Qiejt e rinj dhe toka e re
Çfarë është qielli? A është një vend? Si do të ripërtërihet toka? Si do të jetë të jetuarit në qiejt dhe tokën e re?
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
A. Ne do të jetojmë në përjetësi me Perëndinë në qiejt e rinj dhe në një tokë të re
Pas gjykimit përfundimtar, besimtarët do të hyjnë përgjithnjë në shijimin e plotë të jetës në praninë e Perëndisë. Jezusi do të na thotë: “Ejani, të bekuar të Atit tim; trashëgoni mbretërinë që u bë gati për ju që nga themelimi i botës” (Mat. 25:34). Ne do të hyjmë në një mbretëri në të cilën “asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t'i shërbejnë” (Zbu. 22:3).
Kur i referohen këtij vendi, të krishterët shpesh herë flasin për të jetuarit me Perëndinë “në qiell” përgjithnjë. Por në fakt, mësimi biblik është më i pasur sesa thjesht kaq: ai na tregon se do të ketë qiej të rinj dhe një tokë të re—një krijim të ripërtërirë përsëri—dhe ne do të jetojmë me Perëndinë atje.
Zoti premton përmes Isaisë: “Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje” (Isa. 65:17), dhe flet për “qiejt e rinj dhe tokën e re që unë do të bëj” (Isa. 66:22). Pjetri thotë: “sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia” (2 Pjetrit 3:13). Në vegimin e Gjonit të ngjarjeve të cilat vijnë pas gjykimit përfundimtar, ai thotë: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë shkuan, dhe deti nuk është më” (Zbu. 21:1). Ai vazhdon duke na treguar se do të ketë gjithashtu një lloj të ri unifikimi të qiellit dhe tokës, sepse ai shikon qytetin e shenjtë, “Jerusalemin e ri,” që “zbriste nga Perëndia, prej qiellit” (Zbu. 21:2), dhe dëgjon një zë i cili shpall se “tabernakulli i Perëndisë [është] me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta” (v. 3). Kështu që në këtë krijim të ri do të ketë një bashkim të qiellit dhe tokës dhe atje ne do të jetojmë në praninë e Perëndisë.
1. Çfarë është qielli? Gjatë kësaj epoke të tanishme, vendi ku Perëndia banon shpesh herë është quajtur “qiell” në Shkrim. Zoti thotë: “Qielli është froni im” (Isa. 66:1), dhe Jezusi na mëson të lutemi kështu: “Ati ynë që je në qiej” (Mat. 6:9). Jezusi tani “i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë” (1 Pjetrit 3:22). Në fakt qielli mund të përkufizohet si më poshtë: Qielli është vendi ku Perëndia bën të njohur më plotësisht praninë e Tij për të bekuar.
Më herët diskutuam mënyrën se si Perëndia është i pranishëm gjithkund[94]1 por veçanërisht se si Ai e manifeston praninë e Tij për të bekuar në vend të caktuara. Manifestimi i madh i pranisë së Perëndisë për të bekuar, shikohet në qiell, ku Ai e bën të njohur lavdinë e Tij dhe ku engjëjt, krijesa të tjera qiellore, dhe shenjtorët e shpenguar e adhurojnë të tërë.
2. Qielli është një vend, jo thjesht një gjendje mendore. Por ndokush mund të pyesë se si qielli mund të bashkohet me tokën. Është e qartë që toka është një vend që ekziston në një vendndodhje të caktuar në universin tonë hapësirë-kohë por si do mund të mendohet edhe qielli si një vend i cili mund t’i bashkohet tokës?
Jashtë botës ungjillore, ideja e qiellit si një vend, shpesh herë është mohuar, kryesisht për shkak se ekzistenca e tij mund të njihet vetëm nga dëshmia e Shkrimit. Kohët e fundit, edhe disa studiues ungjillorë kanë ngurruar të pohojnë faktin që qielli është një vend.[95]2 A duhet që fakti që ne dimë për qiellin vetëm nga Bibla, dhe që nuk mund të paraqesim ndonjë provë empirike për të, të përbëjë arsye për të mos besuar që qielli është një vend real?
