Gusht 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Mark Johnston
E parë sipërfaqësisht, Letra e Palit drejtuar Filemonit duket si një letër personale e nxitur nga nevoja për të trajtuar një problem të dhimbshëm që kishte lindur në një familje të krishterë në botën e Dhiatës së Re. E tillë është faktikisht, por në përputhje me qëllimin më të gjerë të Perëndisë, Ai e pa të udhës që ta përfshinte në kanonin e Dhiatës së Re për të mirën e kishës përgjatë epokave.
Në sipërfaqe, çështja që trajtohet në të, është qartësisht e dukshme. Një skllav që quhej Onesim me shumë gjasë kishte vjedhur para prej të zotit, Filemonit, dhe ishte arratisur, me shumë mundësi në Romë. Në përputhje me ligjet e Romës, një veprim i tillë mbartte pasoja të rënda për shkelësin, pasoja të cilat përfshinin të drejtën e skllavopronarit që t’ia merrte jetën skllavit të vet nëse dëshironte. Mirëpo, në rastin e Onesimit, teksa ky i fundit po përpiqej të arratisej prej padronit tokësor, ai pa e kuptuar as vetë, ra në duart e një Padroni të ri e qiellor, kur u takua me Jezusin përmes predikimit të Palit gjatë kohës që ky i fundit ishte i burgosur në Romë.
Pa e shfajësuar vjedhjen e Onesimit, Apostulli pa se si jeta e këtij skllavi u kthye përmbys prej hirit. Ai u shndërrua nga një ikanak “i padobishëm” në sytë e Filemonit në një njeri “të dobishëm” jo vetëm për Palin, por edhe për padronin e vet të mëparshëm gjithashtu (Filemonit 1:11[1]). Forca e kësaj përmbysjeje shfaqet në lojën e fjalëve, të lidhur me emrin e tij, Onesim, që do të thotë “i dobishëm”. Apostulli i shkroi Filemonit jo vetëm për t’iu lutur që ta pranonte sërish Onesimin, por edhe që ta mirëpriste atë si një vëlla në Krishtin. Për më tepër, Pali i premtoi Filemonit se do t’ia mbulonte ai vetë humbjet financiare që kishte pësuar Filemoni si pasojë e vjedhjes.
Si mund ta shpjegojmë reagimin kundërkulturor ndaj keqbërjes së Onesimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër kërkesës në dukje të jashtëzakonshme drejtuar Filemonit nga ana e Palit? Përgjigjja është Krishti dhe cilët bëhemi në Krishtin kur bashkohemi me Të në shpëtim.
1. Krishti na aftëson që t’i shohim rrethanat tona përmes një lenteje të ndryshme.
Pali kishte rënë sërish në burg dhe ai reagoi sërish ndaj burgimit të vet, jo duke murmuritur dhe duke u ankuar për këtë situatë, por, përkundrazi, duke njohur provaninë e Perëndisë në gjithë sa po i ndodhte. Ai e përshkruan veten si “i burgosur i Krishtit Jezus” (Filemonit 1:1). “Shpërblimi” i tij për shërbesën besnike ishte burgu, por këtu sikurse edhe gjetkë, ai e sheh atë si një pjesë të misterit të qëllimit të Atit të vet qiellor, që po përmbushet qoftë për të ashtu edhe përmes tij. Në rastin në fjalë, kjo do të thoshte se diku e dikur e ndeshi Onesimin, e kuptoi se i zoti (Filemoni) ishte shoku i tij i ngushtë dhe duke e ndarë ungjillin me këtë ikanak, e pa atë të fillonte një jetë të re në Krishtin.
Pavarësisht se nga një këndvështrim njerëzor kjo situatë mund të dukej shqetësuese dhe shkurajuese, Pali po mësonte se, megjithëse rrugët e Zotit shpesh nuk janë ato që do të zgjidhnim për veten, ato janë gjithmonë më të mirat si për popullin e Tij, ashtu edhe për lavdinë e Tij. Sa e vërtetë ka qenë kjo për popullin e Zotit gjatë gjithë kohërave! Sado e vështirë që të jetë për ta kuptuar kur ndodhin gjërat, e dimë se Zoti vepron sipas urtësisë së Tij të dashur në çdo rrethanë të jetës.
2. Marrëdhënia jonë me Krishtin e shndërron mënyrën se si kemi të bëjmë me të tjerët.
Po të futemi pak më thellë, e kemi të pamundur të mos e vëmë re se si bashkimi i Palit me Krishtin e ndryshoi në mënyrë rrënjësore marrëdhënien e tij me çdo besimtar, me të cilin ndante këtë lidhje të shenjtë. Bashkimi vetjak me Krishtin shtrihet në përbashkësinë kolektive me gjithë popullin e Tij. Domethënë, ashtu sikurse në familjet tona natyrore ne dhe vëllezërit dhe motrat tona bashkëndajmë ADN-në e prindërve tanë, kështu edhe në familjen e Perëndisë bashkëndajmë të njëjtën ADN frymërore me Krishtin, Vëllain tonë më të madh dhe Shpenguesin tonë.
Për Apostullin, kjo gjë e transformonte mënyrën se si e shihte marrëdhënien jo vetëm me të porsakthyerin në besim, Onesimin, por edhe me Filemonin, Apfinë dhe Arkipin (i cili mendohet se ishte një bashkëpunëtor në kishën që mblidhej në shtëpinë e Filemonit). Është interesant fakti që Pali vazhdon të thotë: “Lutem që pjesëmarrja e besimit tënd të bëhet vepruese në njohjen e plotë të çdo të mire që është në ne për Krishtin” (Filemonit 1:6). Fjala greke që përkthehet si “pjesëmarrje” është “koinonia” — e cila shpesh përkthehet edhe si “përbashkësi” — dhe që ka të bëjë me të vepruarin e dukshëm mes besimtarëve të bashkësisë së tyre dhe Perëndisë në shpëtim.[1]
Kur hyjmë në këtë marrëdhënie të pashoqe jetëshndërruese me Perëndinë përmes Birit të Tij, ajo duhet të shfaqet edhe në marrëdhëniet e shndërruara me të tjerët gjithashtu.
3. Hiri i Perëndisë kthehet në shenjën dalluese të jetës sonë si populli i Tij.
Gjëja më mbresëlënëse dhe sfiduese që Apostulli thotë në këtë letër nuk është thjesht nxitja që i bën Filemonit për të mirëpritur Onesimin, i cili e kishte tradhtuar atë mjaft rëndë, por që ai ta trajtonte këtë të fundit si një “vëlla të dashur” në Krishtin (Filemonit 1:16). Filemoni me shumë gjasë mund të ketë reaguar instinktivisht duke e konsideruar këtë si të padrejtë, por Pali i lutet atij që ta bëjë këtë, duke i premtuar se ai vetë do ta dëmshpërblente mikun e vet për gjithçka që i kishte vjedhur Onesimi. Pali gjithashtu e nxit Filemonin që ta bëjë këtë, duke i kujtuar atij hirin e Zotit Jezu Krisht, pra, favorin falas e të pamerituar të Perëndisë, përmes të cilit Filemoni kishte marrë shpëtimin dhe përmes të cilit çdo aspekt i jetës së tij tani po shndërrohej. Pra, për të gjithë të krishterët, ajo që na bën të dallueshëm në këtë botë të rënë, është hiri sipas Krishtit, që i jep formë marrëdhënieve tona.
___________________________[1] Vargjet biblike janë marrë nga versioni BiblaPRO, të cilin e gjeni tashmë si aplikacion.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-philemon
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025