Nëntor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet t’i dini rreth...
Allan Harman
Dimë shumë pak për disa nga profetët, por libri i Amosit, njëlloj si ai i bashkëkohësit të tij, Isaia, ndryshon nga librat e profetëve të tjerë. Amosi na tregon që në fillim të librit të tij se ai ishte nga Tekoa dhe se shërbesa e tij kishte në qendër mbretërinë veriore të Izraelit. Amosi e bën të qartë se profecitë e tij qenë shpallur dy vjet para tërmetit, atëherë kur Uziahu mbretëronte në Judë dhe Jeroboami sundonte mbi Izraelin (Amosi 1:1). Kjo do të thotë se libri i tij duhet të datohet rreth vitit 760 para Krishtit, megjithëse nuk kemi asnjë mënyrë për të përcaktuar me saktësi datën e tërmetit. Janë tri gjëra të veçanta që duhet t’i mësojmë prej këtij libri.
1. Një profet duhej të thirrej nga Perëndia.
Amosi nuk ishte nga mbretëria veriore e Izraelit, por nga mbretëria jugore e Judës. “Shko, ik në vendin e Judës,” ishte mesazhi i Amatsiahut, njëri prej priftërinjve në Bethel, “atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh” (Amosi 7:10-13). Amosi kishte qenë bujk derisa e urdhëroi Perëndia që të shkonte në mbretërinë veriore të Izraelit për të shpallur mesazhin e tij.
Të qenët profet nuk varej nga prejardhja familjare apo nga të bërit pjesë në ndonjë esnaf profesionistësh fetarë. Përkundrazi, varej nga thirrja sovrane e Perëndisë për të shërbyer si zëdhënësi i Tij. Profetët ngriheshin nga Perëndia si ta kërkonte koha dhe iu jepeshin fjalë prej Tij për t’u folur dëgjuesve të tyre. Këtyre lajmëtarëve të zgjedhur hyjnisht u besoheshin fjalët e Perëndisë përpara se të vepronte Perëndia. Këshilla e fshehtë e Zotit bëhej e ditur përmes shërbëtorëve të Tij, profetëve.
2. Roli i profetëve ishte i lidhur me besëlidhjen që Perëndia kishte vendosur me Izraelin.
Roli i profetit ishte që të ndërmjetësonte mes Perëndisë dhe popullit të Tij të besëlidhjes duke shpallur fjalën e Perëndisë dhe duke nxitur bindjen ndaj urdhërimeve të Tij. Ata ishin rojtarët e mbretërisë, duke u përpjekur që t’i mbanin përgjegjës mbretërit dhe udhëheqësit e tjerë përpara Perëndisë për veprimet e tyre. Ata mund të konsiderohen si ndërmjetës zbatimi të besëlidhjes, të përkushtuar ndaj ruajtjes së lidhjes së veçantë të vendosur prej Perëndisë me popullin e Tij.
Besëlidhja i kishte vendosur fëmijët e Izraelit në një marrëdhënie shumë të privilegjuar. Mesazhet e para në librin e Amosit u drejtohen kombeve që rrethonin Izraelin (Siria, Gaza, Tiroja, Edomi, Amoni, Moabi dhe Juda, shih Amosi 1:1–2:16). Më pas, kur profeti më në fund i drejtohet Izraelit, ai transmeton mesazhin e Zotit për atë komb mëkatar: “Vetëm ju ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut” (Amosi 3:2). Teksti hebraik e bën këtë një shpallje theksuese të marrëdhënies ekskluzive mes Perëndisë dhe popullit të Tij: “Vetëm ju...”. Izraeli ishte zgjedhur jo për shkak të numrit të madh apo aftësive të shquara, por thjesht sepse Perëndia i donte ata (Ligji i Përtërirë 7:7).
Mirëpo, një marrëdhënie e pashoqe shoqërohej prej përgjegjësive të pashoqe. Ata duhet ta kuptonin se kur zgjidhesh për të pasur një status të privilegjuar, zgjidhesh edhe për të pasur përgjegjësi. Kurrë nuk kishte për të pasur bekime automatike për Izraelin. Përkundrazi, njerëzit rrezikoheshin prej gjykimit hyjnor, duke qenë të paaftë t’i shmangeshin ndëshkimit për paudhësitë e tyre (Amosi 3:2). Parimi biblik është se gjykimi fillon nga familja e Perëndisë (I e Pjetrit 4:17). Amosi na mëson se privilegjet e besëlidhjes nuk mund të ndaheshin nga detyrimi për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.
3. Perspektiva eskatologjike e Amosit ka disa aspekte.
Pothuajse të gjithë profetët pa dallim kishin një mesazh që kishte të bënte me të ardhmen. Njerëzit e përfytyronin ditën e ZOTIT si një ditë shkëlqimi dhe drite, pa e kuptuar që do të ishte “terr dhe jo dritë, errësirë e madhe dhe pa asnjë shkëlqim” (Amosi 5:20). Ata duhet ta kuptonin se festat e gëzueshme dhe paraqitja e ofertave nuk do ta zbusnin Perëndinë e fyer. Mëkatet e tyre, duke përfshirë këtu atë të idhujtarisë, do të sillnin shpërnguljen e tyre përtej Damaskut (Amosi 5:26-27). Shpërngulja e Izraelit nga territori i premtuar duhet të ishte një tjetër vepër sovrane e Perëndisë (“unë do të bëj që të shkoni... ”).
Mirëpo, janë dy aspekte të tjera të eskatologjisë që paraqesin një tablo shumë më pozitive. I pari ka të bëjë me pasazhin që ka lidhje me tabernakullin e Davidit që ka rënë (Amosi 9:11-12). Familja davidike zinte një vend të rëndësishëm në historinë e Izraelit dhe të Judës. Ajo përshkruhet në një gjendje shumë të keqe, e cila do të ndryshohet përmes rivendosjes, dhe rezultati do të jetë përfshirja e johebrenjve. Mënyra se si Jakobi e përdori këtë pasazh në Këshillin e Jerusalemit, e mbështet këtë interpretim (Veprat e Apostujve 15:16-17). Përfshirja e johebrenjve në kishën e Dhiatës së Re ishte përmbushja e qëllimit të Perëndisë që paraqitet gjatë gjithë shërbesës së Amosit.
Elementi i fundit i shpresës është se Perëndia do ta vendosë popullin e Tij në një Eden të ri. Është i rëndësishëm fakti që, pavarësisht nga mëkati i Izraelit, Perëndia nuk i kishte hedhur tej ata. Ai do të ripërtërijë bekimet e popullit të Tij, një ngjarje kjo, me shumë gjasë, eskatologjike, kur populli i shpërndarë i Perëndisë do të mblidhet në mbretërinë e tij të përjetshme. Fjalët e fundit të profecisë janë pothuajse një riafirmim i marrëdhënies së besëlidhjes, sepse Zoti i besëlidhjes (vini re përdorimin e emrit të besëlidhjes për Perëndinë në këto vargje, yhwh) mbetet Perëndia e tyre dhe Ai do ta përmbushë vullnetin e Tij për ta (Amosi 9:11-15).
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-amos
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025

