1.Ofiqi profetik. Dhiata e Vjetër parashikoi ardhjen e Krishtit si mbret (LiP. 18:15; krahaso me Veprat 3:23). Ai flet për veten si profet (Lu. 13:33), pohon se sjell një mesazh nga Ati (Gjoni 8:26- 28; 12:49, 50; 14:10, 24) parathotë gjërat e ardhshme (Mat. 24:3-35; Lu. 19:41-44) dhe flet me autoritet shembullor (Mat. 7:29). Prandaj s’është çudi që njerëzit e kuptonin si profet (Mat. 21:11, 46; Lu. 7:16; 24:19; Gjoni 6:14; 7:40; 9:17). Profeti është ai që merr zbulesa hyjnore me ëndrra, vegime ose komunikime verbale; pastaj këto ua përçon njerëzve gojarisht ose në mënyrë pamore me veprime profetike (Eks. 7:1; LiP. 18:18; Num. 12:6-8; Isa. 6; Jer. 1:4-10; Ezek. 3:1-4, 17). Shërbesa e tij mund të ketë të bëjë me të shkuarën, të tashmen ose të ardhmen. Një nga dety- rat kryesore të tij kishte të bënte me interpretimin e aspekteve morale dhe shpirtërore të ligjit për popullin. Krishti funksionoi si profet që në Dhiatën e Vjetër (1 Pjet. 1:11; 3:18-20). Ai e bëri këtë kur ishte në tokë dhe e vazhdoi nëpërmjet veprimit të Fry- mës së Shenjtë dhe apostujve, pas ngjitjes së vet në qiell (Gjoni 14:26; 16:12-14; Veprat 1:1). Edhe tani shërbesa e tij profetike vazhdon përmes shërbesës së Fjalës dhe ndriçimit shpirtëror të besimtarëve. Ky është i vetmi funksion i Krishtit që pranohet nga teologjia liberale moderne.
2.Ofiqi priftëror. Dhiata e Re parashikoi dhe paratha edhe prif- tërinë e Shpenguesit të ardhshëm (Psa. 110:4; Zak. 6:18; Isa. 53). Në Dhiatën e Re, vetëm një libër e quan Krishtin prift: letra e Hebrenjve, por atje ky emër gjendet në mënyrë të përsëritur (3:1; 4:14; 5:5; 6:20; 7:26; 8:1). Gjithsesi, edhe librat e tjerë për- mendin punën e tij priftërore (Marku 10:45; Gjoni 1:29; Rom. 3:24, 25; 1 Kor. 5:7; 1 Gjon 2:2; 1 Pjet. 2:24; 3:18). Ndërsa profeti përfaqësonte Perëndinë para popullit, prifti përfaqësonte popullin para Perëndisë. Të dy ishin mësues, por i pari mësonte për moralin, ndërsa i dyti mësonte për ligjin ceremonial. Për më tepër, priftërinjtë kishin privilegjin e veçantë që të shkonin te Perëndia dhe të flisnin e vepronin në emër të popullit. Hebrenjve 5:1-3 na mëson se prifti zgjidhet mes njerëzve për të qenë për- faqësues i tyre, i caktuar nga Perëndia; ai vepron para Perëndisë në interes të njerëzve dhe ofron blatime e flijime për mëkatet. Ai bën dhe ndërmjetësim për popullin.
Pikësëpari, puna priftërore e Krishtit ishte që të sillte një flijim për mëkatet. Flijimet e Dhiatës së Vjetër janë tipologji që para- thonë flijimin e madh të Krishtit (Heb. 9:23, 24; 10:1, 13:11, 12). Prandaj Krishti quhet edhe “Qengji i Perëndisë” (Gjoni 1:29) dhe “Pashka jonë” (1 Kor. 5:7). Dhiata e Re flet shumë qartë për punën priftërore të Krishtit në shumë pasazhe (Marku 10:45; Gjoni 1:29; Rom. 3:24, 25; 5:6-8; 1 Kor. 5:7; 15:3; Gal. 1:4; Efe.
