Mars 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
Allan Harman
Libri i Ligjit të Përtërirë jo vetëm që është i rëndësishëm në vetvete, por është i tillë edhe për shkak të citimeve të panumërta në Dhiatën e Re. Fjalët e Jezusit dhe të dishepujve të Tij dalin drejtpërdrejt prej vargjeve të tij. Jezusi e citoi këtë libër gjatë tundimit të Tij (Mateu 4:4, 7, 10), dhe e riafirmoi theksin e vënë prej tij mbi dashurinë gjithëpërfshirëse për Perëndinë (Mateu 22:37–38). Predikimi apostolik te Veprat e Apostujve mbështetet shumë në të, veçanërisht duke treguar për përmbushjen e Shkrimit të Shenjtë në lidhje me detyrën profetike të personit të Jezusit (Ligji i Përtërirë 18:15; Veprat e Apostujve 3:22). Të paktën shtatë letra të Dhiatës së Re përmbajnë citime nga Ligji i Përtërirë dhe ndoshta më i rëndësishmi prej tyre gjendet te Galatasve 3:10–14. Në këtë pasazh, Pali shkruan se Krishti na ka shpenguar nga mallkimi për të cilin flet Ligji i Përtërirë (shih Ligji i Përtërirë 21:23), duke u bërë një mallkim për ne (Galatasve 3:13).
Emri i këtij libri në anglisht, Deuteronomy, e ka prejardhjen nga latinishtja dhe greqishtja, dhe do të thotë “ligji i dytë”, duke supozuar se te Ligji i Përtërirë 17:18 flitet pikërisht për këtë gjë. Megjithatë, ajo që thotë ai pasazh është se mbreti duhet të ketë një kopje të ligjit që ta mbajë për vete. Përmbajtja e librit tregon se ai nuk është një ligj i dytë, por përtëritja e besëlidhjes së bërë në malin Sinai (i emërtuar “Horeb” gjatë gjithë Ligjit të Përtërirë, me përjashtim të Ligjit të Përtërirë 33:2). Është i lidhur shprehimisht me premtimet e hirshme që Perëndia i dha Abrahamit, Isakut dhe Jakobit (shih për shembull: Ligji i Përtërirë 6:10–11; 7:7–9). Ai shënon gjithashtu fundin e Pesëlibërshit, duke theksuar kështu përmbushjen e pjesshme të premtimeve dhënë patriarkëve pak para hyrjes së Izraelit në tokën që Perëndia ishte zotuar t’u jepte atyre.
Janë tri çështje të veçanta që lexuesit duhet t’i njohin rreth librit të Ligjit të Përtërirë dhe mësimeve të tij.
1. Ligji i Përtërirë është një dokument besëlidhjeje.
Si dokument besëlidhjeje që është, Ligji i Përtërirë ka qendër të tij lidhjen mes Perëndisë dhe popullit të Tij. Duke vepruar me përfillje të hirshme, Perëndia hyri në një marrëdhënie të hirshme me ta. Ai i deshi njerëzit e vet dhe i shpengoi ata me dorën e shtrirë të fuqisë së Tij (shih veçanërisht Ligjin e Përtërirë 7:7–9; 9:5–6; 14:2). Ai e lidhi këtë marrëdhënie formale me ta në malin Sinai. Ai iu afrua atyre dhe u premtoi: “Unë do të jem Perëndia juaj dhe ju do të jeni populli im”. Për pasojë, besëlidhja ishte një lidhje mes Perëndisë dhe njeriut, e vendosur në mënyrë sovrane nga Perëndia në hirin e Tij, ku Ai dhe populli i Tij e shprehnin marrëdhëniet e tyre në mënyrë formale. Populli i Tij i besëlidhjes duhej t’i përgjigjej me bindje çdo gjëje që Perëndia shpengues kishte bërë për ta. Asnjë pjesë e jetës së tyre nuk qëndronte jashtë kërkesave së Tij etike. Struktura dhe përmbajtja e Ligjit të Përtërirë janë lidhur së bashku në një mënyrë shumë të ngjashme me traktatet e mirënjohura mes palëve laike në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit.