Besëlidhja e Re, në disa mënyra të ndryshme dhe mjaft qartë, na mëson idenë e një vendndodhjeje për qiellin. Kur Jezusi u ngrit në qiell, fakti që Ai shkoi në një vend duket se është i tërë qëllimi i tregimit, dhe pika që Jezusi synoi që dishepujt e Tij të kuptonin nga mënyra në të cilën Ai u ngjit gradualisht madje ndërkohë që po u fliste atyre: “Mbasi i tha këto, ndërsa ata po e shikonin, u ngrit lart; dhe një re e mori prej syve të tyre” (Veprat 1:9; kr. Luka 24:51: “ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit lart në qiell”). Engjëjt ia britën: “Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell” (Veprat 1:11). Është e vështirë të përfytyrojmë se si fakti i ngjitjes së Jezusit në një vend, mund të jepet mësim në mënyrë të qartë se kaq.
Një përfundim i qartë mund të nxirret nga historia e vdekjes së Stefanit. M’u përpara se të goditej me gurë, ai, “plot Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë, dhe tha: "Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtë të Perëndisë" (Veprat 7:55–56). Ai nuk pa thjesht simbole të një gjendjeje ekzistence. Duket më shumë se sytë e tij u hapën për të parë një dimension frymëror të realitetit të cilit Perëndia e ka fshehur prej nesh në këtë epokë të tanishme, një dimension i cili gjithsesi vërtetë që ekziston në universin tonë hapësinor/kohor, dhe që brenda të cilit tani jeton Jezusi në trupin e Tij të ringjallur, duke pritur edhe tani për kohën kur do të kthehet në tokë.[96]3 Për më tepër, fakti që ne do të kemi trupa të ringjallur si trupi i ringjallur i Krishtit, tregon që qielli do të jetë një vend, sepse në trupa të tillë fizikë (të përsosur, për të mos u dobësuar e vdekur kurrë më),[97]4 ne do të banojmë në një vend specifik në një kohë specifike ashtu sikurse bën Jezusi tani në trupin e Tij të ringjallur.
Ideja e qiellit si një vend, është gjithashtu kuptimi më i lehtë me të cilin të marrim premtimin e Jezusit: “Po shkoj t'ju përgatis një vend” (Gjoni 14:2). Ai flet mjaft qartë për largimin nga ekzistenca e Tij në këtë botë, e kthimin tek Ati dhe pastaj për rikthimin në tokë: “Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis një vend, do të kthehem përsëri dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:3).
Këto tekste na shtyjnë tani të dalim në përfundimin se qielli është edhe tani një vend, paçka se një vend, vendndodhja e të cilit tani është e panjohur për ne dhe ekzistenca e të cilit nuk është tani në gjendje që të perceptohet nga ndjenjat e natyrshme. Është ky vendi i banimit të Perëndisë i Cili njëfarësoj do të bëhet i ri në kohën e Gjykimit përfundimtar dhe që do të bashkohet me një tokë të ripërtërirë.
3. Krijimi fizik do të ripërtërihet dhe do të vazhdojë të ekzistojë dhe veprojë në të. Përveç një qielli të ripërtërirë, Perëndia do të bëjë një “tokë të re” (2 Pjetrit 3:13; Zbu. 21:1). Ka një sërë pasazhesh të cilat lënë të kuptohet që krijimi fizik do të ripërtërihet në një mënyrë të ndjeshme. “Sepse dëshira e madhe e krijesës pret me durim zbulimin e bijve të Perëndisë, sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8:19–21).