5:2; 1 Pjet. 2:24; 3:18; 1 Gjon 2:2; 4:10; Zbu. 5:12). Përmendjet e kësaj janë më të shpeshta në letrën e Hebrenjve (5:1-10; 7:1- 28; 9:11-15, 24-28; 10:11-14, 19-22; 12:24; 13:12).
Përveç që solli flijimin e madh për mëkatet, Krishti, si prift,bën edhe ndërmjetësimin për popullin e vet. Ai quhet parakle- tos-i ynë në mënyrë të nënkuptuar te Gjoni 14:16 dhe shkoqur te 1 Gjon 2:2. Ky term do të thotë “ai që i bëhet thirrje për ndihmë, avokati, ai që mbron çështjen e dikujt”. Dhiata e Re e quan Krishtin ndërmjetësuesin tonë (Rom. 8:34; Heb. 7:25; 9;24; 1 Gjon 2:1). Puna e tij ndërmjetësuese bazohet në flijimin e tij dhe nuk kufizohet vetëm (siç mendohet ndonjëherë) te lutjet ndërmjetësuese. Ai i paraqet flijimin e tij Perëndisë dhe për hir të kësaj kërkon gjithë bekimet shpirtërore për popullin e vet, i mbron nga akuzat e Satanit, ligji e ndërgjegjja, siguron faljen për gjithçka me të cilën ata janë akuzuar me të drejtë, si dhe u shenjtëron adhurimin dhe shërbesën nëpërmjet veprimit të Fry- mës së Shenjtë. Kjo punë ndërmjetësuese ka karakter të kufi- zuar; ajo kryhet vetëm për të zgjedhurit, por përfshin gjithë të zgjedhurit, qofshin ata tashmë besimtarë apo ende në mosbesim (Gjoni 17:9, 20).
3.Ofiqi mbretëror. Si Biri i Perëndisë, Krishti merr natyrshëm pjesë me Perëndinë në zotërimin e universit. Në dallim nga kjo, flasim për një mbretërim që iu dha atij si Ndërmjetës. Ky mbretërim është i dyfishtë, pra, përfshin: a) mbretërimin e tij shpirtëror mbi kishën dhe b) mbretërimin e tij mbi universin.
- Mbretërimi i tij shpirtëror. Bibla flet për këtë në shumë vende (Psa. 2:6; 132:11; Isa. 9:6, 7; Mikea 5:2; Zak. 6:13; Lu.1:33; 19:38; Gjoni 18:36, 37; Veprat 2:30-36). Mbretërimi i Krishtit është sundimi i tij mbretëror mbi popullin e vet. Quhet shpirtëror, sepse ka lidhje me sferën shpirtërore, vendoset në ze- mrat dhe jetën e besimtarëve, ka një synim shpirtëror (shpëtimin e mëkatarëve) dhe administrohet me mjete shpirtërore (Fjala dhe Fryma). Ai ushtrohet kryesisht në mbledhjen, qeverisjen, mbrojtjen dhe përsosjen e kishës. Ky mbretërim, si dhe sfera e ndikimit të tij, në Dhiatën e Re quhet “mbretëria e Perëndisë” ose “mbretëria e qiejve”. Në kuptimin e ngushtë të fjalës, vetëm besimtarët, anëtarët e kishës së padukshme, janë nënshtetas të kësaj mbretërie. Por nganjëherë termi “mbretëria e Perëndisë” përdoret në kuptimin më të gjerë, duke përfshirë gjithë ata që jetojnë nën shpalljen e ungjillit, gjithë ata që kanë vend në kishën e dukshme (Mat. 13:24-30, 47-50). Nga njëra anë, kjo mbretëri e Perëndisë është një realitet i tanishëm dhe shpirtëror në zem- rën dhe jetën e njerëzve (Mat. 12:28; Lu. 17:21; Kol. 1:13). Nga ana tjetër, ajo është edhe një shpresë e ardhshme, e cila do të përmbushet vetëm në kthimin e Jezu Krishtit (Mat. 7:21; Lu. 22:29; 1 Kor. 15:50; 2 Tim. 4:18; 2 Pjet. 1:11). Mbretëria e ardhshme, në thelb, do të jetë e njëjtë si ajo e tanishmja, pra, do të jetë sundimi i Perëndisë i vendosur dhe i pranuar në zem- rën e njerëzve. Mirëpo ndryshimi është se ajo do të jetë e duk- shme dhe e përsosur. Disa janë të mendimit se ky mbretërim i Krishtit do të përfundojë pasi të kthehet, por Bibla duket se mëson qartë se ky mbretërim do të vazhdojë përjetë (Psa. 45:6; 72:17; 39:36; 37; Isa. 9:6; Dan. 2:44; 2 Sam. 7:13, 16; Lu. 1:33;2 Pjet. 1:11).
