tri gjëra që duhet t’i dini rreth këngës së këngëve

Shator 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Miles Van Pelt

Kënga e Këngëve është një vepër poetike urtësie sipas stilit të Salomonit (Kënga e Këngëve 1:1), e ngjashme me vepra të tilla si Predikuesi dhe Fjalët e Urta. Titulli i librit nga pikëpamja gramatikore në hebraisht (“Kënga e Këngëve”) faktikisht është në shkallën sipërore, pra, do të thotë “më e mira këngë” dhe si i tillë është i ngjashëm me tituj të tillë si “Mbreti i mbretërve” apo “Zoti i zotërve”. Ky emërtim në shkallën sipërore është tej mase mbresëlënës po ta kemi parasysh se Salomoni shkroi 1 005 këngë (1 i Mbretërve 4:32). Me sa duket, kjo është më e mira prej të gjithave, por kisha e ka pasur përherë të vështirë ta vlerësojë mesazhin e Këngëve për shkak të përmbajtjes së tyre intime dhe madje edhe seksuale. Ja ku keni tri gjëra për t’u ditur rreth këngës më të mirë të Salomonit.

1. Çelësi për ta kuptuar Këngën e Këngëve gjendet në fund të librit.

Ky tipar shfaqet edhe në veprat e tjera të urtësisë në Dhiatën e Vjetër. Për shembull, në fund të librit të Predikuesit, autori e vendos gjithë pjesën paraprijëse në këndvështrimin e duhur: “Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut’” (Predikuesi 12:13). Po kështu, me të lexuar kapitullin e fundit të Jobit, jemi gati që të kthehemi pas dhe të kuptojmë arsyen se përse ndodhi gjithçka. E njëjta metodë mësimdhënieje vlen edhe për Këngën e Këngëve.

Fjalia kyçe mësimdhënëse e Këngës gjendet tek Kënga e Këngëve 8:6–10. Si për ta përmbledhur, Kënga na mëson se besëlidhja e martesës duhet të përfshijë qoftë përkushtimin (Kënga e Këngëve 8:6a) qoftë intimitetin (Kënga e Këngëve 8:6b). Martesa që angazhohet për mirëmbajtjen e të dyja këtyre realiteteve do t’u bëjë më me sukses ballë vështirësive (Kënga e Këngëve 8:7a), do t’u rezistojë tundimeve (Kënga e Këngëve 8:7b), si dhe do të nxisë plotësinë (shalom-in) brenda kësaj marrëdhënieje (Kënga e Këngëve 8:10). Botës i pëlqen pjesa e intimitetit, por shpesh e hedh poshtë plotësinë e një përkushtimi të patundur. Nga ana tjetër, kisha me entuziazëm e afirmon përkushtimin e patundur gjatë gjithë jetës, por ka bërë shumë pak për ta promovuar të mirën e intimitetit seksual në kontekstin e marrëdhënies martesore sipas Zanafillës 2. Duhet t’i përkushtohemi promovimit të të dyjave njëherësh.

2. Kënga e Këngëve përshkruan qoftë martesën qoftë marrëdhënien e Perëndisë me popullin e Tij.

Kënga e Këngëve nuk bën fjalë vetëm për përkushtimin dhe intimitetin brenda martesës, por edhe për atë lloj marrëdhënieje që Zoti dëshiron të ketë me popullin e Tij. Mirëpo, nuk është një alegori fantastike që përshkruan marrëdhënien mes Jahvehut dhe Izraelit apo Jezusit dhe kishës. Është haptazi një këngë urtësie rreth përkushtimit dhe intimitetit brenda martesës. Mirëpo, Shkrimi i Shenjtë mëson se besëlidhja martesore e Zanafillës 2 ishte projektuar që të shërbente si paratregimi i martesës eskatologjike të Zanafillës 19–22.

Ky ishte thelbi i fjalëve të Palit në fund të Efesianëve 5 kur citon Zanafillën 2: “‘Për këtë arsye do të lërë njeriu atin dhe nënën dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë të dy një mish i vetëm.’ Ky mister është i madh, por unë e them për Krishtin dhe për kishën. Megjithatë, edhe ju, secili tek e tek, kështu ta dojë gruan e vet, si vetveten; dhe gruaja duhet që ta nderojë burrin” (Efesianëve 5:31–32). E gjithë mirësia që Perëndia ka krijuar në martesë do të zmadhohet dhe do të përsoset në qiejt e rinj dhe tokën e re. Përveç kësaj, do të zhduket gjithë hidhërimi dhe humbjet që në martesë shkaktohen prej mëkatit. Martesa është një temë e rëndësishme në Bibël. Madje mund të themi se ajo i jep formë Biblës nga fillimi në fund. Si e tillë, na e kujtoftë besëlidhja e martesës shpresën që na pret në fund të kohërave!

