tri gjëra që duhet t’i dini rreth jeremias

Shator 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Matthew H. Patton

Jeremia është një prej librave biblik më të vështirë për t’u zbërthyer. Për sa i përket numrit të fjalëve, Jeremia është libri më i gjatë në të gjithë Biblën. Ai vërtitet mes gjuhës poetike dhe narrativës së thjeshtë, shpesh pa ndonjë paralajmërim, dhe po ashtu nuk ndjek një kronologji të ngjarjeve në të. Shumica e përmbajtjes së librit të Jeremias ka të bëjë me gjykimin e tmerrshëm dhe mëkatin e skajshëm, me shumë pak shkëndija shprese. Shpesh njerëzit ndihen të hutuar kur përpiqen ta lexojnë Jeremian.

Mirëpo, Perëndia na e dha këtë libër për inkurajimin tonë (Romakëve 15:4). Në qoftë se mbajmë në mendje tri gjëra gjatë leximit të Tij, do të fillojmë të kuptojmë gjenialitetin dhe dashurinë e Perëndisë në dhënien e këtij libri sfidues.

1. Tema e librit është gjykimi dhe rivendosja.

Pavarësisht nga natyra e tij ndërlikuar, libri i Jeremias në tërësi shtjellon dy tema themelore: gjykimi dhe rivendosja. Vargu tematik i vë në dukje këto dy tema: Zoti e caktoi Jeremian “mbi kombet dhe mbi mbretëritë për të çrrënjosur dhe për të rrënuar, për të shembur dhe për të shkatërruar, për të ndërtuar dhe për të mbjellë” (Jeremia 1:10). Katër foljet e para flasin për gjykimin (çrrënjos, rrënoj, shemb dhe shkatërroj). Dy foljet e fundit flasin për rivendosjen (ndërtoj dhe mbjell).

Tekstet mbi gjykimin bëjnë fjalë kryesisht për rënien e Jerusalemit në duart e babilonasve në vitin 586 para Krishtit. Zoti do t’u tregojë se kjo ngjarje e tmerrshme ishte pasoja e drejtë e mëkatit të tmerrshëm të Judës. Përmendjet e shumta të mallkimeve të besëlidhjes që gjenden te Ligji i Përtërirë 28, dëshmojnë për faktin se Zoti i qëndroi besnik asaj që kishte thënë se do të bënte, kur populli i Vet ta tradhtonte. Në fakt, Ai kishte qenë më i durueshëm nga ç’duhej.

Gjatë shërbesës së Jeremias, rënia e Judës u bë një gjë e pashmangshme. Nuk kishte më as pendim dhe as lutje që mund ta shmangte atë. Ja pse Zoti ia ndaloi Jeremias që të lutej për popullin (Jeremia 7:16; 11:14). Kështu që, e vetmja mundësi që i mbetej Judës, ishte që të pranonte gjykimin, duke përfshirë këtu shpërnguljen nga toka e premtuar (Jeremia 21:8-10).

Ama, pjesa më e mahnitshme e mesazhit të Jeremias është se Zoti — Vetë Perëndia që solli një gjykim të ashpër kundër tyre — po ashtu kishte në plan ta zhbënte mallkimin (Jeremia 31:28) dhe ta shëronte popullin e Vet (Jeremia 30:12-17; krahaso me Ligji i Përtërirë 32:39). Ai do të bënte shumë më tepër, sesa thjesht ta kthente Judën në gjendjen para shpërnguljes. Perëndia ka si qëllim dhënien e një dhurate të re: besëlidhjen e re, ku Ai do t’i jepte zgjidhje problemit të mëkatit i cili e shkaktoi mërgimin e popullit. Zoti do ta shkruante ligjin e Vet në zemrat e popullit të Tij (Jeremia 31:31-34) dhe do t’i aftësonte ato që të ngulmojnë në besim (Jeremia 32:40). Mëkati nuk do të ngadhënjente më.

Për pasojë, libri i Jeremias u shkrua që ta ndihmonte Judën se si ta kuptonte dhe të merrej me këtë fund të tmerrshëm që kulmoi në historinë e tyre. Madje edhe kur kombi u çrrënjos në të gjitha nivelet (mbreti, tempulli, toka, besëlidhja), Jeremia tregoi se Zoti kishte një qëllim shpengues. Ai i hoqi këto dhurata të përkohshme për të përgatitur udhën për dhuratat eskatologjike dhe përfundimtare, të cilat nuk do të hiqen kurrë. Fundi i vërtetë i historisë së Izraelit nuk do të jetë zemërimi, por hiri dhe lavdia.