- Sundimi i tij universal. Pas ringjalljes, Krishti u tha dishe- pujve: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mat. 28:18). Kjo e vërtetë pohohet edhe te 1 Kor. 15:27 dhe Efe. 1:20-22. Ky mbretërim nuk duhet ngatërruar me mbretërimin fillestar të Krishtit, si Biri i Perëndisë, ndonëse i përket të njëjtës sferë. Ajo që i është besuar Krishtit si Ndërmjetës, në emër të kishës së vet, është mbretërimi mbi universin. Si Ndërmjetës, ai tani udhëheq fatin e individëve dhe kombeve, kontrollon jetën e botës dhe ia nënshtron synimit të tij shpengues, si dhe mbron kishën kundër rreziqeve ndaj të cilave ajo është e ekspozuar në botë. Ky mbretërim do të zgjasë derisa të kryhet fitorja mbi armiqtë e mbretërisë së Perëndisë. Kur të arrihet ky synim, kjo mbretëri do t’i kthehet Atit (1 Kor. 15:24-28).
Mësoni përmendësh. Pasazhe që tregojnë pikat e mëposhtme:
a.Krishti si profet:
Ligji i Përtërirë 18:18. “Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj”.
Luka 7:16. “Atëherë të gjithëve u hyri frika dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: ‘Midis nesh u ngrit një profet i madh’ dhe: ‘Perëndia e vizitoi popullin e vet’”.
b.Krishti si prift:
Psalmi 110:4. “Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: ‘Ti je prift përjetë sipas rendit të Melkisedekut’”.
Hebrenjve 3:1. “Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin”.
Hebrenjve 4:14. “Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë”.
c.Karakteristikat e tij si prift:
Hebrenjve 5:1, 5. “Sepse çdo kryeprift, që merret prej nje- rëzve, vihet për njerëzit për gjërat që kanë të bëjnë me Perën- dinë, për të ofruar dhurata dhe flijime për mëkatet;… Kështu edhe Krishti nuk e përlëvdoi veten që të bëhet kryeprift, por Ai që i tha: ‘Ti je im Bir, sot më linde’”.
d.Vepra e tij flijuese:
Isaia 53:5. “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar”.
Marku 10:45. “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shër- bejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave”.
Gjoni 1:29. “Ja, Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës”. 1 Pjetri 2:24. “Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat”.
1 Gjon 2:2. “Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës”.
e.Vepra e tij ndërmjetësuese:
Romakëve 8:34. “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne”.
Hebrenjve 7:25. “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta”.
1 Gjon 2:1b. “Dhe në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin.”
f.Krishti si Mbret i Sionit:
Psalmi 2:6. “E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë”.
Isaia 9:6. “Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë”.
Luka 1:32-33. “Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur”.
g.Krishti si mbret i universit:
Mateu 28:18. “Dhe Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ‘Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë’”.
Efesianëve 1:22. “Dhe vuri gjithçka nën këmbët e tij, edhe përmbi çdo gjë ia dha për krye kishës”.
1 Korintasve 15:25. “Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë gjithë armiqtë nën këmbët e veta”.