Korrik 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Daniel R. Hyde
Letra e Parë dhe e Dytë drejtuar Selanikasve janë dy prej letrave më pak të njohura të Apostullit Pal. Me shumë gjasë Letra e Parë drejtuar Selanikasve ishte letra e parë e Palit, e shkruar pas përfshirjes së tij në Selanik në vitin 49-50 pas Krishtit. Ka shumë për t’u ditur rreth këtyre letrave, por le të shohim tri gjëra lidhur me to.
1. Letrat i drejtohen të krishterëve që ballafaqohen me përndjekjen.
Kisha e Selanikut u mboll prej Palit, së bashku me partnerët e tij në shërbesë Silën (Silvanin) dhe Timoteun (I Selanikasve 1:1). Kjo ndodhi gjatë udhëtimit të dytë misionar të Palit, që përshkruhet te Veprat e Apostujve 17:1-15. Siç e kishte për zakon Pali, pasi gjeti sinagogën e qytetit, “për tri shabate diskutoi me ta pjesë nga Shkrimet, duke shtjelluar dhe duke parashtruar se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej të vdekurve, dhe duke thënë: ‘Ky Jezus, të cilin unë jua shpall juve, është Krishti’ (Veprat e Apostujve 17:2-3, BiblaPRO[1]).
“Disa prej tyre”, nga sinagoga, si dhe “një morí e madhe e helenëve që adhuronin Perëndinë, dhe jo pak gra të rëndësishme”, themeluan një bashkësi të krishterë (Veprat e Apostujve 17:4, BiblaPRO). Kjo bëri që judenjtë të mblidhnin një turmë njerëzish dhe të thyenin shtëpinë e Jasonit (Veprat e Apostujve 17:5). Kur nuk i gjetën Palin dhe Silën, ata morën Jasonin dhe disa besimtarë përpara magjistratëve të qytetit. Aty, ata folën disa prej fjalëve më të famshme për të përshkruar kishën: “Këta që e bënë rrëmujë njerëzinë, kanë ardhur edhe këtu” (Veprat e Apostujve 17:6, BiblaPRO)”. Krishterimi u perceptua si një ndërhyrje e padëshiruar në rendin ekzistues të Selanikut. Përshkrimi i judenjve të Selanikut ishte i ngjashëm me atë të Perandorit Klaud (vitet 41-54 pas Krishtit), i cili në vitin 41 pas Krishtit e përshkroi përhapjen e ungjillit si “një epidemi murtaje që po infektonte mbarë botën”. Akuza e “të bërit rrëmujë njerëzinë” bëri që qeveritarët e qytetit t’i mprihnin veshët: “këta të gjithë veprojnë përkundër dekreteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi” (Veprat e Apostujve 17:7, BiblaPRO). Pas kësaj, vëllezërit e kishës i “dërguan [Palin dhe Silën] gjatë natës në Berea” (Veprat e Apostujve 17:10). Judenjtë i ndoqën edhe atje, duke e bërë Palin që të ikte deri në Athinë, ndërsa Sila dhe Timoteu mbetën në Berea (Veprat e Apostujve 17:14-15).
Duke qenë vetë një pastor i përndjekur, dëshira e madhe baritore e Palit në letrën e parë drejtuar të krishterëve të përndjekur selanikas ishte që ata të ngulmonin në besim, shpresë dhe dashuri. Në letrën e dytë drejtuar atyre, ai u tha: “Por ju, o vëllezër, të mos ligështoheni duke bërë mirë” (II Sel. 3:13). Ai donte që ata të rindiznin zellin e tyre. Për shkak se bashkësia selanikase lindi dhe vazhdoi të ekzistonte në mes të shtrëngimeve, Pali u shkroi që t’i nxiste për më tej. Kjo duket në mënyrën se si Pali falënderon për selanikasit: “duke kujtuar veprën tuaj të besimit dhe mundin e dashurisë, dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë dhe Atit tonë” (I Sel. 1:3).
2. Letrat u shkruan që të siguronin ngushëllim dhe qartësi për atë që vdes në Krishtin.
Në këto letra, Pali trajtoi probleme baritore të lidhura me eskatologjinë, pra, me doktrinën e gjërave të fundit. Te I Selanikasve 4, Pali iu përgjigj konceptit se ata që vdiqën përpara ardhjes së dytë të Zotit kishin humbur njëherë e përgjithmonë (I Sel. 4:13). Ndreqja që i bëri Pali teologjisë së tyre kishte për synim që t’ua ngushëllonte zemrat. Ai nuk donte që ata të trishtoheshin “ashtu si të tjerët që nuk kanë shpresë”. Përkundrazi, ai dëshironte që ata t’i jepnin “zemër njëri-tjetrit” dhe ta ndërtonin njëri-tjetrin me doktrinën ngushëlluese të ardhjes së dytë të Jezusit (I Sel. 4:18; 5:11).
Ardhja e Krishtit fal shpresë në mes të pikëllimit, dhe e shndërron ato në shpresë për të krishterin. Faktikisht: “Perëndia ata që fjetën përmes Jezusit, do t’i sjellë bashkë me të” (I Sel. 4:14). Trupi i besimtarit në varr është i vdekur, e megjithatë fryma është në prehje, sepse është me Zotin: “Sepse nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, kështu edhe Perëndia ata që fjetën përmes Jezusit, do t’i sjellë bashkë me të” (I Sel. 4:14; shih Zbulesa 6:9-11; 14:13). Ringjallja e trupave të besimtarëve bazohet në ringjalljen e trupit të Jezusit. Ata që vdesin në Zotin, shkojnë të jenë me Të, me qëllim që me Të të vijnë në tokë në fund fare. Ngushëllimi i ardhjes së dytë të Krishtit po ashtu na fal shpresë për përjetësinë: “Kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin” (1 Sel. 4:17). Gjithmonë!
