tri gjëra që duhet t’i dini rreth isaias

Shator 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Derek Thomas

1. Isaia u ndikua në mënyrë të jashtëzakonshme prej një vegimi të shenjtërisë së Perëndisë në pikënisje të shërbesës së tij.

Ditën që vdiq mbreti Uziah (740/739 para Krishtit), Isaia pati një vegim të Perëndisë “të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë”, teksa serafinët i thërrisnin njëri-tjetrit:

“I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është ZOTI i ushtrive.
Tërë toka është plot me lavdinë e tij!” (Isaia 6:1, 3)

Përsëritja e trefishtë e mbiemrit “i shenjtë” është mënyra hebraike e të shprehurit të një theksimi të pashoq. Në Biblën hebraike kjo përsëritje e trefishtë gjendet vetëm tek Isaia 6:3. Ndikimi që ky term pati mbi Isaian, duket në faktin që fjala “i shenjtë” (hebraisht “qadosh”) gjendet më shpesh tek Isaia sesa në mbarë pjesën tjetër të Dhiatës së Vjetër.

Fjala “i shenjtë” është e lidhur me idenë e të qenët i ndarë ose i dallueshëm. Perëndia i Isaias nuk është një zgjatim i krijimit dhe as dikush që mund të manipulohet. Njerëzit e kohës së Isaias, të qeverisur prej mbretërve Uziah (ndryshe dhe Azariah), Jotham, Ashaz dhe Ezekia, ishin të shurdhër ndaj paralajmërimeve të profetit. Në shek. VIII para Krishtit, sikurse dhe në kohën tonë, mendja e njeriut ishte përherë e përfshirë në krijimin e idhujve që merrnin trajtë sipas dëshirave dhe parapëlqimeve të njerëzve.

2. Shërbesa e Isaias në dukje ishte e paefektshme, sepse kështu kishte vendosur Perëndia.

Për ta shfaqur qartë pabesinë e Judës, Perëndia dërgoi një profet që të kërkonte kallëza në borë[1]. Në mbyllje të vegimit të shenjtërisë së Perëndisë në tempull, ku u shfaq plotësisht edhe lavdia e Perëndisë, Perëndia i caktoi Isaias një detyrë disi të çuditshme. Për më shumë se pesëdhjetë vjet, Isaia ishte caktuar që të shpallte një mesazh që ishte aq i thjeshtë, sa ta kuptonte edhe një fëmijë (Isaia 28:9-10), por i pamundur për t’u kuptuar prej udhëheqësve politikë me zemër të ngurtësuar (Isaia 6:9-10). Në këtë mënyrë, shërbesa e Isaias krijoi një precedent. Kur dishepujt e pyetën Jezusin se përse fliste përmes shëmbëlltyrave, Jezusi iu përgjigj duke cituar nga thirrja e Isaias (Mateu 13:14-15; Marku 4:10-12). Dishepujt e vërtetë të Perëndisë do ta kuptojnë atë, por ata që hiqen si fetarë, nuk do ta kuptojnë dot. Në të njëjtën mënyrë, ata u tallën me mesazhin e Isaias dhe e hodhën poshtë atë.