Por a do të përtërihet thjesht bota apo ajo do të shkatërrohet plotësisht dhe do të zëvendësohet nga një botë tjetër e sapo krijuar prej Perëndisë? Disa pasazhe duket se flasin për një krijim tërësisht të ri: Autori i hebrenjve (duke cituar Ps. 102) na tregon për qiejt dhe tokën: “Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë, dhe ti do t'i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen” (Heb. 1:11–12). Më vonë ai na thotë se Perëndia ka premtuar: "Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin". Dhe kjo ``edhe një herë'' tregon ndërrueshmërinë e gjërave, që tunden ... që të mbeten ato që nuk tunden” (Heb. 12:26–27). Pjetri thotë: “dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, por elementet do të shpërbëhen nga të nxehtit dhe toka dhe veprat, që janë në të, do të digjen krejt” (2 Pjetrit 3:10). Një pamje e ngjashme gjendet tek “Zbulesa”, ku Gjoni thotë: “nga fytyra e të cilit morën arratinë dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vend për ta” (Zbu. 20:11). Për më tepër, Gjoni thotë: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë shkuan, dhe deti nuk është më” (Zbu. 21:1).
Brenda botës Protestante, ka patur mosmarrëveshje në lidhje me a do të shkatërrohet plotësisht dhe zëvendësohet toka, apo ajo thjesht do të ndryshohet dhe ripërtërihet. Berkhof-i thotë se studiuesit Luterianë kanë theksuar faktin që do të ketë një krijim tërësisht të ri ndërkohë që studiuesit e Reformuar kanë patur prirjen që të theksojnë se ato vargje të cilat thjesht thonë se ky krijim i tanishëm do të ripërtërihet.[98]5 Pozita e të Reformuarve duket e preferueshme këtu sepse është e vështirë të mendojmë se Perëndia do të asgjësojë tërësisht krijimin e Tij fillestar, e kësisoj duket t’i japë djallit fjalën e fundit dhe të çojë për skrap krijimin i cili në fillim ishte “shumë mirë” (Zan. 1:31). Pasazhet e mësipërme të cilat flasin për tronditjen dhe heqjen e botës si dhe të kalimit të botës së parë, mundet që thjesht t’i referohen ekzistencës së saj në formën e tanishme, e jo në vetë ekzistencën e saj, dhe madje “2 Pjetrit” 3:10, që flet për elementët të cilët shpërbëhen dhe për tokën dhe veprat në të, të cilat do digjen, mund të mos jetë duke folur për tokën si planet por më tepër për gjërat në sipërfaqen e tokës (d.m.th. një pjesë e mirë e dheut dhe gjërave në të).
4. Trupat tanë të ringjallur do të jenë pjesë e krijimit të ripërtërirë. Në qiejt e rinj dhe tokën e re, do të ketë një vend për veprimtari për trupat tanë të ringjallur, të cilët nuk do plaken, as dobësohen dhe as sëmuren kurrë, një faktor i fortë në favor të kësaj pikëpamjeje është fakti që Perëndi e bëri krijimin fillestar fizik “shumë mirë” (Zan. 1:31). Për rrjedhojë, nuk ka asgjë në vetvete të mëkatshme, të ligë ose “jo frymërore” në botën fizike të cilën Perëndia bëri ose tek krijesat që Ai vuri në të, ose tek trupat fizikë që Ai na dha kur na krijoi. Paçka se të tëra këto gjëra janë shëmtuar dhe shtrembëruar nga mëkati, Perëndia nuk do ta shkatërrojë plotësisht botën fizike (gjë që do të ishte njëlloj si të pranoje se mëkati do kishte prishur dhe mposhtur qëllimet e Perëndisë), por më tepër që Ai do të përsosë të tërë krijimin dhe do ta sjellë atë në harmoni me qëllimet për të cilat e krijoi fillimisht atë. Për rrjedhojë, ne mund të presim që në qiejt e rinj dhe në tokën e re do të ketë një tokë plotësisht të përsosur e cila është përsëri “shumë e mirë” në sytë e Perëndisë, dhe kjo do të funksionojë për të përmbushur qëllimet për të cilat Ai e vuri fillimisht njeriun në tokë.
