tri gjëra që duhet t’i dini rreth 1, 2, 3 e gjonit

Shator 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…

Ian Hamilton

Bibla është plot e përplot me xhevahire të fshehura. Shumë prej këtyre xhevahireve gjenden në librat më të vegjël të Biblës. Pjesa më e madhe e të krishterëve që e marrin seriozisht leximin e Fjalës së Perëndisë, me siguri i njohin mirë “librat e mëdhenj” të saj (sikurse Zanafilla, Psalmet, Isaia, Ungjilli sipas Gjonit, Romakëve dhe Efesianëve). E marr me mend se ata nuk i njohin edhe aq mirë libra të tillë si Joeli, Hagai, Sofonia dhe tri Letrat e Gjonit.

Gjatë këtij meditimi të shkurtër do të reflektoj për tri gjëra që çdo i krishterë duhet t’i dijë rreth tri Letrave të Gjonit.

1. Megjithëse këta libra janë të shkurtër, ata luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen dhe pjekjen frymërore të të krishterit.

Pas dyzet vjetësh shërbesë baritore, kam mësuar që të mos e marr të mirëqenë faktin që të krishterët e njohin Biblën aq mirë sa brezat e mëparshëm. Njohja e mirë e Biblës dhe predikimi biblik ekspozues nuk janë më edhe aq të përhapur sa në të kaluarën. Edhe mes besimtarëve besnikë, kohëzgjatja e përgjithshme e vëmendjes është infektuar me frymën e epokës. Dëshira e mirë për të shërbyer në një mënyrë që i flet kulturës bashkëkohore, ka bërë që predikimet të jenë më tepër tematike sesa ekspozuese. E gjitha kjo ka bërë që besimtarët të privohen prej një njohurie të Fjalës së Perëndisë që është po aq e gjerë dhe e thellë sa tërësia e Shkrimit të Shenjtë.

Pali i solli në vëmendje Timoteut faktin që: “Çdo Shkrim është dhënë i frymuar nga Perëndia dhe është i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje, për edukimin që është në drejtësi, me qëllim që njeriu i Perëndisë të jetë i aftësuar, duke qenë i pajisur si duhet për çdo vepër të mirë” (II Timoteut 3:16-17). Pali po ia theksonte posaçërisht këtë të vërtetë këtij djaloshi të përkushtuar ndaj Perëndisë, me qëllim që ai ta përvetësonte Fjalën e shkruar të Perëndisë në tërësinë e saj dhe ta lejonte këtë Fjalë, që t’i jepte formë gjithë jetës dhe shërbesës së Tij. Ajo që është e vërtetë për Timoteun, pa diskutim është e vërtetë edhe për çdo të krishterë tjetër.

Kështu, që duhet të njohim Letrën e Parë, të Dytë e të Tretë të Gjonit, me qëllim që të edukohemi në drejtësi dhe të jemi të krishterë të plotë, të pajisur si duhet për çdo vepër të mirë.

2. Tri letrat e Gjonit u shkruan përkundër sfondit të zymtë të herezive që kërcënonin dëlirësinë, paqen dhe misionin e kishës.

Këto herezi nuk ishin një gjë e re në kohën e Gjonit. Satani i ringjall ato kohë pas kohe që ta nxjerrë nga binarët kishën e Krishtit, ta bëjë atë njësh me veten, si dhe t’i heqë asaj besueshmërinë e ungjillit. Teksa fillon letrën e parë, Gjoni shkruan:

Dhe ky është lajmi që e kemi dëgjuar nga ai dhe po jua lajmërojmë: Perëndia është dritë dhe në të nuk ka errësirë aspak. Po të themi se kemi përbashkësi me të dhe të ecim në errësirë, gënjejmë dhe nuk po ushtrojmë të vërtetën. Por po të ecim në dritë, ashtu si ai është në dritë, kemi përbashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Po të themi se nuk kemi mëkat, mashtrojmë veten tonë dhe e vërteta nuk është në ne. Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë, që të na i falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo padrejtësi. Po të themi se nuk kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne. (I e Gjonit 1:5-10)

Vini re përsëritjen e trefishtë: “Po të themi se... ” (I e Gjonit 1:6, 8, 10). Përse vallë Gjoni e ndien nevojën për ta shkruar këtë? Kjo sepse disa anëtarë të kishës thoshin se kishin përbashkësi me Perëndinë, por ata në realitet ecnin në errësirë. Më vonë te I e Gjonit 2:19, ai shkruan: “Prej nesh dolën, por nuk ishin prej nesh.” Duke qenë një pastor besnik, Gjoni i paralajmëron “bijtë e tij të dashur”, siç i quan besimtarët, që të jenë vigjilentë kundrejt mësimeve të rreme: “Perëndia është dritë dhe në të nuk ka errësirë aspak” (I e Gjonit 1:5; shih gjithashtu I e Gjonit 2:22; 4:1-3).

Tek Letra e Dytë dhe e Tretë e Gjonit i shohim edhe më qartë përpjekjet e Apostullit për t’i ruajtur fëmijët e tij të dashur prej çdo gabimi. Te II e Gjonit 7 lexojmë: “Se shumë mashtrues dolën në botë; ata që nuk e rrëfejnë Jezu Krishtin si të ardhur në mish. Ky është mashtruesi dhe antikrishti.” Te III e Gjonit 9, Gjoni madje i paralajmëron fëmijët e tij të dashur që t’i ruhen një njeriu të veçantë: “Ai që do që të jetë i parë ndër ta, Diotrefi.” Gjoni e di shumë mirë se karakteri i keq është po aq i dëmshëm sa edhe doktrina e keqe për ta prishur jetën e popullit të Perëndisë.

3. Tri letrat e Gjonit janë një shembull se si duhet të jetë dashuria, dhembshuria dhe guximi, që duhet të karakterizojnë çdo shërbëtor të ungjillit dhe në fakt, çdo të krishterë.

Shërbesa që e nderon Perëndinë dhe që i ushqen delet e Tij, i ka rrënjët te predikimi që është jo vetëm i saktë dhe sipas doktrinës së drejtë, por edhe i pasur në dhembshuri, guxim dhe zemërbutësi. Është mbresëlënëse të vësh re se sa shpesh Gjoni i përshkruan lexuesit e vet si “fëmijë të vegjël”[1] (te I e Gjonit 2:1, 12, 28; 3:18; 4:4; 5:21). Mësimi që u jepte atyre, rridhte nga dashuria që kish për ta. Sa të ndryshme do të ishin shumë prej kishave tona, në rast se njerëzit do ta dinin, madje do ta ndienin, se pastorët e tyre i kanë ata në zemër dhe përpiqen për të mirën e tyre më shumë sesa për vetë jetën e vet.

Tri Letrat e Gjonit janë xhevahire të ungjillit. Lexojini këto letra, përsiatini ato, madje përpiquni që t’i mësoni përmendsh, me qëllim që të vazhdoni të rriteni në hirin e Zotit tonë.


[1] Sipas fjalës greqisht “τεκνία” në origjinal. (shënim i redaktores)


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-1-2-3-john

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?