Tri gjëra që duhet t’i dini rreth 1 dhe 2 Timoteut

Gusht 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Michael G. Brown

Letra e Parë dhe e Dytë drejtuar Timoteut, sikurse edhe ajo drejtuar Titit, njihen si “Letrat Baritore” të Palit. Kjo thjesht do të thotë se ndryshe nga letrat e tjera të Apostullit — të cilat me përjashtim të Filemonit u drejtoheshin bashkësive — letrat në fjalë u drejtohen pastorëve të kishave lokale në lidhje me detyrat e tyre në shërbesë. Kur Pali i shkroi këto letra, Timoteu ishte pastori i kishës së Efesit. E megjithatë, nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, Pali na drejtohet edhe neve gjithashtu. Këto letra janë plot inkurajim dhe nxitje njëlloj si për pastorët ashtu edhe bashkësitë e tyre. Më poshtë renditen tri gjëra që duhet të dimë lidhur me Letrën e e Parën dhe të Dytë drejtuar Timoteut.

1. Doktrina e shëndoshë ka rëndësi.

Efesi ishte një qytet i kamur dhe deri në grykë në përbotshmëri, i cili njihej për ushtrimin e magjisë dhe adhurimin e perëndeshës Artemisë. Megjithatë, feja pagane dhe materializmi nuk ishin të vetmet kërcënime ndaj kishës efesiane. Kur Pali i shkroi këto letra, nëpër qytet po përhapeshin në mënyrë mjaft agresive disa mësime të rreme rreth besimit të krishterë.

Në ditët e sotme, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Njëlloj si Timoteu, edhe ne jetojmë në “ditët e fundit” (II Timoteut 3:1[1]; shih gjithashtu I Timoteut 4:1), një kohë në të cilën njerëzit janë “vetëdashës, dashurues të parasë” (II Timoteut 3:2; shih gjithashtu I Timoteut 6:10) dhe “qejfdashës më tepër sesa perëndidashës” (II Timoteut 3:4). Jetojmë në një kohë kur njerëzit “nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë por sipas dëshirimeve të veta, duke gudulisur veshët, do të grumbullojnë mësues për veten e tyre” (II Timoteut 4:3; shih gjithashtu I Timoteut 1:10). Në kishë na nevojiten drejtues që do t’i mbahen “standardit të fjalëve të shëndosha”, të dhënë prej Apostujve dhe të përmbledhur në besoret dhe rrëfimet e besimit të kishës (II Timoteut 1:13). Na nevojiten shërbëtorë të Perëndisë që “do të predikojnë fjalën… me kohë e pa kohë” (II Timoteut 4:2; shih gjithashtu I Timoteut 4:13), të cilët do të jenë të kthjellët në të gjitha, do të heqin keq dhe do të bëjnë punën e ungjilltarit (II Timoteut 4:5). Këto letra përshkruajnë botën në të cilën jeton kisha tashmë, një botë deri në grykë me apostazi dhe paperëndishmëri. Në qoftë se duam që ungjilli dhe doktrina e shëndoshë të përparojnë edhe në brezin e ardhshëm, kisha, veçanërisht shërbëtorët e Fjalës dhe drejtuesit e kishës, mund t’ua vënë veshin nxitjeve dhe paralajmërimeve që gjenden tek Letra e Parë dhe e Dytë e Timoteut.

2. Guximi gjendet në Krishtin.

Në një botë armiqësore ndaj besimit të krishterë, duhet shumë guxim për të thënë se Krishti është e vetmja rrugë për në qiell. Duhet guxim për të besuar në autoritetin e Biblës dhe për të mos pasur turp për ungjillin e Jezu Krishtit. Guximi është një element thelbësor i jetës së krishterë. Në qoftë se jeni ndier ndonjëherë të frikësuar prej kundërshtarëve të ungjillit apo të shkurajuar prej rrethanave të vështira, ta dini që nuk jeni vetëm. Frika dhe shkurajimi janë armiqtë më të zakonshëm të të krishterëve, duke përfshirë këtu edhe marrësin fillestar të kësaj letre, Timoteun.

