Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Fjalëve të Urta

Shator 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Anthony Selvaggio

1. Libri i Fjalëve të Urta ka të bëjë me një përmbledhje urtësie dhe jo një përmbledhje garancish.

Në pamje të parë libri i Fjalëve të Urta duket se na ofron një përgjigje të lehtë, të shpejtë dhe plot me formula për të gjitha problemet e jetës. Ai duket se u garanton begati dhe sukses të gjithë atyre që në jetën e tyre vënë në zbatim ekuacionin që gjendet në to. E thënë ndryshe, një lexim sipërfaqësor i Fjalëve të Urta mund të na bëjë të nxjerrim përfundimin se po bëmë “X”-në do të marrim “Y”-në, ku “X”-ja është urtësia dhe “Y”-ja është suksesi dhe begatia njerëzore. Për shembull, te Fjalët e Urta 3:1–2 na thuhet se gjithsecili që kujton mësimet e Fjalëve të Urta dhe i mban urdhërimet e tyre, do të përjetojë jetë të gjatë dhe begati. Po të  përqendrohemi vetëm te kjo pikë, atëherë mund të na duket se suksesi është i garantuar, apo jo? E shikoni, pra, se sa tunduese është që t’i lexoni Fjalët e Urta në këtë mënyrë thjeshtëzuese, por një lexim i tillë do të ishte i gabuar dhe me shumë gjasë i dëmshëm.

Fjalët e Urta nuk na ofrojnë formula që funksionojnë përherë dhe në çfarëdolloj situate, por përkundrazi parime të urta, të cilat ia vlen t’i hulumtojmë dhe t’i vëmë në zbatim në mënyrë të mençur. Kur i lexojmë Fjalët e Urta, duhet ta bëjmë këtë në përputhje me parimin e përgjithshëm biblik që shpërblimi nuk vjen gjithmonë menjëherë pas bindjes. Nganjëherë ndodh që shpërblimet tona për bindjen shtyhen deri në një kohë të mëvonshme, madje deri në epokën e ardhshme. Mos harroni që Jezusi që ishte mishërimi i urtësisë dhe që jetonte duke iu bindur përsosmërisht të gjitha urdhërimeve, vuajti tmerrësisht për njëfarë kohe. Ai u lartësua vetëm pasi vuajti në bindje (Filipianëve 2:5–11). Duhet të vëmë në zbatim urtësinë e Fjalëve të Urta jo sepse kjo urtësi do të na sigurojë rezultate të garantuara, por sepse është një dhuratë nga Perëndia për të drejtuar jetën tonë në këtë botë.

2. Fjalët e Urta na kujtojnë se Perëndia kujdeset për të gjitha aspektet e jetës sonë.

Një prej cilësive të librit të Fjalëve të Urta është fushëveprimi i tij i gjerë. Fjalët e Urta trajtojnë shumë aspekte të jetës njerëzore në një mënyrë shumë praktike. Në qoftë se do ta klasifikonit përmbajtjen e Fjalëve të Urta sipas temave që trajtohen, do të zbulonit se ato trajtojnë një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë këtu paranë (Fjalët e Urta 3:9, 13–14; 11:4; 13:7, 11, 22; 14:31; 21:5; 28:6, 20; 30:8–9), gjuhën (Fjalët e Urta 10:19; 12:19; 15:23, 28; 17:27–28; 25:11; 26:20), punën (Fjalët e Urta 6:6–11; 12:11; 19:15; 20:4, 13; 26:13–16), miqësinë (Fjalët e Urta 17:17; 18:24; 27:6, 9), martesën (Fjalët e Urta 12:4; 18:22; 19:14; 27:15; 31:30), prindërimin (Fjalët e Urta 13:24; 17:6; 19:18; 22:6; 23:13–14; 29:17), si dhe seksualitetin e njeriut (Fjalët e Urta 5:3; 8–9, 15–19; 6:27–29). Kjo na kujton se Perëndia kujdeset për çdo aspekt të jetës sonë dhe dëshiron që ta vëmë në zbatim Fjalën dhe urtësinë e Tij në çdo fushë të saj.

