Qershor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
David Briones
1. Letra drejtuar Filipianëve siguron një kornizë të dobishme teologjike për përbashkësinë e krishterë.
Termi koinōnia, që shpesh përkthehet si “përbashkësi”, “partneritet” apo si “solidaritet”, përbën caqet e Letrës së apostullit Pal drejtuar Filipianëve. Pali dhe besimtarët kanë koinōnia në përparimin e “ungjillit” (Filipianëve 1:5, 7), në “shtrëngime” (Filipianëve 4:14), dhe në “dhënie e marrje” (Filipianëve 4:15). Mirëpo, koinōnia horizontale i ka rrënjët te koinōnia vertikale në pjesëmarrjen e ungjillit me Atin (Filipianëve 1:3,5), një “koinōnia të Frymës” (Filipianëve 2:1) dhe një “koinōnia në vuajtjet” e Krishtit (Filipianëve 3:10). Koinōnia është kryekëput trinitare. Perëndia, pra, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, është Ai që e çon deri në fund veprën e filluar prej Tij (Filipianëve 1:6), si dhe Ai që vepron në popullin e Tij dhe përmes tyre edhe të dëshiruarit, edhe të vepruarit për pëlqimin e Tij (Filipianëve 2:12–13).
Perëndia e çon përpara ungjillin përmes Palit i cili ishte në burg, kështu që Pali e vë në dukje rolin e tij thelbësor duke përdorur një folje joveprore kur përshkruan atë që kishte “ndodhur” gjatë burgosjes së tij (Filipianëve 1:12). Perëndia e çon përpara ungjillin që shpall Pali (Filipianëve 1:12, 25). Perëndia po ashtu vepron si Dhënësi parësor në dhënien dhe marrjen e tyre, kështu që Pali gëzohet në Zotin për dhuratën që filipianët i dërguan atij në burg, një dhuratë që e bëri atë të kishte me bollëk: “Por i kam të gjitha dhe më teprojnë [fjalë për fjalë, “kam me bollëk”]” (Filipianëve 4:18). Mirëpo, Pali sapo kishte thënë që e përvojonte bollëkun dhe dinte si të kishte me tepri, për shkak të Atij që e forconte (Filipianëve 4:12–13). Perëndia jep përmes dhënësve njerëzorë. Këto dhurata krahasohen me “një parfum erëmirë” dhe “një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm për Perëndinë” (Filipianëve 4:18). Një dhuratë për Palin është një dhuratë kushtuar Perëndisë, “Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi atij përjetë! Amen!” (Romakëve 11:36).
Së fundmi, Perëndia i dhuron besimtarëve vuajtje për t’i bërë ata edhe më të varur te Vetja dhe te besimtarët e tjerë, ose, siç mund ta themi ndryshe, më të varur te Vetja përmes besimtarëve të tjerë, sikurse Epafroditi. Ai gati-gati vdiq për ta lehtësuar vuajtjen e Palit me praninë e vet në burg dhe me dhuratën nga Perëndia përmes kishës së Filipisë (Filipianëve 1:29; 2:25–30; 4:14). Herën tjetër që do të mendoni rreth misionit, predikimit, vuajtjes dhe të gjitha marrëdhënieve tuaja, kujtojini vetes përfshirjen dhe aftësimin hyjnor të Perëndisë. Ai ndryshon gjithçka, veçanërisht të kuptuarin tonë të përbashkësisë së krishterë.
2. Letra drejtuar Filipianëve përvijon jo vetëm mënyrën se si të mendojmë, por edhe si të jetojmë.
“Himni i Krishtit” te Filipianëve 2:5–11, ose siç njihet ndryshe bërthama e zjarrtë e letrës, nuk është thjesht teologji për mendjen, por teologji për jetën. Lajmi i mirë rreth përuljes dhe lartësimit të Krishtit për ne dhe për shpëtimin tonë është mesazhi i ungjillit që duhet ta besojmë me gjithë zemër, ta shpallim me gojë dhe ta shfaqim në jetën tonë. Kjo bëhet e qartë në përdorimin që Pali i bën fjalës “mendje” te Filipianëve 2:1–11. Në katër vargjet e para, besimtarët inkurajohen që të kenë “të njëjtin mendim” dhe “një mendje të vetme” (Filipianëve 2:2). Më pas, në vargun pesë, besimtarët urdhërohen që të kenë “...po atë mendje që ishte edhe në Jezu Krishtin”.
