tri gjëra që duhet t’i dini rreth danielit

Tetor 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Scott Redd

Libri i Danielit nuk e ka shokun në Dhiatën e Vjetër për shkak të përmbajtjes së tij dhe rolit thelbësor që luan mes profecive të Dhiatës së Vjetër për rivendosjen e Izraelit dhe përmbushjes së këtyre profecive në Dhiatën e Re përmes jetës, vdekjes, ringjalljes dhe ngjitjes së Jezu Krishtit në qiell. Libri është i pasur me elemente komplekse dhe thellësi, një pasuri që e bën atë të vështirë për t’u përmbledhur shkurtimisht. Gjithsesi libri përmban tri aspekte të cilat e bëjnë atë të kuptueshëm për lexuesit bashkëkohorë.

1. Historitë e fillimit (kapitujt 1–6) i bëjnë të besueshme profecitë e pjesës së dytë të librit (kapitujt 7–12).

Historitë në kapitujt hapës të librit të Danielit, të shkruara kryesisht në gjuhën aramaike, paraqesin tablonë e një brezi të rinjsh nga Juda, të cilët dërgohen në skllavëri në Babiloni në vitin 605 para Krishtit. Atje ballafaqohen me përndjekjen e tmerrshme të pushtuesve të tyre, por gjithashtu ata arritën suksese të jashtëzakonshme falë ndërhyrjes së Zotit, tek i cili vendosën besimin e tyre. Historia e Danielit dhe e shokëve të tij Shadrak, Meshak dhe Abed-nego i shfaq qartë lidhjet gjuhësore dhe letrare me historinë e Jozefit në Egjipt. Për shembull, që të dy përshkruhen si djem të pashëm (Zanafilla 39:6; Danieli 1:4), që të dy interpretojnë ëndrra mbretërish, që u ngjallin këtyre të fundit shqetësim dhe zbulojnë planin e Perëndisë për të ardhmen, si dhe shumë fjalë të njëjta hebraike përdoren në të dyja historitë për t’i lidhur ato së bashku. Njëlloj si Jozefi, Danieli bashkë me miqtë e tij i qëndrojnë besnikë thirrjes së Perëndisë teksa shërbenin në një oborr të huaj, dhe për pasojë, ata ngrihen në pozita kaq të larta dhe të pabesueshme, sa marrin një gjerdan të artë për ta mbajtur në qafë (Zanafilla 41:42; Danieli 5:29).

Besnikëria e tyre përkundër përndjekjes e mbështet mesazhin profetik të Danielit rreth rivendosjes së izraelitëve të diasporës dhe të të mërguarve që ishin kthyer në Jerusalem në vitin 536 para Krishtit pas rënies së Babilonisë në duart e koalicionit medo-persian. Kjo gjë duhet të ketë qenë veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh mesazhin kryesor të Danielit se rivendosja pas shpërnguljes do të shtyhej shtatë herë (Danieli 9:24).

2. Shtyrja e shtatëfishtë e rivendosjes së Jerusalemit, e shpallur nga Danieli, krijon një urë mes ngjarjeve të Dhiatës së Vjetër dhe atyre të shërbesës së Jezusit.

Që në kohën e Moisiut, Izraeli qe paralajmëruar për mundësinë e shpërnguljes dhe njëfarë rivendosjeje kombëtare (Ligji i Përtërirë 28:64-68; 30:1-10). Gjatë gjithë kapitullit 26 të librit të Levitikut, Zoti i thotë Moisiut se, nëse Izraeli nuk pendohet pas shpërnguljes, Ai ka të drejtë ta shtyjë shtatë herë ndëshkimin disiplinues (Levitiku 26:18, 21, 24, 28).

Në kohën e Jeremias, kërcënimi i shpërnguljes ishte përkeqësuar, duke u kthyer nga një mundësi në një gjykim të pritshëm. Koha për pendim kishte kaluar (Jeremia 19) dhe profeti kishte shpallur se, jo vetëm që shpërngulja po afrohej, por se ajo do të zgjaste plot shtatëdhjetë vjet (Jeremia 25:11; 29:10). Danieli i lexonte këto pasazhe, të cilat edhe e frymëzuan që të ofronte lutjen e pendimit te Danieli 9. Ai e dinte se mërgimi nuk do të merrte fund derisa populli i Izraelit të pendohej për mëkatet e veta dhe të kthehej te Perëndia me gjithë zemër për shpëtimin e vet. Për shkak të kësaj lutjeje të drejtë, Zoti dërgoi një lajmëtar (Gabrielin) te Danieli për t’i dhënë lajmin që mërgimi ishte zgjatur shtatë herë. Nuk do të kalojnë shtatëdhjetë vjet deri në fund të “shkretimeve të Jerusalemit”, por shtatëdhjetë herë shtatë, pra, katërqind e nëntëdhjetë vjet. Pjesa tjetër e librit ofron një varg vegimesh që përshkruajnë ngjarjet që do të ndodhin mes kohës së Danielit dhe ardhjes së mbretërisë së Perëndisë.

3. Vegimet e kapitujve 7 deri në 12 e nxisin popullin e Perëndisë që t’i zërë besë planit të Zotit për rivendosje, edhe teksa ndodhin ngjarjet globale të periudhës mes dy Dhiatave.

Çfarë na lë mbresa rreth gjysmës së dytë të Danielit, është fakti se sa specifike dhe të hollësishme janë vegimet rreth ngjarjeve që do të ndodhin përpara ardhjes së Mesias në rivendosje. Përse vallë profeti duhet ta paraqiste kaq hollësishëm rrjedhën e ngjarjeve të ardhshme? Profetët e tjerë ishin më të paqartë dhe impresionistë në parashikimet e tyre rreth së ardhmes, por Danieli ishte jashtëzakonisht i saktë. Përgjigjja duhet të gjendet në mesazhin e librit rreth shtyrjes së shtatëfishtë të rivendosjes. Duke i paraqitur gjërat në mënyrë kaq të hollësishme, profeti po e nxit komunitetin e besëlidhjes që të vazhdojë të besojë në Zotin, edhe gjatë ngritjes dhe rënies së perandorive në rrjedhën e ngjarjeve të historisë botërore. Zoti është ende sovran mbi historinë njerëzore, kështu që populli i Tij duhet të jetë besnik në detyrat e veta dhe t’i gëzojë privilegjet që ka si populli i besëlidhjes së Perëndisë. Gjatë gjithë këtij procesi, ata duhet t’i zinin besë Zotit për shpëtimin e tyre, duke e ditur se një ditë Ai do ta rivendoste popullin e Tij.

Ashtu si mbetja e drejtë e Izraelit duhet të vazhdonte përkundër baticave dhe zbaticave të historisë, pasuesit e Mesias në ditët e sotme duhet të gjejnë shpresë në profecitë e Danielit. Edhe ne kemi detyra dhe privilegje si populli i Perëndisë që presim kthimin e mbretit tonë dhe përmbushjen e programit të rivendosjes, të cilin Ai e nisi dy mijë vjet më parë (II e Pjetrit 3:1-13). Gjithashtu ne konsiderohemi mërgimtarë që e kanë parë Mbretin mesianik dhe i shërbejnë Atij në mes të ngjarjeve globale që po ndodhin (I e Pjetrit 1:1; shih Jakobi 1:1). Njëlloj si Danieli dhe shokët e tij, edhe ne nuk do të shtypemi nga ingranazhet e fuqive gjeopolitike, sepse i shërbejmë një Mbreti më të madh, i cili ka caktuar lirisht dhe në mënyrë të pandryshueshme gjithçka që do të ndodhë (Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit 3.1).


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-daniel

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?