tri gjëra që duhet t’i dini rreth 2 e pjetrit

Shator 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Kim Riddlebarger

1. Apostulli Pjetër i paralajmëron kishat për rreziqet e mësimeve të rreme dhe të  paperëndishmërisë që ato prodhojnë.

Pjetri nuk na e ka dhënë emrin e këtyre mësuesve të rremë, mirëpo prej komenteve të tij te II e Pjetrit 2:1–3 bëhet e qartë se ata ishin njerëz që dikur kishin besuar te Krishti, por që më pas ishin larguar prej besimit. Pjetri i përshkruan ata si njerëz që fusnin tinëz herezi shkatërruese, duke mohuar Zotërinë që ata pretendojnë se “i bleu”, teksa bënin për vete një numër të madh pasuesish duke i nxitur që të blasfemonin Zotin. Doktrina e rreme pashmangshmërisht çon në sjellje mëkatare. Për shkak të apostazisë së tyre, gjykimi i Perëndisë do të bjerë me siguri mbi ta.

Në bazë të shumë aluzioneve që bën Pjetri, me shumë gjasë bëhet fjalë për njerëz që i keqpërdornin letrat e Palit për të përligjur sjelljen e tyre antinomianiste (d.m.th. kundër ligjit). Te II e Pjetrit 2:19, Pjetri shkruan: “Duke u premtuar atyre liri, ndërkohë që vetë janë skllevër të prishjes”. Apostulli thotë më tej te II e Pjetrit 3:15–16 se ka disa gjëra në letrat e Palit “të vështira të kuptohen dhe të cilat të pamësuarit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, ashtu si edhe Shkrimet e tjera, për shkatërrimin e vetes së tyre”. Me sa duket, përmbajtja e letrave të Palit shtrembërohej që në epokën apostolike, njëlloj siç ndodh edhe në kohën tonë.

2. Pjetri i përshkruan lexuesit e tij si ata që janë bërë të drejtë përpara Perëndisë përmes besimit.

Ai shkruan: “atyre që morën në short një besim të barasvlershëm me tonin me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht” (II e Pjetrit 1:1). Besimi që na bën të drejtë, është një dhuratë nga Perëndia, e dhënë përmes Jezu Krishtit — burimi i drejtësisë së Perëndisë — dhe për këtë arsye është diçka që është marrë (Efesianëve 2:8–9). Të gjithë ata që kanë marrë një besim të tillë, thuhet se kanë të njëjtin besim “me tonin” (të Apostujve). Besimtarët bëhen të drejtë përpara Perëndisë përmes instrumentit të besimit, nëpërmjet Jezu Krishtit — i cili, siç na thotë Pjetri, është Perëndi.

Përballë pozitës së drejtë të besimtarëve vendoset ajo e të padrejtëve në pjesën tjetër të II e Pjetrit — mësuesit e rremë dhe ata që i ndjekin ata. Ata dikur e njihnin rrugën e drejtësisë dhe pohonin se besonin në ungjillin e predikuar nga Pjetri dhe Apostujt, por më pas e braktisën atë. Pjetri shkruan se do të kishte qenë më mirë për ta që të mos e kishin njohur kurrë rrugën e së vërtetës (II e Pjetrit 2:21), duke i vendosur mësuesit e rremë përballë një shenjtori të Dhiatës së Vjetër, Noeut, i cili ishte “predikues drejtësie” (II e Pjetrit 2:5). Marrja e dhuratës së besimit e dallon të drejtin nga ata që në fund do të përballen me gjykimin e Perëndisë, sepse ata janë larguar nga e vërteta dhe kjo është një çështje kaq serioze, saqë Pjetri e trajton atë gjatë gjithë kapitullit të dytë të kësaj letre.

3. Pjetri na njofton se mësuesit e rremë e mohojnë kthimin e Jezusit.

Pjetri e përshkruan që në fillim të letrës të qenët bashkë me Zotin në Malin e Shndërrimit (II e Pjetrit 1:16–21), ku ai dëshmoi lavdinë e Zotit. Ky moment është edhe themeli i sigurisë së Pjetrit në premtimet e Zotit.

Te II e Pjetrit 3:3–7, Pjetri i paralajmëron lexuesit e vet, duke thënë:

Në ditët e fundit do të vijnë me tallje tallës që shkojnë sipas dëshirimeve të veta dhe që thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse që nga dita që etërit fjetën, të gjitha gjërat mbeten kështu, që nga fillimi i krijimit”.

Pjetri i paralajmëron se bota që ekzistonte shumë kohë më parë (në ditët e Noeut) “duke u përmbytur me ujë, humbi. Ndërsa qiejt dhe toka e tanishme, me anë të së njëjtës fjalë, janë vënë mënjanë për zjarr, duke u mbajtur për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të papërshpirtshëm”.

Pështjellimi rreth kthimit të Zotit ishte një gjë e rëndomtë në kishën e hershme (mjafton të kujtojmë pyetjet dhe përgjigjet rreth kohëve të fundit te dy Letrat e Palit drejtuar Selanikasve), siç ndodh edhe në kohën tonë. Specialistët e profecive të Biblës kanë bërë kaq shumë parashikime të çmendura e të papërgjegjshme rreth ardhjes së dytë të Jezu Krishtit, saqë jo të krishterët nuk i kushtojnë më vëmendje mësimit të Biblës se Jezusi do të kthehet për të ringjallur të vdekurit, për të gjykuar botën dhe për t’i bërë të gjitha gjërat të reja.

Për t’i ngushëlluar lexuesit e vet, Pjetri u kujtoi atyre:

Zoti nuk e vonon premtimin, siç e vlerësojnë disa si vonesë, por ka durim ndaj jush, duke mos dashur që ndonjë të humbë, por të gjithë t’i bëjnë vend pendimit. Por dita e Zotit do të vijë si vjedhës; në të cilën qiejt do të kalojnë me krismë, ndërsa elementet do të shpërbëhen duke u djegur nga nxehtësia dhe toka e veprat që janë në të, do të gjenden zbuluar. (II e Pjetrit 3:9–10)

Kështu, pra, thotë Pjetri, tallësit qofshin të paralajmëruar, ndërsa populli i Perëndisë mbettë shpresëplotë për lavdinë e ardhshme, sepse “sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia” (II e Pjetrit 3:13).


Botuar me leje:https://learn.ligonier.org/articles/3-things-2-peter

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet. ©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?