Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Jakobit

Shator 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Gregory R. Lanier

Letra e shkruar nga Jakobi shënon fillimin e atyre që njihen si Letrat e Përgjithshme ose “katolike”, të cilat njihen me këtë emër për shkak se nuk u drejtohen kishave apo individëve të veçantë, por (pak a shumë) mbarë kishës. Në rastin tonë, letra i drejtohet “dymbëdhjetë fiseve, që janë në diasporë” (Jakobi 1:1), një mënyrë mjaft simbolike për të përshkruar gjithë njerëzit e Perëndisë të shpërndarë anembanë globit. Në këtë artikull, do të shohim tri gjëra që duhen ditur rreth kësaj letre.

1. Me shumë gjasë letrën e shkroi gjysmëvëllai i Jezusit.

Le t’ia nisim me pyetjen se kush është autori. Katër njerëz që quheshin “Jakob” pretendojnë autorësinë e kësaj letre. Jakobi, vëllai i Gjonit (bijtë e Zebedeut, Mateu 4:21), vdiq shumë herët për të qenë autori i saj (Veprat e Apostujve 12:2). Jakobi, biri i Alfeut (Mateu 10:3), dhe Jakobi, babai i Judës (Luka 6:16), janë aq të panjohur për kishën e hershme, saqë zor se mund ta fillonin një letër duke thënë thjesht se ishin “Jakobi”. Kjo gjë bën që Jakobi, vëllai i Jezusit (Mateu 13:55), të shfaqet si pretendenti më bindës për të qenë autori i letrës. Jakobi ishte fillimisht jobesimtar (Gjoni 7:5), por në saje të një takimi dramatik me Jezusin, Zotin e ringjallur (I Korintasve 15:7), ai u bë një nga shtyllat e kishës së hershme dhe me shumë gjasë një apostull (Galatasve 1:19; 2:9). Po përse vallë ka rëndësi identiteti i autorit?

Së pari, Jakobi ishte transformuar nga fuqia e ungjillit e megjithatë nuk i mëshon lidhjes së tij të gjakut me Jezusin për t’u mbajtur me të madh. Ai e përshkruan veten thjesht si një “skllav… i Zotit Jezu Krisht” (Jakobi 1:1). Së dyti, po ky Jakob mban një fjalim jetik në Këshillin e Jerusalemit, duke cituar nga Amosi 9:11–12 me synimin për ta bërë të qartë se vdekja dhe ringjallja e Krishtit bashkon hebrenj e johebrenj nën të njëjtin flamur besimi, pavarësisht përbërjes etnike apo veprave të ligjit (Veprat e Apostujve 15:13–21). Ai e jetoi  dhe e predikoi ungjillin. Së treti, në letrën e vet, Jakobi përfshin mësime të dhëna drejtpërdrejt prej të vëllait, Jezusit, të tilla si: të varfrit do të trashëgojnë mbretërinë (Jakobi 2:5; Mateu 5:3–5), vajtimi dhe gëzimi (Jakobi 4:9; Luka 6:25), lartësimi i të përulurve (Jakobi 4:10; Mateu 23:12), si dhe “po”/“jo”-të (Jakobi 5:12; Mateu 5:34–37). Ungjilli i të vëllait ishte bërë ungjilli i tij gjithashtu.

2. Jakobi ka për synim të japë udhëzime se si të jetojnë të krishterët.

Jo vetëm që autori është formuar personalisht prej ungjillit, por ky është dhe i tiji synim gjatë gjithë letrës. Duke filluar nga etërit e kishës e duke vazhduar deri tek komentuesit bashkëkohorë, ka pasur debate të vazhdueshme rreth strukturës dhe objektivave reale të kësaj letre, sepse ajo nuk ndjek atë logjikën solide që gjejmë në libra të tillë sikurse Letra drejtuar Romakëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se kësaj letre i mungon tërësisht organizimi. Është një letër më e çlirët, sepse synon nxitjen morale drejtuar njerëzve që tashmë janë vëllezër dhe motra të krishterë (Jakobi 1:9, 16, 19; 5:19). Jakobi shërben si një figurë atërore baritore që u tregon të krishterëve se si duhet ta transformojë jetën ungjilli, duke i këshilluar lexuesit e vet që të zgjedhin shtegun e perëndishmërisë dhe jo atë të mëkatit. Pa shihni pak shembujt e mëposhtëm:

