3 things about acts 2560

Mars 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...

Dennis Johnson

Libri i Veprave të Apostujve nuk e ka shokun mes librave të Dhiatës së Re. Katër ungjijtë japin dëshmi rreth shërbesës tokësore të Jezusit, vdekjes së Tij sakrifikuese dhe ringjalljes së Tij ngadhënjimtare. Njëzet e një letra shtjellojnë identitetin dhe misionin e Tij, dhe e drejtojnë dashurinë tonë të formësuar prej besimit për t’iu gjegjur shpëtimit të Tij. Libri i Zbulesës hedh dritë mbi konfliktin që fshihet pas mjerimeve shumë të dukshme të botës, duke na siguruar për triumfin e Qengjit. Mirëpo, vetëm libri i Veprave të Apostujve përshkruan dekadat themelore, gjatë të cilave Zoti i ringjallur e i lartësuar në qiell hodhi themelet e kishës së Tij.

1. Veprat janë projektori që bën dritë “tunelin” midis Ungjijve dhe Letrave.

Nëse libri i Veprave të Apostujve do t’i mungonte leximit tonë të Dhiatës së Re, do të ndiheshim si pasagjerët e një vagoni të pandriçuar, teksa treni të cilit i kemi hipur hyn në një tunel të errët, tren i cili pas njëfarë kohe del në dritën e diellit. Teksa sytë tanë përshtaten me ndryshimin e ndriçimit, shohim se shumë gjëra kanë ndryshuar, sepse kemi bashkudhëtarë të rinj, hamallë të rinj dhe konduktorë të rinj.

Në mbyllje të Ungjijve, Jezusi, Zoti i ringjallur, e demonstroi vërtetësinë e ringjalljes së Tij “me shumë prova” (Veprat e Apostujve 1:3, duke përmbledhur vargjet nga Luka 24, Mateu 28, Marku 16 dhe Gjoni 20–21). Megjithëse dëshmitarët e Tij apostolikë ishin që të gjithë hebrenj, Jezusi i urdhëroi që ta çonin lajmin e Tij të mirë te të gjitha kombet. Edhe pse kemi ardhur në fund të Ungjijve, parashikimi i Gjon Pagëzorit se Jezusi do të pagëzonte “me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr” (Luka 3:16), ende pret të përmbushet, përmbushje për të cilën Jezusi thotë se do të ndodhë së shpejti (Luka 24:49; Gjoni 15:26).

Hyjmë në tunel. Kur dalim prej tij, befas takohemi me Palin, i cili e quan veten Apostull të Krishtit, por nuk ishte askund kur Jezusi iu shfaq Marisë, Pjetrit dhe të tjerëve. Njëzet vjet pas ringjalljes së Jezusit, Pali u shkruan letra besimtarëve të krishterë në qytete e krahina greko-romake, sikurse në Thesalonik, Galati, Korint, Romë, Filipi, Efes dhe Kolose. Pali e pranon se dikur e përndiqte Jezusin dhe popullin e Tij, por tani i shërben me gjithë zemër Jezusit si Zot. Si ndodhi një ndryshim kaq rrënjësor?

Grupet, të cilave Pali u shkruan, janë të jashtëm, “johebrenj”, dikur “ të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjet e premtimit” (Efesianëve 2:11–13). Pra, vizioni i Jezusit për shtrirjen ndërkombëtare të mbretërisë së hirit të Perëndisë është në realizim e sipër. Çfarë ngjarjesh e shkaktuan zhvendosjen e fokusit nga “delet e humbura” të Izraelit (Mateu 15:24) te “dele të tjera” që gjenden jashtë “vathës” (Gjoni 10:16)?

Bashkësitë e Palit janë pagëzuar në një Frymë të vetëm brenda një trupi (1 e Korintasve 12:13). Ata “jetojnë në Frymë”, kështu që duhet “të ecin në Frymë”, duke shfaqur frytin e Frymës (Galatasve 5:16–25). Kur dhe si ndodhi pika kulmore e shërbesës së Mesisë (sipas Gjonit), pra, derdhja e Frymës së Perëndisë?

Veprat e Apostujve janë si një projektor brenda tunelit, që u përgjigjet këtyre pyetjeve. Ditën e Rrëshajëve, Jezusi i pagëzoi ndjekësit e Tij në Frymën e Shenjtë (Veprat e Apostujve 1:4–5; Veprat e Apostujve 2). Më vonë, Zoti e dërgoi Pjetrin të shpallte lajmin e mirë mes johebrenjve dhe të mbetej i mahnitur teksa Fryma i mirëpriste në familjen e Perëndisë (Veprat e Apostujve 10–11). E takojmë Saulin (më vonë i njohur si Pali), të verbuar prej shfaqjes së lavdishme të Jezusit dhe të shndërruar nga përndjekës në përhapës të “Udhës” (Veprat e Apostujve 9). Teksa Pali udhëtonte nëpër det dhe tokë për t’i sjellë “dritë kombeve” (Veprat e Apostujve 1:8; Veprat e Apostujve 13:46–47), mësojmë më tepër rreth historisë së atyre bashkësive të besimtarëve, të cilave ia drejtoi letrat (Veprat e Apostujve 13–28). Sa i mençur dhe i mirë është Perëndia që e udhëhoqi Lukën ta plotësonte “librin e tij të parë” (ungjillin e tretë), me këtë vëllim të dytë.

