Gusht 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Anthony Selvaggio
1. Jobi është një libër i lashtë rreth një patriarku johebre.
Libri i Jobit gjendet në kanonin e Dhiatës së Vjetër mes Esterit dhe Psalmeve. Kjo renditje shpeshherë na bën që të nxjerrim përfundime të gabuara rreth asaj se kush ishte Jobi dhe kur jetoi ai.
Së pari, shumica e studiuesve bien dakord se Jobi nuk ishte izraelit. Ky përfundim rrjedh prej faktit që ai jetonte në tokën e Uzit dhe jo në tokën e Kanaanit (Jobi 1:1). Me shumë gjasë Jobi jetonte në tokën e Edomit, sepse Vajtimet e lidhin Edomin me Uzin (Vajtimet 4:21). Edhe pse Jobi nuk ishte izraelit, nuk kishte dyshim që ai adhuronte Perëndinë e Izraelit dhe i shërbente Atij. Fakti që Jobi jetonte jashtë Izraelit, mund të na lërë të kuptojmë se urtësia e librit të Jobit, njëlloj si ajo e Fjalëve të Urta, është universale për nga natyra dhe flet për gjëra (të tilla si vuajtja), me të cilat ballafaqohen të gjitha qeniet njerëzore.
Një keqperceptim i dytë ka të bëjë me kohën kur ndodhin ngjarjet e Jobit, të cilat nuk ndodhin gjatë ngjarjeve të librit të Esterit (486-485 para Krishtit). Përkundrazi, ngjarjet përkojnë më shumë me kohën e Abrahamit dhe të periudhës së patriarkëve (rreth vitit 2100-1800 para Krishtit). Faktikisht, shumë studiues besojnë se Jobi i paraprin besëlidhjes abrahamike. Ka disa pika në mbështetje të argumentit se Jobi jetoi gjatë periudhës së patriarkëve. Së pari, emrat hyjnorë lidhur me Perëndinë, të përdorur te libri i Jobit, janë të ngjashëm me ata që gjenden në librat që i përkasin periudhës së patriarkëve. Së dyti, përshkrimi i pasurive të Jobit (domethënë, numri i bagëtive, shërbëtorëve, metaleve të çmuara) përputhen po ashtu me periudhën e patriarkëve. Së treti, jetëgjatësia e Jobit prej 140 vjetësh (Jobi 42:16) përputhet me jetëgjatësinë e patriarkëve. Së katërti, dhe më bindësja, Jobi ushtron rolin e priftit për familjen e vet, duke na lënë të kuptohet se priftëria levitike nuk ishte themeluar ende (Jobi 1:5).
2. Libri i Jobit na mëson se Perëndia i lë njerëzit e drejtë që të vuajnë në përputhje me qëllimet e Tij të urta.
Qëllon shpesh që njerëzit mendojnë se libri i Jobit shpjegon misterin e vuajtjes njerëzore; mirëpo nuk e bën këtë. Ama, na shpjegon se përse vuajti Jobi (megjithëse arsyeja nuk iu bë e njohur vetë Jobit). Jobi vuajti ngaqë Satani pretendoi se e vetmja arsye se përse Jobi e adhuronte Perëndinë, ishte për shkak të bekimeve që Ai derdhte mbi patriarkun. Satani parashikonte se Jobi do ta mallkonte emrin e Perëndisë, po qe se Perëndia do t’ia hiqte këto bekime (Jobi 1:9-11). Perëndia, në sovranitetin e Tij absolut, e lejoi Satanin që të përpiqej ta vërtetonte këtë hipotezë dhe doli që Satani e kishte gabim, duke bërë kështu që Perëndia dhe Jobi të kishin të drejtë. Perëndia u vërtetua si i denjë për t’u adhuruar thjesht për atë që është, ndërsa Jobi u vërtetua si një njeri me integritet.
Mirëpo, mësimet e historisë së Jobit nuk duhet të kufizohen te një burrë i lashtë që jetonte në tokën e Uzit. Rrëfimi i lidhjes së mistershme mes sovranitetit të Perëndisë, vuajtjes njerëzore dhe drejtësisë vetjake i flet çështjeve më të mëdha universale të lidhura me gjendjen njerëzore dhe siguron ndreqjen e nevojshme për çdo teologji të keqe. Historia e Jobit e bën këtë duke vënë në dukje parimin se vuajtja nuk është përherë e lidhur me mëkatshmërinë. Jobi na mëson se njerëzit e drejtë po ashtu vuajnë në një botë të rënë. Siç na zbulon Jobi 1:1, Jobi ishte një njeri i ndershëm, i paqortueshëm dhe i drejtë. Mirëpo, siç na zbulon pjesa tjetër e librit, ai vuajti jashtë mase.
Duke na vënë përpara shembullin e një njeriu të drejtë, i cili vuajti, libri i Jobit na siguron korrigjuesin e duhur ndaj asaj që shpesh njihet si “teologjia e shpagimit”. Teologjia e shpagimit pretendon se njerëzit vuajnë për shkak të veprimeve të tyre të padrejta dhe shpërblehen për veprat e tyre të drejta. Miqtë e Jobit e kishin përvetësuar këtë teologji të gabuar dhe ne besimtarët bashkëkohorë tundohemi që të bëjmë të njëjtën gjë. Për fat të mirë, libri i Jobit e demaskon falsitetin e kësaj pikëpamjeje duke na kujtuar se Perëndia i lë të drejtët që të vuajnë për qëllimet e Tij të mira e të urta, madje edhe atëherë kur detajet e këtyre qëllimeve nuk u zbulohen atyre që i heqin këto vuajtje.
3. Jobi paratregon veprën shpenguese të Jezu Krishtit.
Një mënyrë se si Jobi na drejton për te vepra e Jezu Krishtit është përmes dëshirës së patriarkut për të pasur dikë që të ndërmjetësojë mes tij dhe Perëndisë. Me vazhdimin e historisë, Jobi nis t’i drejtojë pyetje Perëndisë dhe në një pikë të caktuar acarohet keq, duke kërkuar një ndërmjetës që ta përfaqësojë përpara Perëndisë (Jobi 9:32-35). Natyrisht, Dhiata e Re na zbulon se Perëndia e siguroi këtë ndërmjetës në Jezu Krishtin (I Timoteut 2:5-6).
Gjithsesi, mënyra kryesore se si libri i Jobit e paratregon veprën shpenguese të Krishtit është duke na mësuar se një njeri i drejtë mund të heqë vuajtje të mëdha për të realizuar synimet e urta të Perëndisë. Siç e kemi parë, Jobi i drejtë u la të vuante, me qëllim që të dilnin të drejtë si Perëndia ashtu edhe Jobi. Natyrisht, Jezusi, i cili ishte përsosmërisht i drejtë në gjithçka, u la të vuante zemërimin e Perëndisë, që të realizonte qëllimet e urta të planit hyjnor të shpengimit dhe të siguronte shpëtimin e popullit të Tij. Historia e Jobit parathotë historinë e kryqit dhe pikërisht në historinë e kryqit gjejmë kuptimin dhe domethënien e vërtetë të vuajtjes.
Botuar me leje:https://learn.ligonier.org/articles/3-things-job
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025