Tetor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Justin Estrada
Faqet e librit të Ezekielit janë plot e përplot me tensione të shumëllojshme: populli i Perëndisë i ndarë përgjysmë mes të shpërngulurve në Babiloni dhe banorëve të rrethuar të Jerusalemit, një profet i përvuajtur me prejardhje priftërore, i cili rri shtrirë në të majtën e tij për 390 ditë dhe që refuzon të vajtojë vdekjen e të shoqes, si dhe një varg vegimesh të mbushura me simbolizëm ezoterik[1] e të ndërthurura me orakuj piktoreskë e mbresëlënës (Ezekieli 4:4-8; 24:15-24). Mbase tensioni më i madh në librin e Ezekielit ka të bëjë me zbulimin e natyrës së Perëndisë: transhendent (i përtejbotshëm) por edhe imanent (i pranishëm), i shenjtë dhe i fyer prej mëkatit por edhe falës, si dhe i tmerrshëm në gjykimin e Tij por edhe i mrekullueshëm në mëshirën e Tij. Megjithëse këto tensione me shumë gjasë e pështjellojnë apo e hutojnë lexuesin, libri i Ezekielit e bën të njohur emrin si dhe lavdinë e Zotit në një mënyrë të pashoqe dhe udhëzuese.
Këto tri gjëra duhet t’ju ndihmojnë për t’i dhënë zgjidhje këtyre tensioneve dhe për t’u kënaqur me profecitë e Ezekielit.
1. Vegimet dhe orakujt e çuditshëm të Ezekielit shfaqin një Perëndi të lavdishëm por të njohshëm.
Nuk ke pse lexon shumë kapituj nga libri i Ezekielit për t’u ndier i hutuar. Gjatë vegimit fillestar që shënon edhe thirrjen e tij në detyrë, ku shfaqen katër krijesa të gjalla (më vonë të identifikuara si kerubinë) me tipare të jashtëzakonshme, kemi një teofani të “shëmbëlltyrës së lavdisë së ZOTIT”, që i trondit shqisat njerëzore dhe një sërë veprimesh simbolike që shoqërojnë misionin e tij — duke përfshirë gëlltitjen e një rrotulle dhe të qenët memec përkohësisht (Ezekieli 1:1-3:27; 10:20). Dhe ky nuk është veçse fillimi i librit. Gjatë gjithë librit përsëriten veprime profetike, imazhe të fuqishme, shpallje hyjnore dhe vizita nga Zoti i lavdishëm, i shoqëruar nga një suitë engjëllore (shih Ezekieli 10:1-22; 40:1-4).
Mirëpo, dijeni këtë: duhet të mbeteni të mahnitur. Takimi me lavdinë e Perëndisë së përtejbotshëm kërkon një reagim të karakterizuar nga mahnitja dhe përulësia. Pas vegimit të tij, Ezekieli bie përmbys (Ezekieli 1:28). Një nga qëllimet se përse është hedhur në letër kjo pjesë e shërbesës së tij të drejtuar nga Fryma është që të nxisë te ne të njëjtin reagim të karakterizuar nga frika e shenjtë. Njerëzit, qoftë Ezekieli apo të mërguarit në Babiloni apo edhe ne sot, nuk mund ta njohin Perëndinë sipas kushteve të tyre: Ai duhet të zbulojë Veten. Mirëpo, duhet ta kemi të qartë gjithashtu se Ezekieli zbulon se Perëndia ynë sovran është i pranishëm dhe e bën Veten të njohur në mbarë botën, siç zbulohet në fjalinë e përsëritur: “Do të pranoni se unë jam ZOTI”, e cila shfaqet në të gjithë orakujt që i drejtohen qoftë Izraelit ashtu edhe kombeve (Ezekieli 7:4, 9; 11:10; 13:9 etj.).
Fatkeqësisht, mëkati dhe apostazia e njeriut e bëjnë të nevojshme që Perëndia i shenjtë ta zbulojë Veten fillimisht përmes gjykimit dhe ky fakt na çon te pika vijuese.
2. Prejardhja priftërore e Ezekielit vihet në dukje për të theksuar shenjtërinë e Perëndisë.
Në fillim të librit, Ezekieli e bën të qartë se ai është një prift, edhe pse me shumë gjasë kurrë nuk e pati mundësinë që ta ushtronte këtë ofiq në Jerusalem (Ezekieli 1:3). Në vend të kësaj, Zoti e thirri atë që të shërbente si profet i Tij, fillimisht duke shpallur orakuj gjykimi kundër popullit të Vet kryengritës dhe më pas duke gjykuar kombet e këqija (Ezekieli 1:1–24:27; 25:1–32:32). Pavarësisht nga ndryshimi i karrierës, Ezekieli i përdor gjerësisht njohuritë e tij priftërore, veçanërisht për sa i përket shenjtërisë së Perëndisë në gjykim.