Veprat e Apostujve lidh Ungjijtë me Letrat, duke na rrëfyer se si Zoti Jezus i hodhi themelet e kishës së Tij, derdhi Frymën e Perëndisë dhe i përqafoi johebrenjtë në hirin e Tij.

2. Krishti i ringjallur dhe që mbretëron është personazhi kryesor i dramës së Veprave të Apostujve.

Duke e përshkruar ungjillin e vet si një shkrim “rreth të gjitha gjërave që Jezusi filloi të bënte dhe të mësonte”, Luka nënkupton se Veprat e Apostujve flet rreth gjërave që Jezusi vazhdoi të bënte e të mësonte pas ngjitjes së Tij në qiell (Veprat e Apostujve 1:1–2, theks i shtuar). Meqenëse Veprat e Apostujve përshkruan shërbesat apostolike të Pjetrit (Veprat e Apostujve 1–12) dhe të Palit (Veprat e Apostujve 13–28), titujt “Veprat e të gjithë Apostujve” dhe “Veprat e Apostujve” iu vendosën këtij libri pa kaluar shumë kohë. Pavarësisht nga kjo, Luka dëshiron që ta dimë se Heroi i vërtetë që drejton dhe fuqizon rritjen e kishës është vetë Zoti i ringjallur Jezus.

Ashtu sikurse i zgjodhi apostujt gjatë shërbesës tokësore (Veprat e Apostujve 1:2), tashmë Jezusi zgjedh zëvendësin e Judës që t’u bashkohet atyre (Veprat e Apostujve 1:21–26). Zbritja e Frymës gjatë Ditës së Rrëshajëve është vepra e Jezusit: “Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, [Ai] derdhi atë që ju tani shihni dhe dëgjoni” (Veprat e Apostujve 2:33, theksi i shtuar).

Jezusi është Zoti që i shtonte numrit të besimtarëve “çdo ditë ata që ishin shpëtuar” (Veprat e Apostujve 2:47; shih Veprat e Apostujve 5:14; 11:21–22). Teksa një burrë që më parë ishte i çalë, tashmë kërcente në oborrin e tempullit, Pjetri dhe Gjoni e drejtojnë vëmendjen e turmës së mahnitur nga jo vetja, por drejt Shëruesit të vërtetë: “Dhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë njeriun, që shihni dhe njihni, e forcoi emri i Jezusit; dhe besimi, që është nëpërmjet tij, i dha këtë shëndet të plotë, në praninë e ju të gjithëve” (Veprat e Apostujve 3:12, 16, theksi i shtuar; sërish te Veprat e Apostujve 4:9–10). Kur përndjekësi i verbuar Saul pyet: “Kush je, Zot?”, ai merr këtë përgjigje: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek...” (Veprat e Apostujve 9:5, theksi i shtuar). Jezusi e zgjodhi Saulin “... për të mbajtur emrin tim përpara kombeve dhe mbretërve dhe bijve të Izraelit” (Veprat e Apostujve 9:15). Jezusi është Zoti nën kujdesin e të cilit Pali dhe Barnaba vendosin besimtarët e rinj dhe pleqtë e kishave të tyre (Veprat e Apostujve 14:23); Zoti që hap zemrën e Lidias për të pranuar ungjillin (Veprat e Apostujve 16:14–15); si dhe Zoti që inkurajon Palin në Korint: “... unë kam një popull të madh në këtë qytet” (Veprat e Apostujve 18:10) dhe në burg (Veprat e Apostujve 23:11).

Veprat e Apostujve e tërheqin pareshtur vëmendjen te prania personale e Zotit të lartësuar Jezus në kishën e Tij përmes Frymës së Tij. Krishti nuk është një diktator mungestar, i largët dhe i paafrueshëm. Edhe pse Ai sundon në të djathtën e Perëndisë në qiell, Jezusi është ende “Perëndia me ne” këtu në tokë. Përmes Frymës së Tij të fuqishëm e mbështet jetën e kishës dhe e nxit rritjen e kishës. Jezusi i mban premtimet e Tij:

  • “...Do të ndërtoj kishën time…” (Mateu 16:18).
  • “...Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18).
  • “...Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës…” (Mateu 28:20).

Veprat e Apostujve na shfaqin Jezusin, i cili nuk është vetëm i gjallë, por edhe sundon sovran dhe është përherë i pranishëm përmes Frymës së Tij në Kishën e Vet, duke përhapur dritën e hirit të Perëndisë deri në skajet e dheut.

