Për çfarë bën fjalë Adventi?

Dhjetor 2020


Marku 10:45

Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave.

Krishtlindja ka të bëjë me ardhjen e Krishtit në botë. Ka të bëjë me Birin e Perëndisë, i Cili ekzistonte që nga përjetësia me Atin si “shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij”. Ai mori një natyrë njerëzore dhe u bë njeri (Hebrenjve 1:3).

Krishtlindja ka të bëjë me lindjen e virgjër të një foshnje të ngjizur në mënyrë të mrekullueshme prej Frymës së Shenjtë dhe Ai është Biri i Perëndisë, jo në atë mënyrë se si ti dhe unë jemi bij të Perëndisë, por në një mënyrë krejtësisht unike (Luka 1:35). Ka të bëjë me ardhjen e një njeriu të quajtur Jezus në të cilin “...banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianëve 2:9).

Krishtlindja ka të bëjë me ardhjen e ‘plotësisë së kohës’ që ishte profetizuar nga profetët e lashtë, se një sundimtar do të lindte në Betlehem (Mikea 5:2); se do të lindte një fëmijë, i cili do të quhej Këshilltar i Admirueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes (Isaia 9:5); se do të vinte një Mesi, një i vajosur, një filiz nga dega e Isait, një Bir i Davidit, një Mbret (Isaia 11:1-4, Zakaria 9:9).

Sipas Markut 10:45, Krishtlindja ka të bëjë me ardhjen e Birit të Njeriut, i cili “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si shpërblim për shpengimin e shumë vetave”. Këto fjalë të këtij vargu, si një pasqyrim i shkurtër i Krishtlindjes, janë ato që shpresoj se Perëndia do t’i ngulitë në mendjen dhe zemrën tënde këtë Advent.

Hape zemrën për të pranuar dhuratën më të mirë që mund të përfytyrosh: Jezusi e dha veten për të vdekur për ty, për të të shërbyer ty gjithë përjetësinë. Pranoje. Largohu nga mëkati dhe mos u mbështet te vetja. Bëhu si fëmijët e vegjël. Besoji Atij. Besoji Atij. Besoji Atij me jetën tënde.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin