3 things about ephesians 2560

Maj 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...

David Barry

Letra e Palit drejtuar Efesianëve qëndron krahas Letrës drejtuar Romakëve, si një shembull klasik i mendimit të tij. Kjo letër është qiellore për nga përmbajtja dhe e shtrirë sa i përket të vërtetave që shpall, megjithëse mbetet e afërt dhe pragmatike në udhëzimet që jep. Më poshtë renditen tri gjëra që duhet t’i dini kur të lexoni Letrën e Palit drejtuar Efesianëve.

1. Letra drejtuar Efesianëve është qëllimisht e gjerë dhe e përgjithshme.

Ndryshe nga Letra drejtuar Kolosianëve, të cilën Pali ua shkruan njerëzve që nuk i kishte takuar më parë, ky i fundit kishte qenë drejtuesi i kishës në Efes për tri vjet me radhë (Veprat e Apostujve 20:31). Gjatë kësaj kohe, ai kishte dhënë mësim rregullisht në një shkollë oratorie, duke hedhur kështu një themel të gjerë të mësimit të krishterë në Efes përpara shkrimit të kësaj letre (Veprat e Apostujve 19:9–10). Kështu që teksa shkruan, Pali nuk e bën këtë si reagim ndaj një herezie (siç ndodh te Kolosianëve) apo një skandali publik (siç ndodh te 1–2 Korintasve), por për të paraqitur ungjillin thelbësor. Letra drejtuar Efesianëve është e përgjithshme në mënyrë të lavdishme dhe madhështore. Është një përmbledhje, e cila përmban notat më të larta të të gjithë atyre viteve të kaluara duke iu dhënë mësim ungjillin kur ishte bariu i tyre.

Përmbledhja e ekuilibruar e Palit paraqet dy funksionet madhore të besimit: marrja e shpengimit të arritur nga Jezu Krishti dhe përgjigjja ndaj tij me një bindje të re. Kapitujt 1-3 paraqesin faktet e ungjillit. Ata rrëfejnë planet e përjetshme të Perëndisë për të bekuar popullin e Tij, për t’i dhënë jetë të re atyre që ishin të vdekur frymërisht, për të bashkuar ata që ishin të ndarë dhe larg njëri-tjetrit në një kishë, si dhe për të bërë përtej të gjitha gjërave “...jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efesianëve 1:3–14; 2:1–10, 11–22; 3:20). Tri kapitujt e parë, në thelb shtrojnë pyetjen: A do të besosh?

Në tre kapitujt e fundit, Pali parashtron përgjigjen besnike ndaj shpengimit. “Ecja” e personit është lajtmotivi i letrës. Ky term fillimisht shfaqet teksa përshkruan sesi jobesimtarët “ecnin” në shkelje e mëkate (Efesianëve 2:1–2). Mirëpo, duke filluar nga Efesianëve 4, besimtarët thirren që “të ecin” si përgjigje ndaj besimit. Pali i bën thirrje besimtarëve që të ecin denjësisht ndaj thirrjes së Krishtit (Efesianëve 4:1). Pra, bëhet thirrje që të mos ecin si jobesimtarë, por përkundrazi të ecin në dashuri, të ecin si bij të dritës, si dhe të ecin në urtësi (Efesianëve 4:17; 5:2, 8). Kapitujt 4–6 shtrojnë pyetjen: A do të bindesh?

2. Të krishterët e Efesit ishin të lënë mënjanë.

Të krishterët e Efesit përbënin një pakicë të vogël në një qytet të madh. Popullsia e Efesit në atë kohë vlerësohej rreth 200.000–250.000 banorë. Vetëm Athina dhe Roma ishin qytete më të mëdhenj sesa Efesi. Feja mbizotëruese e Efesit kishte të bënte me adhurimin e Artemisës, megjithatë, kishte edhe shumë kulte të tjera, përfshirë këtu adhurimin e perandorit. Ndonëse fetë e tjera ishin të mirëpritura, krishterimi nuk ishte i tillë. Kjo sepse shihej si një kërcënim ndaj nderit dhe madhështisë së Artemisës (shih Veprat e Apostujve 19:27). Të krishterët e Efesit e mbanin mend shumë mirë revoltën e argjendarëve, gjatë së cilës disa prej tyre u sulmuan dhe u sollën zvarrë në teatrin e madh të qytetit. Disa prej tyre duhet të kishin qenë aty kur një turmë prej pesëdhjetëmijë vetash të zemëruar bërtiste: “E madhe është Artemisa e efesianëve!” (Veprat e Apostujve 19:23–41). Të krishterët e Efesit ishin veç një pakicë dhe jetonin në hijen e Tempullit të Artemisës, të rrethuar nga praktika okulte dhe nën kërcënimin e përsëritjes së dhunës.

Të krishterët e Efesit përjetuan një refuzim të dyfishtë, si nga bota pagane ashtu dhe nga sinagoga. Përpara se pjesa tjetër e Efesit ta kishte marrë vesh se çfarë ishte ungjilli, sinagoga judaike tashmë e kishte hedhur poshtë atë “… dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës…” (Veprat e Apostujve 19:9). Lënia mënjanë e të krishterëve të Efesit qëndron në sfond të mësimit të Palit rreth kishës si familja e Perëndisë dhe trupi i Krishtit (Efesianëve 2:11–22; 4:1–16; 5:23–30). Në Krishtin, çdo besimtar ka vendin e vet. Misteri i qëllimeve të përjetshme të Perëndisë është zbuluar tashmë për ta. Tashmë ata janë të sigurt.

3. Kisha në Efes u rrit në mes të luftës frymërore.

Rreziqet me të cilat përballeshin të krishterët e Efesit nuk kishin të bënin vetëm me riskun e dhunës fizike apo të lënies mënjanë nga shoqëria, por edhe me sulmet e forcave frymërore të së ligës. Pali paralajmëron rreth “principatave”, “pushteteve” dhe “sunduesve të përbotshëm” (Efesianëve 6:12). Shumica e të krishterëve e dinë mirë se çfarë është “armatura e Perëndisë”, që përshkruhet te kapitullit 6. Mbase më pak të njohura janë rrethanat që përbëjnë sfondin e kësaj letre.

Efesi ishte një qendër për ushtrimin e magjisë (Veprat e Apostujve 19:18–19). Ishte një vend që mirëpriste shtrigat dhe magjistarët. Besohej se ata merrni fuqi nga adhurimi i Artemisës dhe nga praktika të tjera okulte. Mbase tundohemi të themi se një perëndi i rremë nuk është “asgjë” dhe se për pasojë nuk përbën rrezik (1 e Korintasve 8:4), por Pali e ndreq këtë qëndrim shpërfillës, duke na paralajmëruar se pas idhujve fshihen demonët dhe se janë ata që e marrin adhurimin (1 e Korintasve 10:20). Për pasojë, Efesi ishte një qendër errësire frymërore dhe shtypjeje demoniake.

Përkundër rreziqeve, kisha vazhdoi të rritej. Të krishterët e Efesit ishin besnikë (Efesianëve 1:15; shih gjithashtu Zbulesa 2:1–3). Zoti dëshmoi përmes tyre pikërisht atë që kishte premtuar: kur i zëmë besë ungjillit, vulosemi “...me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e pronës së fituar, për lëvdimin e lavdisë së tij” (Efesianëve 1:13–14, theksi i shtuar).


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-ephesians

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 vargje kyç mbi familjen
10 vargje kyç mbi dritën