Kur autori i “Hebrenjve” thotë se ne “ende” nuk e shikojmë gjithçka të nënshtruar njeriut (Heb. 2:8), ai nënkupton se si përfundim, të tëra gjërat do të na nënshtrohen, në mbretërimin e njeriut Jezus Krisht (shënim v. 9: “Jezusin, e shikojmë të kurorëzuar me lavdi dhe nder”). Kjo gjë do të përmbushë planin fillestar të Perëndisë për të bërë që gjithçka në botë t’i nënshtrohet qenieve njerëzore që Ai ka bërë.[99]6 Në këtë kuptim, atëherë, ne do të “trashëgojnë tokën” (Mat. 5:5) dhe do të mbretërojmë mbi të ashtu sikurse synonte Perëndia në fillim.
Për këtë arsye, nuk duhet të na duket e habitshme po të shikojmë se disa prej përshkrimeve të jetës në qiell përfshijnë tiparet të cilat janë vërtetë pjesë e krijimit fizik ose material që Perëndia ka bërë. Ne do të hamë dhe pimë “në gostinë e dasmës së Qengjit” (Zbu. 19:9). Jezusi edhe një herë tjetër do të pijë verë me dishepujt e Tij në mbretërinë qiellore (Luka 22:18). “lumin e ... ujit të jetës” i cili do të rrjedhë “prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit në mes të rrugës së qytetit” (Zbu. 22:1). Pema e jetës do të japë “dymbëdhjetë fruta, dhe jep çdo muaj një frutë” (Zbu. 22:2). Nuk ka arsye të fortë po të themi se këto shprehje janë thjesht simbolike, pa ndonjë referencë të vërtetë. Ato janë bankete simbolike, verë simbolike dhe lumenj dhe pemë simbolike, njëfarësoj superiore ndaj banketeve reale, dhe verë reale si dhe lumenj e pemë reale në planin e përjetshëm të Perëndisë? Këto gjëra janë thjesht disa prej tipareve të shkëlqyera të përsosmërisë dhe mirësisë përfundimtare të krijimit fizik që Perëndia ka bërë.
Sigurisht që në librin e Zbulesës ka përshkrime simbolike, dhe është e pashmangshme që në një pikë a tjetër ne të mos jemi në gjendje të vendosim nëse diçka duhet marrë simbolikisht ose me kuptim të drejtpërdrejtë. Por, nuk duket e vështirë të mendojmë se përshkrimi i qytetit qiellor me porta dhe mure dhe themele, është një përshkrim i diçkaje që është për t’u marrë me kuptimin të drejtpërdrejtë dhe real “qytetin e madh, Jerusalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj ngjante me gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor” (Zbu. 21:10–11). “Edhe sheshi i qytetit ishte ar i kulluar, si qelq i tejdukshëm ... mbretërit e dheut sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të. Dhe portat e tij nuk do të mbyllen fare gjatë ditës, sepse nuk do të ketë natë atje. Edhe do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve në të” (Zbu. 21:21–26).
Ndërkohë që mund të kemi disa pasiguri rreth kuptimit të disa hollësive të caktuara, nuk duket e papërputhshme me këtë tablo po të themi se ne do të hamë dhe do të pimë në qiejt e rinj dhe në tokën e re, dhe që do të vazhdojmë edhe me veprimtari të tjera fizike gjithashtu. Muzika padyshim që është mbizotëruese në përshkrimet e qiellit tek “Zbulesa”, dhe ne mund të përfytyrojmë që veprimtari si muzikore ashtu dhe artistike do të zhvillohen për lavdinë e Perëndisë. Ndoshta njerëzit do të punojnë në një gamë të plotë qëmtimi dhe zhvillimi të krijimit përmes mjeteve teknologjike, krijuese dhe shpikëse, duke shpalosur kësisoj shtrirjen e plotë të krijimit të shkëlqyer sipas shëmbëllimit të Perëndisë.