Megjithëse ishte kolegu më besnik dhe i besueshëm i Palit, Timoteu ishte po ashtu i ri, i turpshëm, sëmurej shpesh dhe kishte nevojë për inkurajim. Ai po ballafaqohej me një situatë të tillë në kishën e Efesit që e bënte atë të mos dinte se ku ta përplaste kokën. Mësues të rremë, mjaft bindës, po e sulmonin pa mëshirë ungjillin. Disa anëtarë të kishës po e vinin në dyshim autoritetin e tij si pastor i kishës. Veç kësaj, me shumë gjasë ai ndihej i turpëruar nga burgimi i Palit dhe nga reputacioni në rënie i këtij të fundit. Ai duhej të ngrihej në mbrojtje të së vërtetës dhe të predikonte me besnikëri Fjalën e Perëndisë, por ja që i druhej vuajtjeve. Zjarri i tij po shuhej. Pali e ndjeu të nevojshme që t’i kujtonte këtij pastori të ri që të rindizte zjarrin e dhuntisë së Perëndisë (II Timoteut 1:6; shih gjithashtu I Timoteut 4:14), dhe se “Perëndia nuk na dha një frymë burracakërie, por fuqie dhe dashurie, dhe maturie” (II Timoteut 1:7). Vetëm në saje të hirit të Perëndisë në Krishtin Timoteu mund të gjente guximin që të vuante për ungjillin (II Timoteut 1:8-9; 2:3).

Mbase edhe ju mund të ndiheni njëlloj si Timoteu. Mbase ju i druheni njeriut më tepër, sesa duhet. Mbase keni frikë të vuani për ungjillin. Letra e Parë dhe e Dytë drejtuar Timoteut na kujtojnë që të fuqizohemi jo në vetvete, por “në hirin që është në Krishtin Jezus” (II Timoteut 2:1; shih gjithashtu I Timoteut 1:12). Edhe pse është e vërtetë se “të gjithë ata që duan të jetojnë përshpirtërisht në Krishtin Jezus, do të përndiqen” (II Timoteut 3:12), është po ashtu e vërtetë që Fryma e Shenjtë na ka pajisur që ta përmbushim thirrjen tonë dhe të luftojmë luftën e mirë të besimit edhe përkundër frikës (I Timoteut 6:12; II Timoteut 4:7).

3. Fuqia qëndron në Fjalën e Perëndisë.

Timoteu duhet ta mbronte ungjillin prej mësuesve të rremë, me qëllim që t’i përcillej brezit të ardhshëm (I Timoteut 1:3–11; II Timoteut 1:13-14; 2:16-18), si dhe t’ia besonte ungjillin “njerëzve besnikë, të cilët do të jenë të aftë për të mësuar edhe të tjerë” (II Timoteut 2:2; shih gjithashtu I Timoteut 3:1-7) dhe të aftë që të vuajnë për ungjillin sikurse mentori i tyre (II Timoteut 1:8, 12; 2:3, 9; 3:12; 4:5). Mirëpo, mbi të gjitha, Timoteu duhet të predikonte ungjillin. Apostulli veteran i bën kështu një thirrje të fundit kolegut të tij më të ri: “prediko fjalën; ji gati me kohë e pa kohë”, si dhe “ji i kthjellët në të gjitha, hiq keq, bëj punën e ungjilltarit, përmbushe shërbimin tënd” (II Timoteut 4:2, 5). Fuqia për të kthyer në besim dhe për të ndërtuar qëndron në Fjalën e Perëndisë (II Timoteut 3:16-17). Për këtë arsye, pastorët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj vetes dhe mësimit që duhet të japin (I Timoteut 4:16).

Perëndia e bekoftë kishën dhe botën duke ngritur një shumicë Timotesh, me qëllim që brezat e ardhshëm të zbulojnë dhe — të rizbulojnë — ungjillin dhe ta vënë atë në zbatim në kohën ku jetojnë.

__________________________

[1] Vargjet biblike janë marrë nga versioni BiblaPRO, të cilin e gjeni tashmë si aplikacion.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-timothy

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 vargje kyç mbi zemërbutësinë