  • Bindja: Vëreni fjalën në praktikë; mos jini thjesht dëgjues (Jakobi 1:2–27).
  • Përbashkësia: Duajini të tjerët pa dallim; mos kini të preferuar (Jakobi 2:1–13).
  • Bindja: Vëreni besimin tuaj në praktikë; mos kini besim bosh (Jakobi 2:14–26).
  • Përbashkësia: Përdoreni gojën për të bekuar të tjerët; mos e përdorni për t’u bërë keq atyre (Jakobi 3:1–18).
  • Bindja: Vëreni shenjtërinë në praktikë; mos jini si bota (Jakobi 4:1–17).
  • Përbashkësia: Duajini të varfrit; mos u përpiqni të fitoni pasuri të pandershme (Jakobi 5:1–6).
  • Bindja: Ushtroni durimin; mos murmurisni mes vuajtjeve (Jakobi 5:7–20).

Autori i sheh nga këndvështrime të ndryshme dy temat kryesore të bindjes dhe të përbashkësisë për të vënë në dukje mënyrat baritore të zbatimit, dhe jo shpalljet e doktrinës. Në qoftë se ungjilli hedh rrënjë, atëherë ky duhet të jetë fryti që ju duhet (apo nuk duhet) të jepni.

3. Letra e Jakobit jo vetëm që nuk u kundërvihet letrave të Palit, por edhe i plotëson ato.

Duke i pasur parasysh këto synime, mund ta trajtojmë si duhet ankesën e Luterit se Letrës së Jakobit i mungon qartësia ligj-ungjill e shkrimeve të Palit. Problemi i Luterit shfaqet qartazi tek Jakobi 2:24: “Ju e shikoni se njeriu drejtësohet prej veprash, dhe jo vetëm prej besimit”. Në pamje të parë, kjo duket sikur i kundërvihet haptazi fjalëve të Palit që “njeriu drejtësohet nëpërmjet besimit, pavarësisht nga veprat e Ligjit” (Romakëve 3:28).

Mirëpo, nuk duhet të nxitohemi. Argumenti i Palit te Letra drejtuar Romakëve (dhe te Letra drejtuar Galatasve) lëviz nga mosbesimi i karakterizuar nga dështimi në zbatimin e ligjit (Romakëve 1:18–3:20) te shpallja i drejtë përpara Perëndisë përmes besimit (Romakëve 3:21–4:23), dhe më pas te birësimi dhe shenjtërimi që rrjedhin prej drejtësimit (Romakëve 5–8). Thënë ndryshe, shpallja e Palit rreth drejtësimit përmes besimit dhe jo përmes veprave bën pjesë në argumentin e këtij të fundit se si shpëtohet njeriu.

Jakobi po paraqet një argument të ndryshëm. Ai po flet për ata që pretendojnë se kanë besim (Jakobi 2:14), por që nuk kanë pikë dashurie të krishterë krahas tij (Jakobi 2:16). Një “besim” i tillë nuk është vërtet besim po qe se i mungojnë “veprat” që vijnë si pasojë e tij (Jakobi 2:17). Është bosh ose i vdekur dhe kështu nuk është aspak ndryshe prej pohimit njohës që shfaqet edhe te demonët (Jakobi 2:19).

Shkurtimisht, Jakobi po i përgjigjet një pyetjeje të ndryshme: Çfarë bën njeriu pasi shpëtohet? Si mundem ta shfaq në praktikë se besimi im është i vërtetë? Megjithëse ai e shpreh përgjigjen e vet shumë trashë — përmes “veprave” — thelbi i mendimit të tij nuk është edhe aq i ndryshëm prej atij që shpreh Pali diku gjetkë (shih Filipianëve 2:12). E vërteta është se Pali nuk po i përgjigjet fare asaj pjese të pyetjes kur trajton temën e drejtësimit.

Kur i shohim gjërat nga ky këndvështrim, e kuptojmë se Jakobi nuk u kundërvihet shkrimeve të Palit, por përkundrazi i plotëson ato. Nuk është më një letër “kashte”, por gjendet në të njëjtin nivel me shkrimet e tjera të Palit, që e përshkruajnë ungjillin si një burim të mrekullueshëm për jetën e krishterë.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-james

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet. ©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Titit
Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Jobit