Pali e zhvendos pastaj vëmendjen te besimtarët që do të jenë gjallë kur të kthehet Jezusi: “Mandej ne të gjallët që mbetemi, do të rrëmbehemi njëkohësisht bashkë me ta në re, për ta takuar Zotin në ajër; dhe kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin” (I Sel. 4:17). Ardhja e dytë do të sjellë me vete ribashkimin tonë qiellor me Zotin. Do të sjellë edhe ribashkimin tonë me të dashurit tanë që kanë vdekur në Krishtin. Çfarë mendimi i vyer është ky! Do të rrëmbehemi me të dashurit tanë për “të takuar Zotin”, për “të qenë gjithmonë me Zotin”. Ribashkimi ynë me të dashurit tanë do të ndodhë lart “në re” dhe pastaj do të takohemi me Zotin “në ajër”. Kjo është mënyra e të folurit e Dhiatës së Vjetër për praninë e Zotit (shih Eksodi 19; 24; Isaia 6). Ardhja e Tij do të jetë një gjë madhështore. Zbritja e Zotit nga qielli do të jetë “me kushtrim” (fjala e pushtetit drejtuar nënshtetasve të Tij), “zë kryeengjëlli” (kreu i engjëjve) dhe me “bori të Perëndisë” (briri i luftës sikurse në muret e Jerikos).
3. Letrat përmbajnë një pasazh shushatës rreth Antikrishtit.
Letra e Dytë drejtuar Selanikasve, kapitulli 2, është një prej atyre pasazheve në shkrimet e Palit, të cilat Pjetri duhet t’i ketë pasur në mendje kur tha: “Në të cilat [shkrimet e Palit] disa gjëra janë të vështira të kuptohen” (II e Pjetrit 3:16). Pas fjalëve të qarta e ngushëlluese rreth ardhjes së dytë të Krishtit te I Selanikasve, këta të krishterë të dashur morën një mesazh shushatës prej profetëve të rremë, i cili thoshte: “Dita e Zotit është tani”. Pali i nxiti kështu këta besimtarë: “të mos lëkundeni ngutas nga mendja dhe të mos alarmoheni” dhe “të mos ju mashtrojë kush” (II Sel. 2:2-3). Ai tha se “ajo [ardhja e dytë] nuk vjen, po të mos” ose kur “së pari” të vijnë dy gjëra: 1) apostazia e madhe dhe 2) të zbulohet njeriu i paligjshmërisë.
Apostasia (“apostazia”, versioni BiblaPRO; “rënia” versioni ALBB 2009; “koha e mohimit të besimit”, versioni Së Bashku) nuk përdoret në lidhje me kryengritjen politike, por me largimin doktrinor dhe etik nga Zoti. Njeriu i paligjshmërisë është mishërimi i kundërvënies ndaj Jezusit, mbretërisë së Tij dhe kishës së Tij. Diku gjetkë në Dhiatën e Re, ai quhet “antikrishti” (I e Gjonit 2:18). Satani po punon dhe hap rrugën për “të zbuluar” Antikrishtin përfundimtar (II Sel. 2:3, 6, 8). Pali e përdor të njëjtën rrënjë fjale për të përshkruar “zbulesën” e Jezusit në fund të kohërave (II Sel. 1:7). Antikrishti imiton Krishtin.
Kur do të zbulohet Antikrishti? Kur ajo “çfarë e mban… të zbulohet në kohën e tij” (II Sel. 2:6-7). Identiteti i asaj “çfarë e mban” mbetet një mister dhe një pikë debati për ekzegjetët e krishterë qysh prej fillimeve të kishës. Disa kanë thënë se është Fryma e Shenjtë. Të tjerë mësues të mëdhenj, sikurse Tertuliani (Tertullian) dhe Johan Gojarti (John Chrysostom), thonin se mbajtësi ishte Perandoria Romake. Kalvini thoshte se “çfarë e mban” është predikimi universal i ungjillit. Madje edhe Agustini i Hipos (354–430), në magnum opus-in e tij (kryeveprën e tij), tha: “Sa për mua, më duhet të rrëfej se nuk e kam fare idenë se çfarë është kjo.” Tek e fundit, mësimet e Palit kanë për synim t’i inkurajojnë të krishterët që Krishti do ta mposhtë errësirën e Satanit dhe mbretërinë e tij (II Sel. 2:8).
Edhe në mes të përndjekjes, vdekjes, mëkatit dhe të keqes së shfrenuar Zoti Jezus qëndron në të Vetin fron, duke ndërtuar kishën e Tij dhe duke orkestruar gjithë historinë për të Tijat qëllime të mira. Letra e Parë dhe e Dytë drejtuar Selanikasve mund të jenë letrat më pak të njohura të Apostullit, mirëpo ato duhen tolle lege, pra, duhen marrë dhe duhen lexuar.
_______________
[1] Vargjet biblike janë marrë nga versioni BiblaPRO, të cilin e gjeni tashmë si aplikacion.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-thessalonians
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025