Tetor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Sarah Ivill
Në ditët e sotme, shumë njerëz ndihen të tunduar që të heqin dorë nga lufta për të vërtetën absolute, besimi se Jezusi është e vetmja rrugë për në qiell, si dhe të pranojnë shumësinë e besimeve që gjenden anembanë botës si rrugë të vlefshme shpëtimi. Fatkeqësisht, kishat nuk kanë mbetur të paprekura prej këtyre mësimeve gjerësisht të përhapura, madje disa prej tyre kanë rënë përpara këtij presioni, duke ia kthyer kurrizin së vërtetës për të përqafuar gënjeshtrën. Letra e Judës, e cila ka shumë për të thënë rreth këtyre çështjeve, shpesh lihet pas dore. Mbase kjo ndodh për shkak se letra, megjithëse e shkurtër, është e tejmbushur me përmendje të tërthorta të vështira për t’u zbërthyer që mund të duken hutuese. Megjithatë, mesazhi i Judës është veçanërisht i nevojshëm sot, sepse i kujton “të thirrurve që janë të dashur në Perëndinë Atë dhe të ruajtur për Jezu Krishtin” (Juda 1) që të luftojnë për besimin dhe të ngulmojnë në besim.
Juda, autori i letrës me të njëjtin emër, qe vëllai i vogël i Jezusit dhe i Jakobit. Ky i fundit ishte një drejtues i rëndësishëm i kishës së hershme dhe autori i letrës me të njëjtin emër (Marku 6:1-6; Veprat e Apostujve 15:13-21; Galatasve 2:9; Jakobi 1:1). Veçantia është se Juda nuk ishte ndjekës i Jezusit gjatë jetës dhe shërbesës së këtij të fundit (Gjoni 7:5), por erdhi në besim pas ringjalljes së Jezusit (Veprat e Apostujve 1:12-14). Për shkak të ngjashmërisë në përmbajtje, Letra e Judës me shumë gjasë u shkrua pothuajse në të njëjtën kohë me Letrën e Dytë të Pjetrit, me shumë gjasë në mes të viteve 60 pas Krishtit.
Letra e Judës na zbulon se ai po i shkruante një kishe të caktuar apo një grupi kishash, në të cilat “hynë tinëzisht disa njerëz,… të papërshpirtshëm, që e ndërrojnë hirin e Perëndisë tonë në shthurje dhe që mohojnë të vetmin Sundimtar dhe Zot tonin, Jezu Krishtin” (Juda 4). Për shkak të shumë përmendjeve të tërthorta të Dhiatës së Vjetër dhe të literaturës judaike, lexuesit e Judës me shumë gjasë ishin të krishterë judenj, megjithëse disa studiues besojnë se këto përmendje të tërthorta kanë të bëjnë më shumë me përkatësinë etnike të Judës sesa me atë të lexuesve të tij.
Shumë i rëndësishëm është fakti që Juda e themeloi thirrjen e tij për veprim në dashurinë besëlidhëse të Perëndisë. Së pari, i tregon besimtarëve se kush janë në bazë të asaj se kush është Perëndia. Më pas, i bën thirrje besimtarëve që të luftojnë për besimin dhe të vazhdojnë në të. Juda i përqendron mendimet e lexuesve te lavdia, madhështia, sundimi dhe pushteti i Perëndisë trini, me qëllim që të jenë të pajisur për të luftuar për besimin e tyre dhe për të ngulmuar në të.
1. Besimtarët janë të thirrur nga Perëndia.
Juda ia drejton letrën “të thirrurve” (Juda 1). Kur Perëndia i thërret njerëzit te Vetja, sytë e tyre hapen “që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia” (Veprat e Apostujve 26:18). Të bashkuar me Krishtin prej besimit, besimtarët janë “të dashur në Perëndinë Atë” (Juda 1). Të zgjedhur në Krishtin “përpara themelimit të botës” (Efesianëve 1:4), ata janë “të ruajtur për Jezu Krishtin” (Juda 1). Ata që janë të thirrur nga Perëndia, po ashtu janë drejtësuar dhe përlëvduar prej Tij (Romakëve 8:30). Për pasojë, vetëm Perëndia “mund t’ju ruajë të papengueshëm dhe t’ju bëjë të qëndroni përballë lavdisë së tij të patëmetë me ngazëllim” (Juda 24).
2. Besimtarët duhet të luftojnë për besimin.
Juda “pati nevojën t’u shkruajë” besimtarëve të cilëve iu drejtua, për t’i nxitur ata që “të luftonin për besimin që iu përcoll një herë e përgjithmonë shenjtorëve” (Juda 3). Ai i kujton besimtarët se ata duhet të luftojnë për besimin që e konsiderojnë kaq të shtrenjtë, veçanërisht në mes të mësimeve të çoroditura të hirit, të cilat kanë hyrë fshehurazi në kishat e tyre. Për t’i nxitur që të luftonin për besimin, Juda i kujton lexuesit për gjykimin e Perëndisë, që bie mbi të pafetë, duke përdorur shembuj nga e kaluara për t’i paralajmëruar për gjykimin që do të bjerë mbi të pafetë në të ardhmen (Juda 5-16).
3. Besimtarët duhet të ngulmojnë në besim.
Për shkak se besimtarët mund të bëhen të pandjeshëm ndaj së vërtetës, ta pranojnë lehtësisht gabimin, ta shtrembërojnë hirin e vërtetë të Perëndisë, si dhe ta mohojnë Krishtin si Mësues dhe Zot, Juda u bën thirrje që të vazhdojnë: “duke ndërtuar veten mbi besimin tuaj tejet të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë, mbajeni veten në dashuri të Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetë të përjetshme” (Juda 20-21). Veç kësaj, besimtarët e fortë duhet të jenë të mëshirshëm me të dobëtit, dhe t’i ndihmojnë ata që t’i shmangen gabimit duke i kujtuar ata për të vërtetën (Juda 22-23).
Mbase sot keni hequr dorë nga lufta për besimin, duke pranuar heshtazi thirrjen e kulturës sonë për ta përqafuar shumësinë e besimeve. Apo mbase keni rrëshqitur nga besimi juaj në doktrinat kryesore të besimit, duke ndjekur një rrugë tjetër në vend të tyre. Mbase keni hequr dorë nga studimi i Shkrimit për shkak të një periudhe të vështirë në jetën tuaj dhe keni nevojë t’i ripërkushtoheni studimit të vazhdueshëm të Shkrimit të Shenjtë. Apo mbase ju nevojitet një përkujtim i freskët se mësimet e rreme depërtojnë edhe në kishat e sotme. Mbase keni nevojë të kujtoni se sa i madh është Perëndia trini në mes të një shoqërie të karakterizuar nga shumësia e besimeve. Sido që ta keni hallin, Juda ka një mesazh aktual për të gjithë ne. Ai na thërret që të luftojmë për besimin dhe të ngulmojmë në të, teksa na themelon në sigurinë e shpëtimit tonë dhe në madhështinë dhe përjetësinë e lavdisë, madhështisë, sundimit dhe pushtetit të Perëndisë.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-jude
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025