Qershor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
T. Desmond Alexander
Libri i Kronikave është një pjesë e rëndësishme e Biblës sonë të frymëzuar hyjnisht, por janë dy faktorë që i mbajnë larg prej saj lexuesit e krishterë bashkëkohorë: (1) nëntë kapitujt e parë janë të mbushur me informacion gjenealogjik që e bën atë një libër të mërzitshëm për t’u lexuar, dhe (2) çdo gjë që vijon, në njëfarë mase, përsërit informacionin rreth dinastisë davidike që gjendet tashmë i regjistruar te librat e Samuelit dhe të Mbretërve. Përmbajtja e Kronikave ngjason jashtëzakonisht me atë të librave të sipërpërmendur. Kështu që me të drejtë lind pyetja: përse vallë është përfshirë në Bibël një histori e dytë e Izraelit që përkon në një masë të madhe me atë që është regjistruar te librat e Samuelit dhe të Mbretërve? Na ndihmojnë tri vëzhgime të rëndësishme për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
1. Sipas autorit të Librit të Kronikave, mbretëria davidike luan një rol qendror në planin e Perëndisë për shpengimin e mbarë botës.
Duhet të vlerësojmë kontekstin në të cilin u shkrua Libri i Kronikave. Librat e Samuelit dhe të Mbretërve u përfunduan rreth vitit 550 para Krishtit, pas shkatërrimit të Jerusalemit prej ushtrisë babilonase. Kjo ngjarje shkatërrimtare solli shkatërrimin e tempullit dhe fundin e sundimit të dinastisë davidike mbi vendin e Judës. Sipas librit të Mbretërve, këto ngjarje tragjike erdhën si pasojë e gjykimit të Perëndisë mbi popullin e Judës dhe veçanërisht mbi mbretërit davidikë, të cilët i kishin kthyer krahët adhurimit të Perëndisë. Mirëpo, rrethanat kishin ndryshuar rrënjësisht gjatë kohës kur u hartuan Kronikat, pra, rreth viteve 450-400 para Krishtit. Në këtë kohë, shumë prej judenjve ishin kthyer në Jerusalem pas robërisë babilonase për të rindërtuar tempullin dhe muret e qytetit.
Konteksti historik i kohës kur u shkruan librat ka ndikim mbi mesazhin e tyre të gjithmbarshëm. Libri i Mbretërve shpjegon se shkatërrimi dhe mërgimi ranë mbi Jerusalemin për shkak të korruptimit të mbretërisë davidike. Për dallim prej tij, autori i Librit të Kronikave i nxit lexuesit e vet që të besojnë në rëndësinë e vazhdueshme të mbretërisë davidike dhe të luten për rivendosjen e saj. Sipas autorit të Librit të Kronikave, mbretëria davidike luan një rol qendror në planin e Perëndisë për shpengimin e mbarë botës.
2. Libri i Kronikave shpreh shpresën se Perëndia do të ngrejë një pasardhës të Davidit, që do ta vendosë mbretërinë e Perëndisë në mbarë botën.
Pavarësisht nga mungesa e mbretit në Jerusalem pas vitit 586 para Krishtit, Libri i Kronikave shpreh shpresën se Perëndia do të ngrejë një pasardhës të Davidit që do ta vendosë mbretërinë e Perëndisë në mbarë botën. Përmbushja përfundimtare e kësaj shprese është Jezu Krishti. Mirëpo, te banorët e Jerusalemit të shek. V para Krishtit duhet të kenë lindur shumë dyshime rreth përkushtimit të Perëndisë ndaj dinastisë davidike. Sipas Librit të Mbretërve, korruptimi i mbretërve davidikë kishte luajtur rolin e vet në shkatërrimin e Jerusalemit. Duke pasur parasysh ndëshkimin e Perëndisë që kishte rënë mbi mbretërit davidikë, në mendjen e popullit duhet të ketë lindur pyetja: A është ende i përkushtuar Perëndia që të sjellë një mbret të pashoq nga vija e Davidit për të vendosur mbretërinë e Tij?
Gjatë përshkrimit të ngjarjeve të së kaluarës, autori i Librit të Kronikave përqendrohet ekskluzivisht te dinastia davidike. Ndryshe nga Libri i Mbretërve, ai i Kronikave nuk flet fare për mbretërit që sunduan mbi mbretërinë veriore të Izraelit. Librit të Kronikave i interesojnë vetëm mbretërit davidikë që sunduan në Jerusalem. Fisi i Judës, të cilit i përkasin mbretërit davidikë, zë vendin e nderit në gjenealogjitë e renditura te kapitujt 1–9. Juda renditet i pari dhe atij i kushtohet më tepër vëmendje sesa çdo fisi tjetër. Më pas, Libri i Kronikave i kushton njëzet kapituj Davidit, nëntë kapituj Solomonit, djalit të Davidit, ndërsa 27 kapitujt që mbeten i kushtohen mbretërve davidikë që sunduan në Judë. Dinastia davidike zë një vend shumë të rëndësishëm te Libri i Kronikave.
