Korrik 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Aaron D. Messner
Libri i Nehemias është një histori e mrekullueshme që jo vetëm na informon rreth zhvillimeve kyç në historinë e Izraelit (domethënë rindërtimi i mureve të Jerusalemit), por gjithashtu përmban edhe shumë të dhëna të vlefshme se si ta ndërtojmë kishën e Jezu Krishtit. Edhe pse mund të shkruanim më gjatë, le t’i shohim shkurtimisht këto tri të dhëna.
1. Lutja dhe shërbesa e Fjalës luajnë një rol qendror në Librin e Nehemias.
Nehemia është njeri i lutjes që e udhëheq popullin e Izraelit në lutje. Kur Nehemia mësoi se qyteti i Jerusalemit dhe njerëzit atje ishin në një “mjerim të madh dhe të poshtëruar”, ai menjëherë reagoi duke kaluar një periudhë të gjatë lutjeje dhe agjërimi (Nehemia 1:3). Lutja e tij te kapitulli 1 karakterizohet nga përlëvdimi i Perëndisë, rrëfimi i mëkatit dhe përgjërimi për ndihmën e Perëndisë. Me vazhdimin e librit e shohim se lutja fillestare e Nehemias nuk ishte një ngjarje e shkëputur, por një stil jetese. Kur Nehemia ballafaqohet me pyetje të vështira, ai lutet (Nehemia 2:4). Kur Nehemia ballafaqohet me kundërshtimin gjatë punës së rindërtimit të mureve, ai lutet dhe i bën thirrje njerëzve që t’i bashkohen në lutje (Nehemia 4:9). Kur ndërtimi i mureve mbaron më në fund, Nehemia e udhëheq popullin në adhurim dhe lutje të përbashkët me një lutje tjetër të gjatë përlëvdimi, rrëfimi dhe përgjërimi që gjendet në kapitullin 9.
Krahas theksit që vë mbi lutjen, ky libër bën të njëjtën gjë me shërbesën e Fjalës së Perëndisë. Nehemia themelon shërbesën publike të Fjalës së Perëndisë, duke bërë që njerëzit të qëndrojnë me orë të tëra për të dëgjuar leximin e Fjalës, ndërsa mësuesit shkojnë mes popullit “duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej” (Nehemia 8:8). Leximi dhe predikimi i Fjalës solli adhurim, lutje të përbashkët dhe rrëfim të përtërirë, si dhe ripërtëritjen e zotimeve të besëlidhjes për t’i shërbyer Zotit (Nehemia 8–10). Ky libër ka të bëjë po aq me rindërtimin frymëror të popullit të Perëndisë përmes Fjalës dhe lutjes, sa edhe me rindërtimin material të murit.
2. Në librin e Nehemias, populli i Perëndisë bashkohet si një trup i vetëm teksa ballafaqohet me presionet e shumta që rrezikojnë t’i përçajnë ata.
Kapitulli 3 përmban një tregim të mrekullueshëm rreth individëve të ndryshëm dhe grupeve familjare që punuan për rindërtimin e murit. Lista përfshin levitë, priftërinj dhe joklerikë, drejtues qarqesh dhe familje të zakonshme. Përfshin burra dhe gra. Përfshin njerëz që punuan dhe ndërtuan pranë shtëpive të tyre si dhe njerëz që erdhën prej qarqeve të tjera. Njerëzit i pranuan me dëshirë detyrat që duheshin kryer, të gjithë punuan së bashku dhe të gjithë punuan fort. Kjo është një tablo e bukur funksionimit të trupit të Krishtit, ku secila pjesë jep kontributin e saj sakrifikues për të mirën e së gjithës.
Ky unitet u shfaq mes sfidash të shumta. Bëheshin kërcënime të hapura dhune prej të huajve që nuk e donin lulëzimin e Jerusalemit. Kishte shumë burokraci shtetërore, e cila duhej kapërcyer. Kishte përçarje të brendshme të shkaktuara nga fakti që populli i Perëndisë keqtrajtonte dhe përfitonte nga njëri-tjetri. Po ashtu kishte shumë komplote që kërcënonin vetë jetën e Nehemias. Libri i Nehemias është një kujtesë e mirë e të gjitha llojeve të sprovave të brendshme dhe përndjekjeve të jashtme me të cilat ballafaqohet kisha teksa i kushtohemi veprës së Perëndisë, por është një tablo bindëse se si populli i Perëndisë mund të bashkohet e të shërbejë krah për krah në unitet, me secilën pjesë që i shërben të tërës për lavdi të Perëndisë.
3. Nehemia na drejton te Jezu Krishti dhe te nevoja jonë për veprën e Tij shpëtuese.
Nehemia na drejton te Krishti në dy mënyra. Së pari, elementet pozitive të udhëheqjes së Nehemias na mësojnë për llojin e udhëheqësisë, për të cilën që të gjithë kemi nevojë. Gjatë gjithë librit, Nehemia shfaq mbështetje të plotë tek Perëndia dhe përkushtim ndaj lutjes dhe shërbesës së Fjalës së Tij. Nehemia është i urtë, i përulur, punëtor, bujar dhe i përkushtuar ndaj shenjtërisë së popullit të Perëndisë. Në të gjitha këto gjëra ai është një “model” i Krishtit, duke na treguar atë lloj udhëheqësi për të cilin kemi nevojë dhe që në mënyrën më sublime e gjejmë te Jezu Krishti.
Nehemia na drejton te Krishti edhe në dështimet e Tij. Dështimet e Nehemias nuk janë shembuj specifikë mëkati personal, por përkundrazi kanë të bëjnë me paaftësinë e tij për të sjellë një ndryshim të vërtetë e afatgjatë në jetën e njerëzve të Perëndisë. Libri ka një fund të çuditshëm e zhgënjyes, sepse përkundër përpjekjeve të mëdha të Nehemias, njerëzit kthehen në mëkatet e tyre të vjetra dhe i shkelin premtimet e besëlidhjes. Nehemia bën përpjekjet e fundit për t’i ndryshuar njerëzit dhe i përgjërohet Perëndisë që ta kujtojë atë. Duket se populli i Perëndisë priret të harrojë dhe të bjerë sërish në mëkat. Duke pasur parasysh gjithë sa thamë më sipër, i kujtojmë vetes se, sado i madh të ketë qenë udhëheqësi dhe qeveritari i popullit, Nehemia, ne kemi nevojë për dikë që është edhe më i madh se ai. Kemi nevojë për një udhëheqës, shpëtimtar dhe sundimtar që, jo vetëm rindërton dhe ndryshon mjedisin e jashtëm, por që na jep edhe zemra të reja.
Ky libër na bën që ta dëshirojmë një të Tillë. Të dëshirojmë Atë që nuk është askush tjetër veçse Zoti Jezu Krisht. Përmes jetës, vdekjes, ringjalljes dhe dhurimit të të Tijës Frymë të Shenjtë, Jezusi e rilind dhe e përtërin gjithë personin. Vepra e mirë që ka filluar, me siguri do të përfundohet deri ditën e fundit (shih Filipianëve 1:6). Libri i Nehemias na tregon nevojën për këtë Jezus dhe na mëson me urtësi se si të jetojmë si ndjekës të Krishtit.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-nehemiah
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025