Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet t’i dini rreth...
Ian Duguid
Përmes profetit Malakia, Zoti i tha shumë gjëra sfiduese popullit të Tij pas mërgimit. Libri i Malakias është hartuar në formën e shtatë debateve profetike, të cilat fillojnë me shprehje të hidhura nga njerëzit dhe me përgjigjen që i jep Perëndia secilës. Shumë prej këtyre orakujve janë qortime hetuese të qëndrimeve dhe veprimeve të bashkëkohësve të Malakias. Megjithatë, përpara se Zoti ta qortojë popullin, Ai nis duke pohuar dashurinë e Tij zgjedhëse për ta, e cila është edhe arsyeja se përse ata vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas gjykimit të mërgimit. Përpara se të thotë: “Kjo është ajo që Unë kam kundër jush”, Zoti më së pari shpall: “Unë ju kam dashur” (Malakia 1:2).
1. Malakia zbulon se dashuria zgjedhëse e Perëndisë është përherë pikënisja.
Njerëzit u përgjigjën me një kundërpyetje: “Si na ke dashur?” (Malakia 1:2). Kjo është një pyetje, së cilës Zoti i jep një përgjigje të habitshme. Mbase prisnim që Zoti t’u kishte folur atyre për daljen nga Egjipti dhe pushtimin e tokës së Kanaanit, ku Ai kreu mrekulli të fuqishme për ta mbrojtur popullin e Tij dhe për t’u dhënë atyre një trashëgimi. Përkundrazi, Zoti e çon Izraelin edhe më pas në kohë, pra, në zgjedhjen e paraardhësit të tyre, Jakobit, si dhe në veprimin e kundërt, në refuzimin e vëllait të këtij të fundit, Esaut (Malakia 1:3). Kjo dashuri tërësisht e pamerituar është arsyeja se përse ekziston ende Izraeli pas shkatërrimit të Jerusalemit dhe shpërnguljes të realizuar prej babilonasve. Izraeli kishte vuajtur për mëkatet e veta, por megjithatë ishte rivendosur për shkak të dashurisë së madhe të Perëndisë. Edomi, pra, pasardhësit e Esaut, ia doli t’i mbijetonte sundimit babilonas pa pësuar ndonjë dëm të madh, për shkak se i ndihmoi babilonasit (shih Abdia 1:10-14). Mirëpo, rehatia e atëhershme e Edomit do të shkatërrohej shpejt dhe rënia e tij do të ishte e plotë dhe përfundimtare (Malakia 1:4-5). Populli i zgjedhur i Perëndisë mund të pengohet në mëkatet e tij, por nuk do të bjerë asnjëherë plotësisht, sepse, i nxitur nga dashuria, Zoti nuk i lë të bien (shih Psalmi 37:23-24).
2. Malakia demonstron se njerëzit tundohen që të bien pre e cinizmit sa herë që jeta bëhet e vështirë.
Në librin e Malakias, përgjigjet e njerëzve ndaj Zotit janë thellësisht cinike nga e para tek e fundit. Fillimisht, ata e injorojnë shpalljen e dashurisë së Zotit ndaj tyre (Malakia 1:2). Në fund, ata shpallin se bindja ndaj Zotit është e pavlerë, meqë keqbërësit kanë mbarësi dhe arrogantët janë të bekuar (Malakia 3:15). Ku është drejtësia e supozuar e Perëndisë (Malakia 2:17)? Ky qëndrim cinik ndaj Zotit shfaqet në adhurimin me gjysmë zemre të popullit (Malakia 1:12-13), pabesinë e tyre ndaj grave izraelite me të cilat ishin martuar (Malakia 2:14-16), si dhe në dhënien e tyre kurnace (Malakia 3:8-9). Madje edhe priftërinjtë ishin infektuar nga i njëjti qëndrim (Malakia 2:1-9), duke i lejuar njerëzit që të ofronin flijime me të meta dhe duke dhënë vendime gjyqësore të anshme në këmbim të ryshfeteve (Malakia 2:9). Kohët e vështira shpesh mbarsin zemra të ftohta ndaj Perëndisë, qoftë atëherë, qoftë tani.