Teksa Ezekieli ushtron ofiqin e tij prej prokurori, i mbushur me Frymën e Shenjtë, ai nuk nguron të vërë në dukje shkeljet e besëlidhjes së vjetër nga ana e kishës kundër statuteve të besëlidhjes së Perëndisë dhe ndotjen e tyre përmes idhujtarisë (Ezekieli 5:6; 16:59). Këto veprime rrezikonin që “të përdhosnin” vetë emrin e Zotit, duke e nxitur Perëndinë që ta ruante shenjtërinë e këtij emri duke hequr praninë e Tij të lavdishme (që simbolizohet prej fronit të tij qiellor e të lëvizshëm) nga Jerusalemi dhe duke caktuar një ditë gjykimi për përdhosjen që i bëhet emrit të tij (Ezekieli 20:9, 14). Ezekieli demonstron ligësinë e rebelimit të Izraelit përmes paraqitjeve të larmishme letrare, ku mbase më tronditësja është alegoria e dy motrave të pabesa (Ezekieli 23:1-49). Dhe që kombet të mos ngazëllehen prej rënies së Jerusalemit dhe ta mendojnë veten si të paprekshme, Ezekieli përzgjedh shtatë mbretëri rrethuese, të cilat simbolizojnë gjithë kombet e botës, dhe u drejton atyre orakuj të ngjashëm gjykimi. Edhe ata do të japin llogari për ligësinë dhe rebelimin e tyre kundër Perëndisë së shenjtë dhe bota do ta njohë lavdinë e Tij përmes gjykimit të tyre.
Mirëpo, përpara se Izraeli ta braktisë çdo shpresë, Ezekieli citon një koncept tjetër priftëror për të parathënë rivendosjen, i cili është tempulli.
3. Jezusi i përmbush profecitë e Ezekielit rreth rivendosjes, duke qenë vetë Jezusi tempulli i Perëndisë.
Edhe në mes të gjykimit, Perëndia i shenjtë, i lavdishëm i Izraelit profetizonte rreth rivendosjes. Ai do ta ringjallte popullin e Tij të besëlidhjes me po atë siguri të ringjalljes së kockave të thara, që Ezekieli dëshmoi (Ezekieli 37:1-14). Mirëpo, Zoti nuk do t’i rivendoste ata në gjendjen e tyre përpara gjykimit, por Ai do t’i pastronte dhe do t’u jepte një zemër të re, do t’i rithemelonte në mbretërinë e tyre stërgjyshore, do të vendoste mbi ta një princ davidik, si dhe do të banonte mes tyre për jetë e mot (Ezekieli 36:22–37:28). Ezekieli e paraqet gjendjen e ndryshuar të paqes besëlidhëse mbi të gjitha përmes vegimit të tempullit të ri, i cili simbolizon praninë e përjetshme të Zotit, siç bëhet e qartë nga emri i qytetit: “ZOTI është atje” (shih kapitujt 40–48).
Përmbushja e profecisë së Ezekielit e tejkalon rindërtimin e Tempullit të Dytë, duke arritur pikën e saj kulmore në Jezusin. Veprat e frymëzuara të Apostullit Gjon japin dëshmi për këtë fakt. Plotësia e lavdisë së Perëndisë shfaqet në të mishëruarin Bir të Perëndisë, i cili banon[2] mes popullit të Tij dhe do ta bëjë të njohur Perëndinë (Gjoni 1:14-18). Jezusi e njëjtëson veten me tempullin, duke e krahasuar traumën e shkatërrimit të tij me kryqëzimin e Vet dhe lavdinë e rindërtimit të këtij të fundit me ringjalljen e Vet (Gjoni 2:18-22). Veç kësaj, ashtu si Ezekieli parashikon një lumë që rrjedh prej tempullit, duke i dhënë jetë gjithë botës, ashtu edhe Jezusi e shpall Veten si burimi i ujërave të gjalla (Gjoni 4:1-43; 7:37-39). Në vegimin e tij përfundimtar, Gjoni pa të njëjtin lumë që rridhte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit, duke i sjellë pastrim dhe shërim popullit të Tij të shpërndarë në mbarë kombet (Zbulesa 22).
Tensioni më i madh i Ezekielit ka lulëzuar në potencialin më të madh të mundshëm: prania e përjetshme e Perëndisë dhe e Qengjit.
__________________________________[1] Ezoterike: të mistershme, të vështira për t’u kuptuar. (shënim i redaktores)
[2] Fjalë për fjalë në greqisht: tabernakullon (ἐσκήνωσεν), banon në tendë/ngre tabernakull. (shënim i redaktores)
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-ezekiel
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025