Shator 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Benjamin Shaw
1. Libri i Predikuesit na kujton se jeta është e shkurtër.
Shumë njerëz pengohen që në fillim të librit të Predikuesit, sepse ngecen tek tema që vetë libri e bën të ditur. Te Bibla anglisht, versioni KJV (dhe përkthimet e ngjashme), kjo temë shprehet në këtë mënyrë: “Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi” (Predikuesi 1:1, KJV). Te versioni NIV ndeshim këtë formulim: “Jashtëzakonisht e pakuptimtë! Gjithçka është e pakuptimtë”. Versioni CSB thotë: “Pavlerësi absolute. Gjithçka është e pavlerë”. Në qoftë se gjithçka është e kotë, apo e pavlerë apo e pakuptimtë, përse të lexojmë më tej? Ky pohim duket se bie në kundërshtim me gjithçka që Bibla na mëson rreth jetës.
Megjithatë, mbase problemi qëndron te përkthimet dhe pritshmëritë që ato ngjallin. Fjala hebraike që përkthehet si “kotësi” (hebel) mbart domethënien e kalimtares, të përkohshmes dhe fluturakes. Jakobi e kap këtë ide kur thotë: “Njëmend, avull jeni, që shfaqet për pak dhe mandej zhduket” (Jakobi 4:14). Gjëja e parë që duhet të dimë rreth librit të Predikuesit është që na mëson se jeta jonë këtu në tokë e nën diell është kalimtare.
Ditët tona janë të pakta dhe ikin shpejt. Siç thotë vetë Predikuesi: “Një brez shkon, një brez vjen” (Predikuesi 1:4). Ky koncept ndeshet në mbarë Shkrimin e Shenjtë (shih Psalmet 90:10; 103:15; Jakobi 4:14). E ndeshim një koncept të ngjashëm te II Korintasve 4:18: “Ndërsa ne nuk e mbajmë shikimin nga ato që shihen, por nga ato që nuk shihen; sepse ato që shihen, janë të përkohshme, ndërsa ato që nuk shihen, janë të përjetshme.” Meqenëse jeta jonë është e shkurtër: “Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde” (Predikuesi 9:10).
2. Libri i Predikuesit na kujton se jetojmë në një botë të rënë.
Gjëja e dytë që duhet të dimë rreth librit të Predikuesit është se na kujton që jetojmë në një botë të rënë. Kur u bëra i krishterë, një shërbesë parakishtare me të cilën u lidha për ca kohë, kishte një trakt ungjillëzues që theksonte Gjonin 10:10: “Unë erdha që të kenë jetë, dhe ta kenë të bollshme.” Kjo bëri që në mua të lindte bindja se më priste një rrugë e lehtë përpara, megjithëse kjo nuk është gjithçka që përmban ky pasazh. M’u desh të mësoja se megjithëse më ishte dhënë një jetë e re, bota përreth meje nuk ishte rikrijuar.
Pali mëson të njëjtën gjë kur thotë: “Sepse krijimi iu nënshtrua kotësisë (jo vullnetarisht, por për shkak të atij që e nënshtroi), me shpresë se edhe vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes, për të hyrë në lirinë e lavdisë së fëmijëve të Perëndisë” (Romakëve 8:20–21). Fjala që përdor Pali dhe që përkthehet si “pavlerësi” te versioni anglisht ESV është e njëjta fjalë greke që përdoret te Septuaginti (përkthimi në greqisht i Dhiatës së Vjetër) dhe që përkthehet si “hebel” te libri i Predikuesit.
3. Libri i Predikuesit na kujton se gëzimi është i mundshëm në një botë të rënë.
Përkthimet e fjalës “hebel” që citohen më sipër, nuk janë tërësisht të gabuara. Për shkak se jemi krijesa kalimtare që jetojnë në një botë të prishur nga mëkati, veprimtaritë tona me raste mund të duken të pavlera. Angazhimet tona mund të duken të pakuptimta. Madje edhe jeta jonë mund të duket e kotë. Në qoftë se kjo është gjithçka që libri i Predikuesit ka për të thënë, atëherë vërtetë do të ishte një libër ku pengohemi. Ja pse duhet të mësojmë gjënë e tretë që ka për të thënë libri i Predikuesit: gëzimi është i mundshëm edhe në një botë të rënë si kjo e jona.
Libri i Predikuesit e shpreh qartë se gëzimi nuk gjendet aty ku presim që ta gjejmë. Nuk gjendet në ngjarjet madhore a në momentet e paharrueshme. Përkundrazi, gjendet në aspektet e zakonshme, të thjeshta dhe të përsëritura të jetës së përditshme: “Për njeriun nuk ka gjë më të mirë sesa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e vet; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë” (Predikuesi 2:24). Vazhdimisht, Salomoni na nxit që para së gjithash ta gjejmë dhe ta shijojmë gëzimin në këto aspekte të zakonshme të jetës.
Dhe së dyti, ai na nxit të njohim se këto janë dhurata të mira nga Perëndia: “Çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë” (Predikuesi 3:13; shih edhe Predikuesi 5:19–20; 8:15; 9:7). Siç thotë edhe Jakobi: “Çdo dhurim i mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart, duke zbritur nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim apo hije ndryshimi. Me dashjen e vet na lindi nëpërmjet fjalës të së vërtetës, që ne të jemi njëfarë fryti i parë i krijesave të tij” (Jakobi 1:17–18). Dhe gëzimi që Ai na jep këtu është një parashijim i gëzimit që do të vijë në një botë që nuk është më e prishur dhe ku ne nuk jemi më krijesa të përkohshme, por përkundrazi të pavdekshme.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-ecclesiastes
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025