3. Kënga e Këngëve gëlon nga bollëku i gjuhës së figurshme letrare.

Poezia e shfrytëzon përdorimin artistik të gjuhës më tepër sesa narrativa apo proza standarde. Shprehjet e figurshme në një gjuhë tjetër dhe në një kulturë të lashtë mund të mos përkojnë saktësisht me kontekstin tonë gjuhësor e kulturor. Për shembull, nuk kam se si t’i bëj kompliment gruas sime duke i thënë: “Flokët e tu janë si një kope dhish” (Kënga e Këngëve 4:1), apo “Tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege” (Kënga e Këngëve 4:3). Te Kënga e Këngëve 4:2, lexojmë:

                                                                 Dhëmbët e tu janë si një kope delesh të qethura,

                                                                 që kthehen nga vendi i larjes;

                                                                 të gjitha kanë binjaket e veta

                                                                 dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë.

Nuk kam rastisur ta shoh ndonjëherë një ngjarje të tillë dhe as kam shumë përvojë me delet, kështu që më duhen ca përpjekje që të kuptoj se gruaja që përshkruhet në këtë varg i ka dhëmbët e bardha dhe nuk i mungon asnjë prej tyre. Pa shihni pak gjuhën e Këngës së Këngëve 4:11, ku gruaja përshkruhet si e dëshirueshme për të bërë dashuri. Thuhet kështu:

                                                                 Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë,

                                                                 mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde

                                                                 dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit.

Nektari, mjalti, qumështi dhe aroma e Libanit nuk i përkojnë përshkrimit tonë bashkëkohor të dëshirës, por mund t’i vlerësojmë këto mënyra të lashta shprehjeje, përderisa ato përkojnë me gjëra të tilla si vera e kuqe, parfumi apo petalet e trëndafilit në kontekstin tonë.

Kënga e Këngëve po ashtu përdor edhe metafora. Për shembull, lexojmë:

                                                                 Bijtë e nënës sime janë zemëruar me mua;

                                                                 më kanë caktuar të ruaj vreshtat,

                                                                 por vreshtin tim nuk e kam ruajtur. (Kënga e Këngëve 1:6).

Gruaja shpjegon se lëkura e saj është nxirë, ngaqë vëllezërit e detyruan që të punonte në vreshtin e familjes dhe për pasojë ajo nuk pati kohë që të kujdesej për vreshtin e vet, domethënë për trupin e saj. Kjo mënyrë shprehjeje përmes metaforave shfaqet sërish në fund të Këngës së Këngëve, ku vreshtat e Salomonit shfaqen së bashku me vreshtin e vetë gruas, i cili sërish është trupi i saj (Kënga e Këngëve 8:11).

Së fundi, Kënga e Këngëve përdor eufemizma për të fshehur aspekte që konsiderohen si delikate apo që duhen ruajtur prej një cipe turpi. Për shembull, i dashuri ftohet që “të hyjë në kopshtin e vet dhe të hajë frutat e zgjedhura” si një ftesë për intimitet seksual (Kënga e Këngëve 4:16). Po kështu, lexojmë: “Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj” (Kënga e Këngëve 7:8). Një eufemizëm shpesh i lënë pas dore shfaqet te kapitulli 3 ku flitet për gjashtëdhjetë luftëtarë rreth “shtratit” të Salomonit, për të cilët thuhet se “përdorin shpatën” (Kënga e Këngëve 3:8), por teksti hebraik faktikisht thotë kështu: “Janë kapur nga shpata.” Thënë ndryshe, ata ishin eunukë. Gjuha e figurshme te Kënga e Këngëve është një nga gjërat që e bën atë më të mirën e këngëve. Lexuesit do të shpërblehen, po qe se i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij aspekti të librit.


Botuar me leje:https://learn.ligonier.org/articles/3-things-song-of-Solomon

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?