Tri gjëra që duhet t’i dini rreth Esterit

Korrik 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Aaron Garriott

Libri i Esterit nuk e përmend drejtpërdrejt emrin e Perëndisë. Faktikisht, kjo është një histori tërësisht e zhveshur prej fesë dhe përshpirtshmërisë. Personazhet kryesore të librit nuk duket se janë judenj besnikë e të devotshëm tej mase të përfshirë në mbajtjen e besëlidhjes së Perëndisë. Çfarë mund të mësojmë rreth Perëndisë dhe rrugëve të Tij në këtë libër?

Pavarësisht nga dashuria ime për Esterin dhe historinë e saj (një prej vajzave të mia quhet Hadasah, pra, mban emrin judaik të Esterit), më duhet ta pranoj se ka disa pika gjatë librit kur e pyes veten se ku qëndron shpresa e vërtetë e Esterit dhe e Mardokeut, dhe nëse veprimet e tyre pasqyrojnë besimin që përshkruhet te Hebrenjve 11. Pavarësisht nga këto përshtypje fillestare, po ta shohim më nga afër, Esteri na mëson disa të vërteta teologjike të thella, të cilat veç e gjallërojnë jetën e krishterë. Më poshtë renditen tri gjëra që duhen ditur rreth Librit të Esterit.

1. Besnikëria besëlidhëse e Perëndisë: Libri i Esterit është një rrëfim drithërues mbi gati-gati shfarosjen e premtimeve besëlidhëse të Perëndisë.

Ngjarjet në Librin e Esterit ndodhin shumë larg nga Toka e Premtuar. Disa prej izraelitëve ishin kthyer në Jerusalem nga mërgimi pas dekretit të Kirit në vitin 539 para Krishtit (shih Ezdra 1:1-4). Mirëpo, disa kishin vendosur të qëndronin në Persi. Lexuesi njihet shpejt e shpejt me një prej atyre vajzave hebreje, që mbeti në Persi. Ajo përfshihet shpejt në jetën e shtresave të larta të Persisë, duke u bërë mbretëreshë, pasi mbreti i Persisë u turpërua nga pafytyrësia e mbretëreshës së tij të mëparshme.

Përmes një narrative mjeshtërore të endur me fijet e pritjes plot ankth, ironi e satirë, autori rrëfen se si një gjest i parëndësishëm dhe i pafjalë çon në lindjen e një konflikti mes dy burrave (amalekitit Haman dhe judeut Mardoke). Ky konflikt arrin gati në shfarosjen e popullit të besëlidhjes së Perëndisë (dhe në këtë mënyrë edhe të premtimeve të Tij) përmes një gjenocidi të sanksionuar nga shteti. Vetëm në saje të një nate të pagjumë të një mbreti të pamend dhe të dinakërisë së çastit të një mbretëreshe të komprometuar nga pikëpamja morale situata përmbyset në momentin e fundit. Udhëheqësi i gjenocidit, Hamani, përfundon në trekëmbëshin që kishte ndërtuar për armikun e vet, Mardokeun, ndërsa judenjtë shpëtojnë nga shfarosja.

Ky libër i ngjason një romani plot ankth dhe nëse nuk e keni lexuar atë me një frymë ju këshilloj që ta bëni këtë sa më shpejt. Përmbysjet e narrativës na mësojnë një gjë shumë të rëndësishme: Perëndia është zotuar që t’i mbajë premtimet e Tij të besëlidhjes ndaj Abrahamit, Isakut dhe Jakobit dhe nuk ekziston asnjë kukull e Satanit — as Faraoni, as Ashabi, as Absalomi, as Nebukadnetsari dhe as Hamani — që mund ta pengojë ose ta zhbëjë zotimin besëlidhës të Perëndisë për ta ruajtur të Vetin popull.

2. Provania e padukshme e Perëndisë: Libri i Esterit hesht në lidhje me Perëndinë me qëllim që të na mësojë diçka me zë të lartë rreth Perëndisë.

Pothuajse-të satirike në Librin e Esterit i demonstrojnë në mënyrë rrëfimtare veprat e provanisë së Perëndisë, të cilat Katekizmi i Hajdelbergut i përshkruan si më poshtë:

Provania është fuqia e plotfuqishme dhe e gjithëpranishme e Perëndisë përmes së cilës Perëndia i mban, njëlloj sikur me dorën e Tij, tokën dhe qiellin dhe të gjitha krijesat, dhe sundon mbi to në atë mënyrë që çdo gjethe dhe fije bari, shiu dhe thatësira, vitet e mbara dhe të varfra, ushqimet dhe pijet, shëndeti dhe sëmundjet, begatia dhe skamja, pra, faktikisht, të gjitha gjërat, të vijnë tek ne jo rastësisht, por nga dora e Tij atërore. (Pyetje&Përgjigje 27)

Mund të duket sikur gjithçka po ndodh rastësisht në Librin e Esterit, por lexuesi që e ka mendjen te gjërat e Perëndisë, do ta kapë të vërtetën se është një Dramaturg mjeshtëror, i cili po orkestron të gjitha gjërat për të mirën e popullit të Tij të besëlidhjes — ata që e duan Atë dhe janë thirrur sipas qëllimeve të Tij (Romakëve 8:28). Nuk ka asnjë aksident në kujdesin e provanisë së Perëndisë. Çdo rastësi në librin e Esterit bërtet me të madhe rreth provanisë së heshtur dhe të padukshme të Perëndisë, e cila i qeveris të gjitha krijesat e Tij dhe të gjitha veprimet e tyre (Katekizmi i Shkurtër i Uestminsterit [WSC] 11). Heshtja e Perëndisë në këtë libër na jep një mësim shumë të vyer: qeverisja dhe ruajtja e plotfuqishme e Perëndisë ndaj të gjitha krijesave të Tij është shumë e heshtur për t’u shpërfillur. Nuk ka asgjë jashtë fushëveprimit të provanisë së Tij, edhe atëherë kur nuk e shohim dot Dramaturgun tek drejton shfaqjen e Vet.