2. Folësit në libër shpesh ndryshojnë pa asnjë paralajmërim për ndryshimin që ndodh.

Njerëzit shpesh e kanë të vështirë t’i kuptojnë pjesët poetike të librit të Jeremias. Këto pasazhe të pasura fillojnë e marrin kuptim vetëm kur ndërgjegjësohemi për faktin se Jeremia po përshkruan biseda mes Zotit, Jeremias dhe popullit. Nganjëherë ai e përshkruan popullin duke përdorur figurën letrare të “Zonjës së Sionit” (Jeremia 10:19-20), ku Jerusalemi përshkruhet si një grua[1].

Në këta dialogë dramatikë, folësi ndryshon shpesh dhe pa asnjë paralajmërim për këtë ndryshim. Te Jeremia 8:18–9:3, për shembull, folësi ndryshon plot pesë herë. Për pasojë, duhet të mësojmë se si ta dallojmë kur ndryshon folësi, duke shfrytëzuar sinjalet që na jep vetë teksti. Në qoftë se e pyesni veten: “Kush po flet në këtë varg?” dhe prisni që folësi të ndryshojë shpesh, atëherë do të mund t’i kuptoni edhe tekstet më të vështira. Natyrisht, komentarët mund të jenë një ndihmë e madhe për ne në këtë drejtim.

3. Libri na drejton te Jezu Krishti dhe kisha.

Zoti Jezus, i cili është autori përfundimtar i Jeremias (I e Pjetrit 1:11), na thotë se në thelb ky libër flet për Të (Luka 24:25-27). Dhe në qoftë se libri i Jeremias flet për Jezusin, atëherë ai flet dhe për kishën e Tij, e cila është një me Të.

Kur e lexojmë Jeremian, duhet të presim që të kemi një takim jetëdhënës me Jezusin, por duhet të presim edhe fjalë jetëdhënëse për veten tonë. Zoti Jezus është filizi i drejtë nga rrënja e Davidit, i cili do të quhet: “ZOTI, drejtësia jonë” (Jeremia 23:5-6). Mirëpo, edhe kisha njihet me të njëjtin emër (Jeremia 33:16). Drejtësia e Perëndisë do të mbushë jo vetëm mbretin e Tij të përjetshëm, por edhe popullin e Tij gjithashtu.

Këto profeci rreth ardhjes së Jezusit nuk ishin veçse fillimi. Gjykimi që ra mbi Judën dhe kombet — ajo që profetët e përshkruajnë si “dita e Zotit” — nuk ishte veçse një parashijim e vogël e ditës përfundimtare të gjykimit, drejt së cilës na drejton vdekja e Jezusit në kryq (vini re dridhjen e tokës dhe errësimin e qiejve kur vdiq Jezusi, sepse ato janë imazhe nga dita e Zotit, Mateu 27:45, 51). Kështu që, kur Jeremia flet për ditën e gjykimit të Zotit mbi Judën dhe kombet, mund ta kuptojmë më mirë kryqin e Krishtit. Po kështu, përshkrimi i pasur që Jeremia i bën rivendosjes (Jeremia 30–33), na tregon për mbretërinë e përjetshme të Perëndisë, e cila kishte mbërritur me ringjalljen e Jezusit, edhe pse jo plotësisht dhe përfundimisht.

Kështu, pra, libri i Jeremias dëshmon për historinë tonë. Gjykimi për të cilin flet Jeremia, do të përmbushet plotësisht me kthimin e Krishtit. Dhe gjykimi i krijimit të vjetër do të na sjellë te rivendosja e përjetshme, për të cilën profetizoi Jeremia. Për pasojë, libri i Jeremias mbetet i dobishëm për lexuesit e të gjitha epokave.
  __________________

[1] Te Jeremia 10:19-21, Zonja e Sionit vajton për fatkeqësinë që i ka rënë mbi kokë. Për më shumë, shikoni librin nga Matthew H. Patton, Jeremiah, Komentar ekzegjetik i Dhiatës së vjetër nga Zondervan (Grand Rapids, Zondervan: botohet së shpejti).


Botuar me leje:https://learn.ligonier.org/articles/3-things-jeremiah

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?