Ndodh që të krishterët e ndajnë jetën e tyre në pjesë të ndryshme, duke e mbyllur besimin e tyre brenda adhurimit të së dielës në mëngjes, si dhe brenda të ashtuquajturave gjëra “frymërore”, si adhurimi personal, lutja dhe ungjillëzimi. Ndonëse besnikëria në disiplinat frymërore është e rëndësishme për Perëndinë dhe mirëqenien tonë, po kështu është mënyra se si e administrojmë pasurinë, se si përdorim fjalët, si e kryejmë punën, dhe si i zgjedhim shokët dhe bashkëshortët. Duke na ofruar urtësinë e Perëndisë për të gjitha fushat e jetës, Fjalët e Urta e sfidojnë dhe e ndreqin tundimin tonë për ta ndarë besimin tonë në pjesë të ndryshme nga njëra-tjetra.

Për më tepër, kujdesi atëror i Perëndisë për të gjitha aspektet e jetës sonë shërben për t’i mbushur këto sfera të përvojës njerëzore me domethënie e rëndësi të madhe. Fjalët e Urta na ndihmojnë që të përqafojmë një këndvështrim rreth jetës dhe botës, i cili na shtyn ta bëjmë gjithçka që bëjmë për lavdi të Perëndisë (I Korintasve 10:31). Fjalët e Urta na kujtojnë se çdo gjë që bëjmë, ka rëndësi për Perëndinë dhe se Perëndia do më të mirën për ne. Tekefundit, gjerësia e gjithëmbarshme e urtësisë së Fjalëve të Urta është një dhuratë nga Perëndia që të na ndihmojë të rritemi dhe lulëzojmë.

3. Duke e vënë theksin tek urtësia, Fjalët e Urta na drejtojnë te Jezusi.

Ndonëse Fjalët e Urta shpesh nuk shihen si një burim tipologjie apo paralajmërimi rreth veprës së Jezu Krishtit, ky libër flet për Jezusin në disa mënyra të fuqishme. Së pari, Ungjijtë vënë në dukje se Jezusi zotëronte urtësi të madhe. Madje që kur ishte fëmijë, kur po u jepte mësim burrave e pleqve në tempull, Jezusi e shfaqi qartë urtësinë e Tij dhe na thuhet se Ai u rrit në urtësi (Luka 2:47–52). Veç kësaj, kur Jezusi e nisi shërbesën e Tij publike, metoda e Tij e parapëlqyer e mësimdhënies ishte përmes përdorimit të shëmbëlltyrave, që janë një metodë mësimi e urtësisë. Ungjijtë e përshkruajnë Jezusin si një mësues urtësie, shumë i ngjashëm me të urtin e Fjalëve të Urta.

Lidhja e dytë mes Jezusit dhe Fjalëve të Urta ka të bëjë me faktin se Fjalët e Urta na mësojnë vlerën e paçmuar të urtësisë. Ato na nxisin që ta shohim urtësinë si një gjë më të vlefshme sesa argjendi dhe ari (Fjalët e Urta 3:14–35). Fjalët e Urta i paralajmërojnë lexuesit e tyre që të kërkojnë dhe të gjejnë urtësinë për shkak të natyrës së saj të paçmuar. Dhiata e Re na thotë se Jezusi është “urtësi nga Perëndia” (I Korintasve 1:30) dhe se në Të janë të fshehura të gjitha “thesaret e urtësisë dhe të njohjes” (Kolosianëve 2:3). Kështu që paralajmërimi i librit të Fjalëve të Urta që të ndjekim urtësinë mbi çdo gjë tjetër, është në fund të fundit që të ndjekim Atë i cili është urtësia. Jezusi jo vetëm që zotëronte urtësinë dhe e jepte mësim atë, por Ai është vetë urtësia. Të mosndjekurit e Tij është forma më e rëndë e marrëzisë njerëzore.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-proverbs

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Titit