3. Malakia na tregon se Zoti i nderon ata që e nderojnë.
Jo gjithkush në kohën e Malakias e mbante këtë qëndrim cinik ndaj Zotit. Disa nga populli ende e kishin frikë Zotin, dhe Zoti e pa këtë qëndrim, dhe i ruajti ata si të Tijin “thesar të veçantë”, (segullah; Malakia 3:17), e njëjta fjalë që përdoret për ta përshkruar Izraelin tek Eksodi 19:6. Zoti do të shfaqet shpejt në tempullin e Tij për të sjellë drejtësinë, të cilën me sa duket njerëzit e prisnin me padurim (Malakia 3:1-2). Ai do t’i ndajë të drejtët nga të ligjtë një herë e përgjithmonë, dhe ata që kanë frikë nga Zoti, do të shpallen si populli i Tij i vërtetë, ndërsa të ligjtë do të gjykohen dhe do të shkatërrohen (Malakia 4:1-3). Ndërkaq, mbetja besnike duhet të kujtojë ligjin e Moisiut, standardin e Perëndisë për një jetë të shenjtë dhe duhet të mbetet në pritje të ardhjes së Elias së ri, profetit tipik, që do ta thërriste popullin e Perëndisë në pendim (Malakia 4:4-6). Ata që nuk i përgjigjeshin mesazhit të tij, do të ballafaqoheshin me mallkimin e gjykimit (herem; Malakia 4:6).
Mirëpo, duke pasur parasysh se të gjithë jemi mëkatarë që dështojmë në zbatimin e ligjit të Moisiut, ashtu siç e vë në dukje Pali te Romakëve 3, si mund të dallojë Perëndia mes të drejtëve dhe të padrejtëve gjatë gjykimit përfundimtar pa na dënuar të gjithëve? Si mund ta shpëtojë Zoti Jakobin e padrejtë, të cilin e do dhe e ka zgjedhur? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje gjendet në Beëlidhjen e Re, për të cilën profecia e Malakias na përgatit në mënyrë të përsosur.
Te Luka 1:17, Gjon Pagëzori u identifikua që përpara lindjes si Elia që do t’i paraprinte Jezu Krishtit në ardhjen e Tij të parë. Është interesant fakti që mesazhi i engjëllit përqendrohet ekskluzivisht në anën pozitive të profecisë së Malakias, duke shpallur: “Dhe ai vetë do të shkojë përpara atij në frymë dhe fuqi të Elias, për të kthyer zemrat e etërve te fëmijët dhe të pabindurit në mençuri të të drejtëve, që t’i përgatisë Zotit një popull të bërë gati.” Mundësia e mallkimit të gjykimit nuk përmendet, sepse në ardhjen e Tij të parë Jezusi erdhi për të kërkuar dhe për të shpëtuar ata që kishin humbur (Mateu 1:21).
Majë Malit të Shndërrimit, Jezusi u takua si me Moisiun, ashtu edhe me Elian, dhe foli me ta rreth eksodit të Tij (exodon) nga Jerusalemi, përmes të cilit do t’i sillte shpengim popullit të Tij (Luka 9:31). Për ata që refuzojnë ta pranojnë Krishtin tani, pritet një tjetër ardhje kur Krishti do të kthehet si kalorësi mbi kalin e bardhë për të sjellë shkatërrimin mbi të papenduarit (Zbulesa 19:11-21). Mirëpo, për ata që kanë frikën e Zotit, frikë që shfaqet në besimin në Krishtin, ajo ditë do të jetë si rrezet e para të diellit pranveror, të cilat e ngrohin këndshëm lëkurën, dhe jo si një furrë e zjarrtë që djeg çdo gjë me të cilën bie në kontakt (Malakia 4:1-2).
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-malachi
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025