2. Ligji i Përtërirë është shtjellimi i Dekalogut, apo i Dhjetë Urdhërimeve.
Në asnjë libër tjetër të Biblës nuk gjendet një shtjellim më i plotë i Dhjetë Urdhërimeve sesa te Ligji i Përtërirë. Ekziston një dallim mes Dekalogut të paraqitur në kapitullin 5 dhe shtjellimit të tij te kapitujt 6–26. Dallimi nuk qëndron mes ligjeve hyjnore dhe atyre njerëzore. Përkundrazi, dallimi qëndron mes bërthamës qendrore të besëlidhjes, Dekalogut, dhe shtjellimit të tij, i cili shpërfaq zbatimet e tij të ndryshme. Ai përbëhet nga predikimi që kishte për synim t’i gdhendte kërkesat e Perëndisë në ndërgjegjen e dëgjuesve. Moisiu i vuri përpara popullit të Izraelit jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin, dhe i sfidoi ata me këto fjalë: “...zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhja jote, dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të…” (Ligji i Përtërirë 30:19–20).
Mirëpo, mbetet edhe më tepër për t’u thënë në lidhje me shtjellimin e Dekalogut. Në librin e besëlidhjes, tek Eksodi 21–23, janë trajtuar disa nga urdhërimet, por jo në rendin në të cilin shfaqen tek Eksodi 20. Megjithatë, te Ligjin i Përtërirë, urdhërimet trajtohen në të njëjtin rend si te kapitulli 5 i këtij libri. Forma normative e tyre gjendet te kapitulli 5, ndërsa forma përshkruese mbush kapitujt 6–26. Shtjellimi e sqaron edhe më tej thelbin kryesor të urdhërimeve, por gjithashtu shfaq edhe trajektoren e secilit prej tyre. Kjo do të thotë se shumë prej urdhërimeve kanë një përmbajtje më të gjerë sesa duket nga leximi i parë i tyre. Për shembull, urdhërimi i pestë nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhënien prindër/fëmijë, por edhe me të gjitha strukturat pushtetmbajtëse brenda Izraelit.
3. Libri i Ligjit të Përtërirë nxjerr në pah konceptin e tokës së premtuar.
Po t’i shohim librat e Pesëlibërshit, tre librat e parë (Zanafilla, Eksodi dhe Levitiku) kanë të bëjnë më shumë me aspektin e marrëdhënies midis Perëndisë dhe popullit të Tij, ndërsa Numrat dhe Ligji i Përtërirë përqendrohen në aspektin e tokës së premtuar. Premtimet e tjera dhënë patriarkëve përsëriten në Ligjin e Përtërirë, siç është premtimi i një familjeje të madhe (Ligji i Përtërirë 1:10; 10:22; 28:62), megjithatë “toka e premtuar” mbizotëron. Ajo duhej të ishte dhurata e Perëndisë, të cilën Ai ishte betuar se do t’ua jepte shumë kohë përpara se ata ta merrnin atë në zotërim. Populli i Tij duhej të gjente “prehje” në tokën e premtuar (Ligji i Përtërirë 3:20; 12:9–10; 25:19), dhe të shijonte bekimet që Ai do të siguronte. Koncepti i prehjes trajtohet edhe te Psalmi 95 dhe zhvillohet më tej te Hebrenjve 3:7–4:13. Ashtu si Izraelin e priste prehja në Kanaan, po ashtu prehja i pret besimtarët e krishterë. Është e njëjta gjë si “atdheu qiellor” që ata e kërkojnë, qyteti i qëndrueshëm që do të vijë (Hebrenjve 11:16; 13:14). Nuk është aspak befasuese që himnet dhe këngët e krishtera kanë shfrytëzuar temën e kalimit të Jordanit për në tokën e premtuar, si simbol i vdekjes dhe hyrjes në prehjen qiellore të Perëndisë.
Ligji i Përtërirë shënon fundin e Pesëlibërshit, kohë në të cilën premtimet dhënë patriarkëve ishin përmbushur në mënyrë të pjesshme. Me hyrjen në Kanaan, tema e tokës së premtuar u realizua plotësisht, ndërsa premtime të tjera, të tilla si ato që lidhen me mbretërinë dhe profecinë, u përmbushën pas pushtimit të tokës së mirë, tokës që rrjedh qumësht dhe mjaltë (Ligji i Përtërirë 31:20).
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-deuteronomy
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025