Pali më pas i tregon kishës se si duket “mendja” e duhur, pra, Krishti që nuk ngulmon në të drejtat e Tij, por e përul Veten që të lartësohen të tjerët (Filipianëve 2:6–8). Kini këtë mendje të formësuar sipas Krishtit në ju, e cila nuk është vetëm një mënyrë të menduari (edhe pse kjo është shumë e rëndësishme), por edhe një mënyrë të ndieri dhe të vepruari ndaj njëri-tjetrit. Thënë ndryshe, Pali dëshiron që Krishti të dëgjohet dhe të shihet në ne. Kur ne “...me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten”, njerëzit shohin Krishtin që e përuli Veten me vetëmohim (Filipianëve 2:3, 8). Apo kur ne, ashtu si Epafroditi shkojmë “shumë afër vdekjes”, ata shohin Krishtin që u bë “i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:8, 30). Pali i përdor qëllimisht fjalët kyç të kapitullit 2, për të përshkruar shembujt e ngjashëm me Krishtin në Filipi. E gjitha kjo ndriçon pjesën më të lënë pas dore të Filipianëve 1:21 – “...për mua të jetuarit është Krishti…” – edhe pse nuk mund të jetosh si Krishti nëse nuk jeton në Krishtin. Siç thoshte Martin Luteri, duhet ta pranojmë Krishtin si dhuratë përpara se ta marrim Atë si shembull.
3. Letra drejtuar Filipianëve nxit bashkëinteresin dhe bashkëdetyrimin si virtyte të krishtera.
A ju bën kjo pikë që të mos ndiheni rehat? Termat “interes” dhe “detyrim” mund të na sjellin në mendje kujtime nga e kaluara në botën e ashpër e të pamëshirshme të biznesit, ku “ujku ha ujkun”. Mirëpo, Pali i referohet ungjillit. Te Filipianëve 2:3–4, ai thotë: “ Mos bëni asgjë për rivalitet… Të mos shikojë secili interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve”. Lidhja “jo vetëm... por edhe” është thelbësore. Krishterimi nuk ka të bëjë vetëm me ndjekjen e interesit vetjak, ashtu siç nuk ka të bëjë vetëm me interesin e të tjerëve. Krishterimi do të thotë të ndjekësh interesin vetjak dhe të ndjekësh interesin e të tjerëve. Bashkëinteresi, i kuptuar siç duhet, është biblik.
Bashkëdetyrimi është po ashtu biblik, i cili shihet në përbashkësinë e krishterë të “dhënies të marrjes” (Filipianëve 4:15). Pali u predikoi ungjillin filipianëve. Ai u dha atyre këtë dhuratë të lavdishme. Po të flasim nga pikëpamja e kulturës, duke qenë se kishin marrë një dhuratë, ata i ishin borxhlinj atij. Ja pse ai e përshkruan Epafroditin që rrezikon jetën e vet “për të përmbushur mangësitë e shërbesës [leitourgias] suaj [të filipianëve] ndaj meje [Palit]” (Filipianëve 2:30). Termi leitourgia përshkruan detyrat e detyrueshme (“shërbimin publik”) të priftërisë judaike (2 i Kronikave 31:2). Në ungjillin e Krishtit, ndryshimi është se Perëndia i hirit na aftëson që t’i përmbushim detyrimet tona (Filipianëve 1:6; 2:12–13).
Veç kësaj, bashkëinteresi dhe bashkëdetyrimi janë të lidhura me një nyje të trefishtë te Letra drejtuar Filipianëve. Bashkëinteresi mund të përkufizohet si “interesi i Krishtit”, ndërsa bashkëdetyrimi, në thelb të tij, është detyrimi ynë ndaj Perëndisë, ashtu si detyrimi i Filipianëve ndaj Palit është një detyrim flijues ndaj Perëndisë (Filipianëve 2:21, 30; 4:18).
Po t’i kemi parasysh këto tri gjëra gjatë leximit të letrës drejtuar Filipianëve, do të na vijnë në ndihmë për të krijuar në ne një mënyrë të menduari, të ndieri dhe të vepruari të formësuar sipas Krishtit, teksa gëzojmë përbashkësinë e krishterë me Perëndinë dhe njëri-tjetrin, nëse Zoti e lejon.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-philippians
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025