tri gjëra që duhet t’i dini rreth hagait

Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet t’i dini rreth...

Iain Duguid

1. Tani është koha që të vëmë në plan të parë bindjen ndaj Zotit.

Libri i Hagait i drejtohet një populli thellësisht të shkurajuar. Banorët, të cilët ishin kthyer në Jude nga Babilonia, zbuluan se jeta në atdhe ishte tej mase e vështirë. Rindërtimi i atdheut dhe i jetës së mëparshme, duke qenë të rrethuar nga të gjitha anët prej armiqve, po dilte një gjë më e vështirë, sesa e kishin përfytyruar, ndërsa premtimet e lavdishme të Isaias 40–66 dukeshin shumë të largëta për përvojën e tyre. Për pasojë, ata e pezulluan projektin për rindërtimin e tempullit derisa t’u lehtësohej jeta. Sipas tyre, dukej se tashmë nuk ishte koha për plane kaq ambicioze (Hagai 1:2).

Mirëpo, Zoti i shihte gjërat ndryshe. Ai ua bëri të qartë se ata e kishin gjetur lëndën e parë për të ndërtuar për vete shtëpi të mbuluara mirë (Hagai 1:4; shih gjithashtu 1 i Mbretërve 6:9; 7:3, 7). Ndërkaq, çdo punë e tyre ishte tashmë nën mallkimin e Perëndisë për shkak të mosbindjes së tyre (Hagai 1:5-6). Ata duhet t’i kishin menduar më mirë veprimet e tyre, të kishin hequr dorë nga justifikimet dhe të vinin në plan të parë bindjen ndaj Zotit (Hagai 1:8). Të udhëhequr nga qeveritari Zorobabel dhe kryeprifti Jozue, njerëzit ua vunë veshin fjalëve të Hagait dhe i hynë punës (Hagai 1:12). Zoti qe me ta dhe u dha zemër, në mënyrë që ata t’i futeshin punës së bashku dhe ta rindërtonin tempullin (Hagai 1:14), simbolin e dukshëm të pranisë së Zotit mes popullit të Tij.

2. Më e mira nuk ka ardhur ende.

Teksa njerëzit i kishin hyrë punës për të rindërtuar tempullin e Jerusalemit, u shfaq në skenë një burim tjetër për një shkurajim të mundshëm. Tempulli i ri nuk e kishte aspak atë lavdinë që shpërfaqte paraardhësi i tij (Hagai 2:2-3). Megjithëse kishte të njëjtat përmasa me tempullin e Salomonit, e vetmja gjë që i mungonte ishte bollëku i argjendit dhe arit, por tempulli nuk ishte më simboli qendror i mbretërisë dhe i perandorisë, siç kishte qenë në ditët e Salomonit. Më keq akoma, lavdia e Zotit ishte larguar prej ndërtesës përpara se ta shkatërronin babilonasit (Ezekieli 10). Pa kthimin e premtuar të pranisë së Perëndisë (shih Ezekieli 43), tempulli do të mbetej një guaskë e pavlerë dhe boshe. Mirëpo, fjalët e Zotit përmes profetit i nxitën njerëzit që të shihnin se Ai qe kthyer vërtet në mesin e tyre, megjithëse frytet e kthimit ende nuk ishin bërë të dukshme (Hagai 2:4-5). Njerëzit duhet të bëheshin të fortë dhe t’i hynin punës, dhe këto qenë të njëjtat urdhërime që ishin dhënë në ditët e vetë Jozueut dhe Salomonit (Jozueu 1:6; 1 i Mbretërve 2:2). I njëjti Perëndi që kishte qenë me Izraelin kur ata u larguan nga Egjipti, ishte ende me ta, dhe Ai do të sigurohej që mundi i tyre të mos shkonte kot (Hagai 1:13).

Megjithatë, ajo që sytë e tyre arrinin të shihnin, nuk ishte masa përfundimtare e veprës së Zotit. Ata mund ta hidhnin vështrimin pas dhe të inkurajoheshin nga ajo që Ai kishte bërë në të kaluarën, por gjithashtu duhej të kujtonin atë që Zoti do të bënte në të ardhmen (Hagai 2:6-9). Do të vinte një ditë kur Zoti do ta transformonte rendin aktual botëror, duke e përmbysur dhe duke i vendosur kombet në vendin e tyre, teksa do të siguronte bekime për popullin e Tij, me paqen (shalom) që do të buronte nga tempulli i Tij.

3. Premtimet e Zotit lidhin të tashmen me të ardhmen.

Premtimi i Zotit se do të ishte mes popullit të Tij, i mishëruar në tempullin e Jerusalemit, dhe premtimi për ardhjen e Mesias, i mishëruar ky në dinastinë davidike, janë fijet e kuqe që e përshkojnë profecinë e Hagait (shih 2 i Samuelit 7). Në fillim të shërbesës së profetit që të dyja këto gjëra duken se vihen në dyshim: tempulli i Izraelit është ende një grumbull gërmadhash, i braktisur nga lavdia e Zotit, ndërsa dinastia davidike duket se është ndërprerë, sikur të ishte hedhur poshtë nga Zoti si një unazë vulosjeje e papërdorshme (shih Jeremia 22:24-26). Në fund të librit shohim disa shenja të dukshme rivendosjeje, sepse tempulli është rindërtuar tashmë dhe guvernatori, Zorobabeli, një pasardhës i Davidit, është shpallur si unazë vulosjeje e zgjedhur nga Perëndia (Hagai 2:23). Mirëpo, tempullit ende i mungonte lavdia, ndërsa guvernatori nuk ishte as mbreti dhe as Mesia i premtuar. Njerëzit duhet të jetonin përmes besimit, duke besuar se gjërat e mira që Perëndia po bënte në mesin e tyre do të përmbusheshin në ditën e fundit.

Që të dyja premtimet parathonin Jezu Krishtin. Ai është tempulli i vërtetë i Perëndisë (Gjoni 2:19), Ai në të cilin lavdia e Perëndisë ka ardhur të banojë mes nesh (Gjoni 1:14). Si vetë Emanueli (“Perëndia me ne”), Jezusi përfaqësonte fizikisht praninë e Perëndisë në mes të popullit të Tij. Tani që Jezusi është ngjitur në qiell dhe ka derdhur Frymën e Tij mbi kishën, prania e Perëndisë përfaqësohet në botë prej nesh, popullit të Tij. Kisha, si trupi i Krishtit, është tempulli i ri, i përbërë prej hebrenjsh dhe johebrenjsh, i ndërtuar së bashku si një banesë e shenjtë për Perëndinë (Efesianëve 2:16-22; shih II Korintasve 6:16–7:1).

Edhe ne i mbajmë sytë te Jezu Krishti, Biri më i madh i Zorobabelit, si Ai në të cilin gjendet shpresa jonë (Mateu 1:13). Edhe Ai nuk kishte as pamje dhe as madhështi për t’i tërhequr njerëzit te Vetja, por mori trajtë shërbëtori e më pas u përul edhe më shumë deri në pikën e vdekjes në kryq (Filipianëve 2:5-8). Megjithatë si rezultat i asaj vepre bindjeje, Perëndia e vendosi të vajosurin e Tij si emrin përmbi gjithë emrat (Filipianëve 2:9-11). Në të tashmen, teksa presim tronditjen përfundimtare të qiellit dhe të tokës, thirrja jonë është që të jemi besnikë, duke e ditur se për shkak të vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit mundi ynë në Zotin nuk është i kotë (I Korintasve 15:58).

Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-haggai

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Zotimet e Jonathan Edwards-it