Shator 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Derek Thomas
Letra e Parë e Pjetrit është e rëndësishme për t’u studiuar prej të krishterëve. Më poshtë renditen tri gjëra që duhet t’i dini rreth Letrës së Parë të Pjetrit:
1. Autori i saj, Pjetri, i cili u veçua prej Krishtit dhe u quajt “shkëmb” (Mateu 16:18), përdor një gjuhë të ngjashme të figurshme në letrën e tij.
Është e vërtetë se ka pasur shumë debate rreth vargut të Ungjillit sipas Mateut dhe se çfarë donte të thoshte Jezusi me anë të tij, por duket qartë se Jezusi po i drejtohej Pjetrit, i cili sapo kishte rrëfyer se Jezusi ishte “Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” (Mateu 16:16). Mund ta përfytyrojmë se paskëtaj Pjetrit i ngjallnin një interes të veçantë shkëmbinjtë dhe gurët. Është interesante që Pjetri i kushton kaq shumë rëndësi këtij imazhi në letrën e tij të parë, duke i përmendur shkëmbinjtë ose gurët te I e Pjetrit 2:4-8. Ai citon tri pasazhe, nga Isaia dhe psalmet e fundit të Hallelit (Psalmet 113-118 që recitoheshin gjatë Pashkës hebraike), të cilët përmendin pikërisht gurët ose shkëmbinjtë.
Një citim bën fjalë për “gurin e themelit” që Perëndia “do të vendosë në Sion”, pra, e ka fjalën për Jezusin, gurin që ndërtuesit e flakën tej (Isaia 28:16; Psalmi 118:22). Pa mendoni pak për judenjtë e kohës së Jezusit se si e hodhën poshtë këtë të fundit. Citimi i fundit ka të bëjë me një gur, në të cilin do të pengoheshin shumë njerëz (Isaia 8:14–15). Ky shkëmb që qe “vërtet i hedhur poshtë nga njerëzit, por para Perëndisë i zgjedhur dhe i çmuar”, është natyrisht Jezusi (I e Pjetrit 2:4).
Pjetri dëshiron që lexuesit e tij ta kuptojnë se të krishterët janë “gurë të gjallë”, të vendosur me kujdes dhe në mënyrë të sigurt në kishën që po ndërton Jezusi dhe në të cilën Krishti është guri i themelit. Kjo ndërtesë (kisha) mbështetet prej këtij premtimi: “Portat e Hadesit nuk do të ngadhënjejnë mbi të” (Mateu 16:18).
2. Letra e Parë e Pjetrit kryesisht trajton tiparet e jetës së krishterë.
Pjetri e hap letrën duke thënë se të krishterët janë zgjedhur “sipas paranjohjes së Perëndisë Atë, me anë të shenjtërimit të Frymës, për bindje dhe për spërkatje me gjakun e Jezu Krishtit” (I e Pjetrit 1:2). Pjetri shpenzon më shumë se gjysmën e letrës duke folur rreth asaj se si duket shenjtërimi, duke cituar në kapitullin 1 atë që nganjëherë emërtohet si “Kodi i Shenjtërisë” nga libri i Levitikut: “Do të jeni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (I e Pjetrit 1:16; Levitiku 11:44, 45; 19:2; 20:7). Pastaj, në pjesën tjetër të lutjes, ai flet në mënyrë praktike rreth asaj se si shfaqet shenjtërimi në sfidat e jetës së përditshme: duke iu nënshtruar autoriteteve në vendin e punës dhe në shoqëri, në martesë dhe në jetën e kishës (I e Pjetrit 2:13–25; 3:1–7; 5:1–11).
Shenjtëria shfaqet në mënyra praktike në çdo fushë të jetës. Disa prej gjërave që thotë Pjetri duken shumë të vështira për t’u vënë në praktikë, por ai u kujton lexuesve të vet: “Se për këtë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një shembull, që të ndiqni gjurmët e tij” (I e Pjetrit 2:21). Meqë e dimë se Jezusi na ka shpenguar me anë të gjakut të Tij kjo duhet të na japë forcë që ta mbartim kryqin edhe në situatat më të vështira që do të na duhet të përballojmë për hir të Tij.
3. Letra e Parë e Pjetrit i thotë gjërat troç.
Pjetri nuk e zbut mesazhin e vet duke e veshur me sentimentalizma, por u kujton bashkëbesimtarëve se jeta e krishterë është një “luftë” në të cilën të krishterët janë “ardhës dhe mërgimtarë” (I e Pjetrit 2:11). Të krishterët mund të vuajnë për shkak se sillen keq, por nganjëherë ata do të vuajnë “për shkak të drejtësisë” (I e Pjetrit 3:13–14, 17). Bërja e “së mirës” nganjëherë do të merret për fyerje prej atyre që nuk e njohin Jezusin si Shpëtimtar dhe Zot. Në rrethana të tilla duhet ta shenjtërojmë “Zotin, Krishtin, në zemrat tona, përherë të gatshëm për mbrojtje ndaj çdokujt që na kërkon arsye rreth shpresës që është në ne” (I e Pjetrit 3:15). Të kujtuarit se i shërbejmë Krishtit si Zotit tonë do të na ndihmojë që të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të zgjedhim fjalët e duhura kur e gjejmë veten në një zonë lufte. Te I e Pjetrit 4:12–19, Pjetri përqendrohet në sprovat me të cilat ballafaqohen të krishterët, duke i nxitur lexuesit e tij “që të mos çuditen për provën e zjarrit që është duke ndodhur ndër ta për sprovimin e tyre, si të ishte duke iu ngjarë diçka e pazakonshme” (I e Pjetrit 4:12).
Duke ngjarë me Palin në pjesën hapëse të Romakëve 5, Pjetri dëshiron që të krishterët “të gëzohen me ngazëllim” mes sprovave e mundimeve (I e Pjetrit 4:13; Romakëve 5:3). Pjetri e ka fjalën për ato vuajtje që na duken të pakuptimta. Mund të vuajmë për shkak se kemi bërë zgjedhje vërtet të gabuara, por Pjetri e ka fjalën për ato vuajtje që të krishterët i përjetojnë kur jetojnë jetë të shenjta dhe flasin për Krishtin me nderim e respekt: “Por nëse vuan si i krishterë, mos të ketë turp, por ta lëvdojë Perëndinë në këtë emër” (I e Pjetrit 4:16). Pjetri shton edhe nxitjen pasuese: “Kështu që, edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, t’ia besojnë shpirtrat e tyre Krijuesit besnik, duke bërë të mirën” (I e Pjetrit 4:19).
Të krishterët nuk janë thirrur që të jetojnë në rehati, por që të jetojnë një jetë “bindjeje” (I e Pjetrit 1:2). Bindja shumë shpesh mund të jetë e dhimbshme dhe e kushtueshme. Këto sprova janë prova, “me qëllim që të provuarit e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar se ari që prishet, edhe pse provohet përmes zjarrit, të dalë për lavdërim dhe lavdi, dhe nder në zbulesën e Jezu Krishtit” (I e Pjetrit 1:7).
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-1-peter
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet. ©dritez.al 2025