Dhjetor 2020
1 e Gjonit 3:5, 8
Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat; ...për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.
Dy herë te 1 e Gjonit 3:1-10 na tregohet pse ndodhi Krishtlindja—domethënë pse Biri hyjnor, i përjetshëm, i Perëndisë erdhi në botë si njeri.
Në vargun 5, Gjoni thotë: “Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat.” Kështu afirmohet pamëkatshmëria e Krishtit—“në Të nuk ka mëkat.” Arsyeja për ardhjen e Tij, afirmohet gjithashtu në: “Ai u shfaq për të hequr mëkatet tona.”
Pastaj, në pjesën e dytë të vargut 8, Gjoni thotë: “Për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.” Fokusi i veçantë që ka në mendje Gjoni, kur thotë “veprat e djallit”, është mëkati, që nxitet nga djalli. Këtë gjë e shohim në pjesën e parë të vargut 8: “Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi.” Prandaj veprat e djallit, të cilat Jezusi erdhi t’i shkatërrojë, janë veprat e mëkatit.
Gjoni na thotë dy herë se Krishtlindja—Biri i Perëndisë u bë njeri—ndodhi për të hequr mëkatin, ose për të shkatërruar veprat e djallit, domethënë mëkatin. Jezusi lindi prej një virgjëreshe, përmes Frymës së Shenjtë (Mateu 1:18-20). Ai “rritej në urtësi, dhe në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Luka 2:52) dhe ishte përsosmërisht i bindur dhe i pamëkat në gjithë jetën dhe shërbesën e Tij, deri në vdekje, madje deri në vdekje të kryqit (Filipianëve 2:5-8; Hebrenjve 4:15)—në mënyrë që të shkatërronte veprat e djallit—të largonte mëkatin.
Mëkatin tonë; Bëje tënden këtë të vërtetë dhe duaje Jezusin për këtë arsye; Merr vetë fjalët e Palit dhe bëji të tuat; “... Por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Kështu i shkatërron Jezusi veprat e djallit dhe na çliron prej mëkatit tonë. Mos lejo që Krishtlindja të jetë abstrakte për ty. Mëkati yt. Konflikti yt me djallin. Fitorja jote. Këto janë arsyet, përse erdhi Jezusi.
Përktheu: www.fjaletejetes.com
Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"