Tetor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Michael P.V. Barrett
1. Osea, emri i të cilit do të thotë “shpëtim”, është i pashoq mes gjithë profetëve të tjerë shkrues, sepse ishte një qytetar i mbretërisë veriore të Izraelit dhe i predikoi veriut.
Osea 1:1 thotë se shërbesa e Oseas u zhvillua gjatë mbretërimit të mbretit të veriut Jeroboami II dhe mbretërve të jugut Uziah, Jotham, Ashaz dhe Ezekia. Kjo do të thotë se ai ishte bashkëkohës i Jonës (2 i Mbretërve 14:25), një profet tjetër verior, shërbesa e të cilit ndodhi gjatë sundimit të Jeroboamit II, megjithëse shkrimet autobiografike të Jonës kishin të bënin me përvojën personale të këtij të fundit me Niniven.
Osea ishte po ashtu edhe bashkëkohës i Amosit, një misionar nga jugu që qe dërguar në veri, sikurse edhe i Isaias dhe Mikeas, profetë këta që shërbenin në mbretërinë e jugut. Megjithëse shuma e viteve të sundimit të mbretërve të lartpërmendur mund të jetë më tepër se njëqind vjet, shërbesa e Oseas me shumë gjasë filloi gjatë viteve të fundit të Jeroboamit II (rreth vitit 753 para Krishtit) dhe mbaroi gjatë viteve të para të Ezekias (rreth vitit 725 para Krishtit), përpara rënies së Samarisë në duart e pushtuesve asirianë në vitin 722 para Krishtit. Kjo ishte një kohë krize politike dhe kaosi politik, dhe Osea me shumë urgjencë i predikoi një populli që ishte në prag të fatkeqësisë kombëtare.
2. Jeta personale e Oseas e pasqyronte mesazhin e tij.
Martesa e Oseas me Gomerin ishte një tablo e gjallë ose një shembull për t’u mësuar për mesazhin që ai predikoi. Osea 3:1 e lidh qartë martesën e këtij të fundit me Gomerin me martesën e Perëndisë me Izraelin. Njëlloj si marrëdhënia e Oseas me Gomerin, edhe marrëdhënia e Perëndisë me Izraelin filloi nga dashuria (hiri hyjnor), u shkelmua nga mëkati (pakënaqësia hyjnore) dhe u ruajt nga besnikëria (besnikëria hyjnore). Dashuria dhe besnikëria e pandërprerë e Oseas ndaj Gomerit ishte një tablo e bukur e dashurisë dhe e besnikërisë së patundur të Zotit ndaj Izraelit. Ndërsa mosbesnikëria e Gomerit ndaj Oseas përbënte një tablo tragjikisht të qartë të pabesisë tradhtare të Izraelit ndaj Zotit. Gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, martesa përdoret si një simbol i marrëdhënies së Perëndisë me popullin e Tij dhe nuk ka një vend tjetër ku kjo del më qartë sesa në Librin e Oseas.
Megjithëse martesa e Oseas ishte thelbësore për mesazhin e librit, ajo përbën një problem të madh interpretimi. Thelbi i problemit ka të bëjë me urdhërimin që iu dha Oseas që të martohej me një “prostitutë” (Osea 1:2). Në pamje të parë, kjo ngjall një dilemë morale dhe etike, për shkak se u kundërvihet udhëzimeve dhe kufizimeve të qarta rreth martesës, të cilat Perëndia u kishte dhënë priftërinjve, duke ua ndaluar që të martoheshin me prostituta (Levitiku 21:7, 13). Në qoftë se do të ishte një turp i madh për priftin që të martohej me një prostitutë, atëherë duket se edhe për profetin do të ishte turp, po ta bënte këtë. Veç kësaj, Ligji i Përtërirë 22:13, 20-21 i dënonte me vdekje të gjitha gratë, për të cilat provohej se nuk ishin të virgjra ditën e martesës. Duket se ishte më e përshtatshme për Osean që të fillonte me një funeral sesa me një dasmë. Zgjidhjet e këtij problemi ndahen në dy interpretime kryesore: ata që e konsiderojnë martesën si diçka të supozuar dhe të tjerët që e konsiderojnë martesën si diçka që ndodhi me të vërtetë.