Veç kësaj, në krahasim me Librat e Samuelit dhe të Mbretërve, ai i Kronikave e përshkruan dinastinë davidike në një mënyrë më pozitive. Libri i Kronikave nuk e përshkruan tradhtinë bashkëshortore të Davidit me Bath-Shebën dhe nuk na thotë që Salomoni u çua në rrugë të keqe nga gratë e tij të shumta. Gjëja më mbresëlënëse është se ndërsa Libri i Mbretërve e fajëson rëndë Mbretin Manas për shkatërrimin e Jerusalemit dhe nxjerr në pah fajet e tij të shumta (2 i Mbretërve 21), rrëfimi i jetës së Manasit sipas Librit të Kronikave përqendrohet ekskluzivisht në pendimin e tij pas mërgimit në Babiloni dhe rivendosjes së tij në fronin e Jerusalemit (2 i Kronikave 33). Kopuku i madh i Librit të Mbretërve paraqitet nga një këndvështrim katërçipërisht i ndryshëm te Libri i Kronikave. Në qoftë se Perëndia mund të rivendosë Manasin e penduarManas mbi fronin e Jerusalemit, ka ende shpresë që të rivendosë një mbret davidik për të sunduar mbi mbretërinë e Tij në të ardhmen. Kjo na çon në gjënë e tretë më të rëndësishme rreth Librit të Kronikave.
3. Autori i Librit të Kronikave vë në dukje lidhjen e ngushtë mes tempullit dhe mbretit davidik.
Për t’i bindur lexuesit se Perëndia do ta rivendoste dinastinë davidike në fronin e saj në Jerusalem, autori i Librit të Kronikave vë në dukje rindërtimin e tempullit. Ai nxjerr në pah faktin se tempulli i Jerusalemit dhe mbretëria davidike shkojnë krahë për krah, pra, se ato janë njëlloj si mishi dhe thoi. Në qoftë se tempulli ishte rindërtuar, sigurisht e njëjta gjë do të ndodhte edhe me mbretërinë.
Sa i përket tempullit, autori i Librit të Kronikave i jep një vend të rëndësishëm listave gjenealogjike të Levit dhe të atyre që e përbëjnë këtë fis: priftërinjtë, këngëtarët, derëtarët, si dhe të tjerët që ndihmojnë brenda tempullit. Autori i Librit të Kronikave rrëfen më pas në mënyrë të hollësishme dhe ekskluzive se si u përgatit Davidi për ndërtimin e tempullit në Jerusalem dhe se si e përzgjodhi personelin e tempullit (1 i Kronikave 22–29). Ky informacion nuk gjendet te Librat e Samuelit dhe të Mbretërve. Në dallim nga këta libra, autori i Librit të Kronikave sjell së bashku Davidin dhe Salomonin dhe i paraqet ata sikur e ndërtojnë tempullin së bashku.
Një shembull tjetër i lidhjes mes mbretërisë davidike dhe tempullit është i lidhur me Mbretin Ezekia. Te Libri i Mbretërve, veprimtaritë fetare të Ezekias shprehen përmes një vargu të vetëm (2 i Mbretërve 19:4). Te Libri i Kronikave, atyre iu përkushtohen plot tri kapituj. Libri i Dytë i Kronikave 29–31 e lidh Ezekian me pastrimin dhe ripërkushtimin e tempullit, festimin e Pashkës në tempull dhe planifikimin e adhurimit të vazhdueshëm në tempull. Mund të heqim disa paralele interesante mes veprimeve të Ezekias dhe atyre të Jezusit.
Në këtë dhe në mënyra të tjera të ngjashme, autori i Librit të Kronikave vë në dukje lidhjen e ngushtë që ekziston mes tempullit dhe mbretit davidik. Meqenëse tempulli është rindërtuar, ka shpresë që dinastia davidike do të rivendoset një ditë. Për këtë qëllim, autori i Librit të Kronikave i kujton lexuesve të tij se tempulli është vendi i lutjes dhe i nxit ata të pendohen dhe t’i luten Perëndisë që ta shërojë tokën e tyre (shih 2 i Kronikave 7:14). Duke pasur parasysh këtë mesazh, vlen të përmendet se Gjon Pagëzori i sfidoi banorët e Judesë që të pendoheshin në përgatitje për ardhjen e Jezusit, i cili ishte i premtuari “bir i Davidit”.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-chronicles
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025