). Psalmet i japin mundësi zemrës të shprehë luftën e brendshme, brengat, lodhjen, çastet e hutimit dhe dështimet që e karakterizojnë jetën e përditshme të çdo besimtari. Pa mendoni pak rreth këtyre fjalëve nga Psalmi 44:

                                                                      Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë

                                                                      dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)

                                                                      Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp

                                                                      dhe nuk del më me ushtritë tona.

                                                                      Ti ke bërë që të kthejmë kurrizin përpara armikut

                                                                      dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.

                                                                      Ti na ke dhënë si dele për therje

                                                                      dhe na ke shpërndarë midis kombeve. (Psalmi 44:8-11)

Jezusi duhet t’i ketë kënduar këto fjalë teksa qëndronte përpara Atit duke përfaqësuar popullin e Tij. Ose mendoni pak rreth këtyre fjalëve të marra nga Psalmi 51, këngë pendimi e mbretit David pas tragjedisë së mëkatit të tij me Bathshebën:

                                                                      Ki mëshirë për mua, o Perëndi,

                                                                      sipas mirësisë sate;

                                                                      për dhembshurinë e madhe që ke,

                                                                      fshiji të ligat që kam bërë.

                                                                      Më pastro tërësisht nga paudhësia ime

                                                                      dhe më pastro nga mëkati im.


                                                                      Sepse i pranoj të ligat që kam bërë

                                                                      dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. (Psalmi 51:1-3)

Vajtimet e shumta të Psalmeve i aftësojnë besimtarët që janë zhytur thellë apo që po kalojnë sprova nga më të ndryshmet që të shprehin nëpërmjet fjalëve të frymëzuara nga Fryma e Shenjtë vuajtjet dhe brengat e zemrave të tyre. Vajtimet e shumta janë terapi frymërore që ndihmojnë për të qetësuar edhe ribaraspeshuar zemrat e shqetësuara të fëmijëve të Perëndisë.

3. Psalmet janë që të gjitha rreth Jezu Krishtit, Mesisë-Mbret të premtuar prej Perëndisë.

Shumë të krishterë janë të aftë që të vënë në dukje që psalmet flasin qartë për Mesinë-Mbret të premtuar prej Perëndisë. Pa mendoni pak rreth Psalmit 2: “Ai [Zoti] më ka thënë: ‘Ti je biri im, sot më linde’”, apo Psalmit 41: “Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij” (cituar nga Jezusi te Gjoni 13:18). Mirëpo, Psalmet japin një dëshmi më të gjerë e më madhështore rreth Jezusit sesa një varg aty-këtu.

Teksa hija e kryqit filloi të zgjaste hije terri mbi shpirtin njerëzor të Jezusit, Ai u shtroi këtë pyetje krerëve fetarë, të cilët po komplotonin për ta vrarë:

                                    Çfarë mendoni ju rreth Krishtit? Bir i kujt është? Ata i thanë: “I Davidit”.

                                    Ai u tha: “Si, pra, Davidi, në Frymë e thërret atë Zot, duke thënë:

                                   ‘I tha Zoti Zotit tim:

                                    Ulu në të djathtën time,

                                    derisa t’i vë armiqtë e tu poshtë këmbëve të tua’?

                                    Nëse, pra, Davidi e thërret atë Zot, si është bir i tij?”.

                                    (Mateu 22:41-44, duke cituar Psalmin 110:1)

Dëshmia e Psalmeve për Jezusin ishte në qendër të mendimeve të Tij teksa qëndronte i gozhduar në kryq, duke mbartur dënimin e drejtë që meritonte mëkati ynë, dhe teksa thoshte këto fjalë: “O Perëndia im, o Perëndia im, përse më braktise?” (Mateu 27:46, duke cituar Psalmin 22:1).

Pa mendoni pak për fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve të Vet pas ringjalljes: “Dhe u tha atyre: ‘Këto janë fjalët e mia, të cilat jua fola juve kur isha ende bashkë me ju: se duhet të përmbushen të gjitha ato që janë shkruar në Ligjin e Moisiut dhe në Profetët, dhe në Psalmet, lidhur me mua’. Atëherë ua hapi mendjen që të kuptonin Shkrimet” (Luka 24:44-45).

Psalmet në tërësi flasin për Mesian-Mbret të premtuar prej Perëndisë. Ai është “i lumi njeri” që mishëron jetën e drejtë të përshkruar nga Psalmi 1. Ai është Mbreti, armiqtë e të cilit bëhen stoli i këmbëve të Tij (Psalmet 2; 110:1). Ai është vuajtësi i drejtë që simbolizon besimin në Zotin (Psalmi 22).

Psalmet e përshkruajnë jetën e besimit me ndershmëri përcëlluese. Ato na kujtojnë në mënyrë domethënëse se modeli i vdekjes dhe i ringjalljes, që qe gdhendur në të shenjtën anë njerëzore të Zotit Jezu Krisht, është modeli që Fryma e Shenjtë përpiqet të përsërisë në jetët e të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Libri i Psalmeve është një libër këngësh hyjnisht i frymëzuar, i cili pasqyron uljet dhe ngritjet, tragjeditë dhe ngadhënjimet e popullit të besëlidhjes së Perëndisë gjatë një mijëvjeçari. Kalvini i përshkruante Psalmet si “anatomia e çdo pjese të shpirtit”. Le të këndojmë pjesë nga libri i këngëve të Shpëtimtarit, përndryshe rrezikojmë ta varfërojmë adhurimin tonë dhe ta privojmë veten nga përshpirtshmëria e pasur që përmbajnë të tijat këngë.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-psalms

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Titit
Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Jobit