Sipas interpretimit të supozuar, martesa e Oseas është një metaforë që shërben për të ilustruar marrëdhënien e Perëndisë me Izraelin dhe pabesinë frymërore të Izraelit ndaj Perëndisë. Ky interpretim ka përparësinë e të shmangurit nga dilemat morale dhe etike, megjithëse e lejon prapëseprapë simbolikën e martesës që të shprehë mesazhin teologjik rreth dashurisë së Perëndisë ndaj një populli që nuk e meritonte atë. Pika e dobët e kësaj pikëpamjeje është se ajo mbështetet më tepër në supozime teologjike sesa në dëshmi shkrimore.
Ekzistojnë disa versione të interpretimit të martesës të vërtetë, ku të gjitha ato bien dakord se martesa ndodhi me të vërtetë, por që nuk bien dakord për sa i përket natyrës apo kohës së kurvërisë së Gomerit. Disa pretendojnë se Gomeri ishte një prostitutë në kohën e martesës, duke pretenduar se Perëndia i anuloi standardet e Tij të kahershme, me qëllim që të vinte në dukje dashurinë e Tij të hirshme për mëkatarët që nuk e meritonin atë. Të tjerë pretendojnë se kurvëria kishte të bënte me idhujtarinë frymërore dhe jo me shthurjen seksuale. Kjo e eliminon problemin e martesës me një grua seksualisht jo të dëlirë, por krijon një problem jo më pak të vogël, sepse kinse[1] Zoti e urdhëroi profetin që të martohej me një idhujtare. Ndalimi i Perëndisë për martesat mes besimtarëve dhe jobesimtarëve ishte i padiskutueshëm (Ligji i Përtërirë 7:3-4).
Një interpretim tjetër i martesës së vërtetë, i cili njihet ndryshe si “pikëpamja proleptike”, thotë se Gomeri ishte e dëlirë ditën e martesës, por u bë më vonë prostitutë. Mirëpo, vargu thotë se Gomeri ishte tashmë prostitutë dhe jo se u bë e tillë. Një zgjidhje tjetër është që ta kuptojmë fjalën “kurvëri” si një fjalë që përshkruan një karakteristikë të brendshme dhe jo sjellje të jashtme. Me shumë gjasë bënte fjalë për prirjen e brendshme të Gomerit për imoralitetin që u shfaq jo shumë kohë pas martesës. Tek Osea 3:1, ajo në fakt ishte bërë një grua kurorëshkelëse, çka tregon se prirjet e saj të brendshme ishin shfaqur në vepra kurorëshkeljeje. Sipas kësaj pikëpamjeje, thelbi është se Perëndia i zbuloi Oseas që në fillim diçka rreth natyrës së brendshme të Gomerit, e cila do ta vinte në rrezik shenjtërinë e martesës. Fakti që Osea e njihte që nga fillimi potencialin e saj për ta lënduar atë, e vë edhe më shumë në dukje natyrën altruiste të dashurisë së tij. Kjo është lidhja kyçe me paralelen frymërore që vlen për besimtarët: Perëndia na do pavarësisht se çfarë di rreth nesh.
3. Mesazhi i Oseas paralajmëron hirin e Perëndisë në Krishtin.
Paralajmërimet dhe ftesat për pendim nga ana e Oseas nuk i dëgjoi askush dhe gjykimi mbi kombin u bë i pashmangshëm. Megjithatë, pasojat e refuzimit të marrë e injorant që Izraeli i bëri mesazhit të profetit, i paraprinin hirit të ungjillit. Sipas 2 i Mbretërve 15:29, toka e Neftalit ishte territori i parë që përjetoi gjykimin e Perëndisë. Mirëpo, sipas Mateut 4:12-16, ky do të ishte rajoni i parë që do të dëshmonte shërbesën e Jezusit. Errësira e ditëve të Oseas do t’ia linte vendin dritës së Krishtit. Koha e errësirës ishte një hap drejt plotësisë së kohës kur do të ndriçonte Drita, duke demonstruar se qëllimet dhe planet e Perëndisë realizohen gjithmonë.
______________________[1] Gjoja.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-hosea
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025