3. Perëndia zgjedh vazhdimisht njerëz të mangët: Libri i Esterit i lë pa përgjigje shumë pyetje morale rreth personazheve kryesore, që janë populli i besëlidhjes së Perëndisë.

Në përputhje me stilin tregimtar hebraik autori i Librit të Esterit i rrëfen ngjarjet pa dhënë një vlerësim për çdo veprim. Kjo shpesh ka bërë që dy personazhet kryesore të librit, Esteri dhe Mardokeu, janë lëvduar si shembuj moralë dhe heronj besimi. Mirëpo, ngjarjet që rrëfehen në libër janë të turbulluara prej një përzierje të rrëmujshme frike dhe besimi dhe lexuesi shpesh e ka të vështirë të kuptojë se kur është njëra dhe kur tjetra. Lexuesit i mbeten shumë pyetje pa përgjigje lidhur me karakterin dhe veprimet e Esterit dhe të Mardokeut. Disa prej këtyre paqartësive që mbeten pa përgjigje, shprehen në pyetjet e mëposhtme:

  • Përse vallë Mardokeu dhe Esteri nuk u kthyen në atdheun e tyre (Esteri 2:5)?
  • Përse vallë Esteri nuk shqetësohej për zbatimin e ligjeve mbi ushqimin, të urdhëruara nga Zoti, apo ishte thjesht një viktimë e pafajshme e rrethanave të saj (Esteri 2:9)?
  • Përse vallë Mardokeu e këshilloi Esterin që të mos e zbulonte trashëgiminë e saj fetare (Esteri 2:10, 20)?
  • Përse vallë Mardokeu, në vend që të protestonte e la mbesën që ta merrnin në pallatin e mbretit (Esteri 2:8) dhe të përfundonte në dhomën e gjumit të një mbreti të porsadivorcuar (Esteri 2:15-18)?
  • A ishte refuzimi i Mardokeut për t’u përkulur përpara Hamanit, një veprim ky me pasoja kolosale, një kokëfortësi egoiste apo një qëndrim besnik (Esteri 3:2)?
  • A po vepronte Esteri e shtyrë nga egoizmi apo nga urtësia, kur fillimisht refuzoi që t’i lutej mbretit për shpëtimin e popullit të saj (Esteri 4:10-11)?
  • Pas refuzimit fillestar të Esterit ndaj kërkesës së Mardokuet që t’i lutej mbretit për shpëtimin e judenjve, a kërcënoi Mardokeu që ta demaskonte mbesën e tij apo ai thjesht po jepte një paralajmërim të hirshëm (Esteri 4:12-14)?
  • A po tregohej Esteri dinake në mënyrë mashtruese apo të drejtë në ftesat për darkë që i bëri mbretit dhe Hamanit (Esteri 5:4-8)?
  • A u tregua Esteri mizorisht hakmarrëse apo justifikueshëm oportuniste kur kërkoi që judenjtë të lejoheshin që të vrisnin edhe treqind burra të tjerë dhe të varnin dhjetë djemtë e Hamanit në trekëmbësh (Esteri 9:13-15)?

Ndonëse këto pyetje mund të duken si probleme të pakapërcyeshme (sepse si mundet populli i Perëndisë, i cili shërben si një aktor i rëndësishëm në historinë e shpëtimit, të shfaqë një paqartësi të tillë shqetësuese morale?), ato shërbejnë për të tërhequr vëmendjen drejt lajmit të mirë se, tek e fundit, shpëtimi i Perëndisë nuk varet nga besnikëria apo pabesia e popullit të Tij. Ai është besnik ndaj premtimeve të besëlidhjes së Tij për hir të emrit të Tij (shih Isaia 48:9-11; Ezekieli 20:44). Esteri dhe Mardokeu — si me veprimet e tyre mëkatare e të nxitura nga frika, ashtu edhe me veprimet e tyre të drejta e besnike — zbatojnë planin e pakthyeshëm e të patundur të Perëndisë për “t’i bërë mirë Sionit” (Psalmi 51:18). Kjo është domethënia e vërtetë e historisë së bukur të Hadasahut. Megjithëse është veç një “shkurre mërsine” (kuptimi hebraik i emrit “Hadasah”), e cila nuk i bën të gjitha gjërat siç duhet, mbretëresha Ester është instrumenti i Zotit për të ruajtur bekimet e besëlidhjes së Tij dhe për të zbatuar qëllimet e Tij të provanisë hyjnore. Ky është aspekti më i qartë në historinë e Esterit.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-esther

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 vargje kyç mbi zemërbutësinë