3. Veprat e Apostujve e barazojnë rritjen e kishës me rritjen e Fjalës.

Ashtu siç bën tek ungjilli i tij (Luka 1:80; 2:40, 52; 4:14 etj.) edhe te Veprat e Apostujve, Luka ndërfut mes rrëfimeve të ngjarjeve të veçanta, përmbledhje të pasojave të vazhdueshme të atyre ndodhive. Pas kthimit në besim të mijërave vetave në Ditën e Rrëshajëve, ata “... ishin ngulmues në mësimin e apostujve dhe në bashkësi dhe në thyerjen e bukës dhe në lutje”, duke ndarë të mirat e tyre me njëri-tjetrin, duke adhuruar në tempull dhe ngrënë së bashku (Veprat e Apostujve 2:42–47; shih Veprat e Apostujve 4:32–35; 5:12–16; 9:31; 16:5).

Një temë e përsëritur e këtyre përmbledhjeve është “rritja” në Fjalën:

  • Veprat e Apostujve 6:7: Dhe fjala e Perëndisë po rritej (auxanō) dhe numri i dishepujve po shumëfishohej tepër në Jerusalem (përkthimi i autorit).
  • Veprat e Apostujve 12:24: Mirëpo, fjala e Perëndisë po rritej (auxanō) dhe po shumëfishohej (përkthimi i autorit).
  • Veprat e Apostujve 19:20: Kështu fjala e Zotit po rritej (auxanō) dhe po ngadhënjente fuqishëm (NASB – Bibla Standarde e Re Amerikane).[1]

Luka e ka fjalën për rritjen e kishës, qoftë në madhësi numerike dhe në pjekuri frymërore. Ai e përshkruan rritjen e kishës si “rritje të fjalës”, sepse Fjala e predikuar prej Apostujve në fuqinë e Frymës është arma e pathyeshme me anë të së cilës Krishti pushton zemrat dhe ushqimi që sjell rritjen dhe pjekurinë e fëmijëve të Perëndisë.

Roli qendror i Fjalës së Perëndisë në jetën dhe misionin e Kishës demonstrohet përmes epërsisë së predikimeve dhe fjalimeve gjatë gjithë Veprave të Apostujve. Edhe përpara zbritjes së Frymës, Pjetri i shpjegoi besimtarëve të mbledhur se si tradhtia dhe zëvendësimi i Judës e përmbush Shkrimin e Shenjtë (Veprat e Apostujve 1:15–22). Ditën e Rrëshajëve, Pjetri demonstroi se si Psalmet 16 e 110, dhe Joeli 2 e parathonë ringjalljen dhe ngjitjen në qiell të Jezusit, si dhe derdhjen e Frymës (Veprat e Apostujve 2:14–36). Pjetri dhe Gjoni dhanë dëshmi përpara turmave në tempull dhe drejtuesve të tyre fetarë se shpëtimi gjendet vetëm në emrin e Jezusit (Veprat e Apostujve 3–4). Stefani në ligjëratën e vet foli rreth historisë së turpshme të Izraelit lidhur me refuzimin e çlirimtarëve të dërguar nga Perëndia, histori e cila arriti kulmin me vrasjen e të Drejtit, Jezusit (Veprat e Apostujve 7:2–53). Pjetri u dha lajmin e mirë johebrenjve (Veprat e Apostujve 10:34–43). Nëpër sinagoga, Pali foli për përmbushjen e Shkrimit të Shenjtë në Jezus Mesinë (Veprat e Apostujve 13:16–41; 17:2–4, 11, 17). Ai gjithashtu u shpalli Fjalën paganëve politeistë (Veprat e Apostujve 14:14–17), filozofëve qytetarë (Veprat e Apostujve 17:22–31), turmave hebraike (Veprat e Apostujve 22:1–22), si dhe sundimtarëve johebrenj (Veprat e Apostujve 26:1–23). Apostujt e shpallën Fjalën në përballje me kundërshtitë që kishin lindur brenda kishës (Veprat e Apostujve 15:7–21) dhe për të pajisur udhëheqësit e kishës (Veprat e Apostujve 20:18–35). Në mbyllje të Veprave të Apostujve, Pali gjendet në burgun romak, por “...duke mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht me shumë guxim dhe pa u penguar” (Veprat e Apostujve 28:30–31).

Përse ka kaq shumë fjalë të thëna në një libër që kisha e ka quajtur Veprat e Apostujve? Veprat e Apostujve na jep këtë mësim thelbësor: kisha e Krishtit rritet dhe lulëzon jo përmes analizave të tregut apo strategjive njerëzore dhe as përmes shenjave dhe mrekullive, përmes të cilave një herë e një kohë Perëndia konfirmonte dëshminë e Apostujve (Hebrenjve 2:3–4; 2 e Korintasve 12:11–12), por përmes Fjalës së hirit që predikohet në bazë të Shkrimit të Shenjtë, në fuqinë e Frymës.


Shënime

[1] Jezusi (Marku 4:8) dhe Pali (Kolosianëve 1:6) po ashtu e përdorin metaforën bujqësore në lidhje me fjalën si farë që “rritet” (auxanō).


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-acts

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?