Cili ishte mesazhi i tij? Ishte një mesazh krize politike. Në vitin 745 para Krishtit, Tiglath-Pileseri III erdhi në pushtet në Ninive, në kryeqytetin e perandorisë së Asirisë. Dhe ky mbret asirian kishte vetëm një gjë në mendje: të sundonte gjithë botën. Menjëherë pas vegimit të shenjtërisë së Perëndisë, na flitet për pushtimin e suksesshëm të Asirisë mbi mbretëritë veriore të Aramit dhe të Izraelit, pavarësisht traktatit të lidhur mes këtyre dy mbretërive për të penguar përparimin e Asirisë, traktat që rezultoi i vonuar dhe i pamjaftueshëm (Isaia 7:1-2; shih gjithashtu 17:3). Atëherë Juda u vu në shënjestër dhe synimi i Asirisë qe i qartë: “Të dalim kundër Judës, ta tmerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit” (Isaia 7:6). Asiria po orvatej që t’i jepte fund qëllimit shpengues të Perëndisë dhe ta shuante farën e Davidit. Ashazi, mbreti i Judës, mendonte se e vetmja mënyrë se si t’i mbijetonte këtij kërcënimi, ishte që të lidhte një aleancë me Asirinë, por Isaia e bëri të qartë: Ashazi po luante me zjarrin (Isaia 7:17). Mbretërit e Judës nuk ishin më sovranë, ata ishin shndërruar në kukulla të hegjemonisë asiriane. Madje edhe i perëndishmi Ezekia, katër dekada pas Ashazit, luajti të njëjtën lojë vdekjeprurëse, duke nënshkruar një traktat me faraonin dhe duke menduar se aleanca me Egjiptin do ta parandalonte agresionin asirian. Mirëpo, përgjigjja e Isaias ishte e ashpër, sepse Ezekia kishte lidhur “një besëlidhje me vdekjen, … një aleancë me Sheolin” (Isaia 28:15). Në vend që t’u zinin besë premtimeve të Perëndisë, duke ushtruar besim, mbretërit e Judës kishin shfaqur një pikë të dobët, një prirje për t’u besuar rrugëve të tyre dhe jo fjalës së Perëndisë së gjallë e të vërtetë.

3. Isaia njihet si profeti ungjillor.

Në mes të lavdisë së mbretërisë davidike, e cila po venitej, Isaia profetizon: “Ja, e virgjra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” (Isaia 7:14), ndërsa dy kapituj më pas:

Sepse na ka lindur një fëmijë,
një djalë na është dhënë.
Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria
dhe do të quhet
Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm,
Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
Nuk do të ketë të sosur
rritja e perandorisë së tij dhe paqja,
mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij,
për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar
me anë të mençurisë dhe të drejtësisë,
tani dhe përjetë.
Këtë ka për të bërë zelli i ZOTIT të ushtrive. (Isaia 9:5-6)

Shtatëqind vjet përpara se kjo të ndodhte, në mes të dimrit të Judës, Isaia premtoi ardhjen e Krishtlindjes, pra, lindjen e virgjër të Emanuelit, Shpëtimtarit të mëkatarëve!

Mirëpo, kjo nuk është e gjitha. Përveç premtimit për mbretin dhe sundimtarin e ardhshëm (shih Isaian 11 dhe 60), Isaia është më i njohur për katër Këngët e Shërbëtorit (Isaia 42:1-9; 49:1-13; 50:4-11; 52:13–53:12). Ai profetizoi për ardhjen e Perëndisë dhe rritjen e Tij si njeri (Isaia 53:2-3), si dhe për shndërrimin e Tij në Shërbëtorin Vuajtës, mbi shpatullat e të cilit janë vendosur mëkatet e popullit të Tij. Përmes zëvendësimit dhe kënaqjes, Shërbëtori i pafaj do të vdiste dhe do të vinte sërish në jetë dhe do të ndante plaçkën e fitores së Tij (Isaia 53:7-12). Në vargun mbyllës të Isaias 53, përmendet edhe Shërbëtori që “ka mbajur mëkatin e shumë vetave” (Isaia 53:12, theksi i shtuar). Në një bisedë me dishepujt e Tij se kush duhet të ishte i pari në mbretërinë e Perëndisë, Jezusi duket se shpalli përmbledhjen e misionit të Tij: “Sepse edhe Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, po për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e vet si shpërblesë në vend të shumë vetave” (Marku 10:45, theksi i shtuar; shih gjithashtu Mateu 20:28; Gjoni 13:1-17). Duket qartë se Jezusi kishte reflektuar rreth këtyre fjalëve të lidhura me Shërbëtorin dhe e dinte se ato bënin fjalë për Të.

[1] Kërkon një gjë të pamundur. (shënim i redaktores)


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-isaiah

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?