Për më tepër, përderisa Perëndia është i pafundmë dhe ne nuk do mund ta kuptojmë kurrë madhështinë e Tij (Ps. 145:3), dhe përderisa ne jemi krijesa të fundme, ne nuk do ta barazojmë kurrë njohurinë e Perëndisë e as do të jemi të gjithëdijshëm,[100]7 ne mund të presim që për tërë përjetësinë do të jemi në gjendje të vazhdojmë të mësojmë më shumë rreth Perëndisë dhe rreth marrëdhënies së Tij me krijimin. Në këtë mënyrë, ne do të vazhdojmë procesin e të mësuarit të cilin filluam në këtë jetë, në të cilin një jetë ku “t'i pëlqeni në çdo gjë” është një e cila përfshin në mënyrë të vazhdueshme një qëndrim “duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kol. 1:10).
5. Krijimi i ri do të jetë “pa kohë” por do të përfshijë një njëpasnjëshmëri të pafundme momentesh. Paçka se një himn i mirënjohur flet për kohën kur “boria e Zotit do të bjerë dhe koha nuk do të ekzistojë më,” Shkrimi nuk e mbështet atë ide. Padyshim që qyteti qiellor i cili merr dritën e tij nga lavdia e Perëndisë (Zbu. 21:23) nuk do të përjetojë kurrë errësirë ose natë: “nuk do të ketë natë atje” (Zbu. 21:25). Por kjo gjë nuk do të thotë se qielli do të jetë një vend ku koha nuk dihet, ose ku gjërat nuk mund të bëhen njëra pas tjetrës. Në të vërtetë, të gjitha ilustrimet e adhurimit qiellor në librin e Zbulesës përfshijnë fjalë të cilat janë folur njëra pas tjetrës në fjali me lidhje logjike, dhe në veprime (të tilla si rënia përpara fronit të Perëndisë dhe hedhja e kurorave përpara fronit të Tij) gjë që përfshin një sekuencë ngjarjesh. Kur lexojmë që “mbretërit e dheut ... do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve” (Zbu. 21:24–26), ne shikojmë një veprimtari tjetër e cila përfshin një sekuencë ngjarjesh, njëra pas tjetrës, dhe padyshim që kjo është rrjedhojë e qartë e faktit që pema e jetës ka dymbëdhjetë lloje frytesh, “jep çdo muaj një frutë” (Zbu. 22:2). (mbi Zbu. 10:6 shiko kapitullin 11, f. 173, n. 18.)
Përderisa ne jemi krijesa të fundme, ne mundet që gjithashtu të presim që nuk do të jetojmë gjithnjë në një njëpasnjëshmëri momentesh. Ashtu sikurse ne nuk do të arrijmë kurrë gjithë-dijen ose gjithë-praninë e Perëndisë, po ashtu ne nuk do të arrijmë kurrë përjetësinë e Perëndisë në kuptimin e të shikuarit të të tërë kohës në një mënyrë njëlloj të gjallë, e jo të jetojmë në një njëpasnjëshmëri momentesh ose të kufizohemi nga koha. Si krijesa të fundmen, ne do të preferonim të jetonim në një njëpasnjëshmëri momentesh të cilat nuk do të përfundojnë kurrë.
B. Doktrina e krijesës së re na siguron një motivim të madh për grumbullimin e thesareve në qiell e jo në tokë
Kur marrim në konsideratë faktin që ky krijim i tanishëm është i përkohshëm, dhe që jeta jonë në krijimin e ri do të zgjasë përgjatë gjithë përjetësisë, ne kemi një motivim të fortë për të jetuar në mënyrë të perëndishme, si dhe për të jetuar në një mënyrë të atillë që të grumbullojmë thesare në qiell. Në reflektim ndaj faktit që qielli dhe toka do të shkatërrohen, Pjetri thotë të mëposhtmet:
Në qoftë se, pra, të gjitha këto gjëra do të shpërbëhen sa e shenjtë dhe e perëndishme duhet të jetë atëherë sjellja juaj duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë dhe do të shpërbëhen, dhe elementet e konsumuara nga nxehtësia do të shkrihen? Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia. (2 Pjetrit 3:11–13)
Dhe Jezusi në mënyrë shumë të shkoqur na thotë:
Mos mblidhni për vete thesare mbi dhe, ku i brejnë tenja e ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë e vjedhin, përkundrazi, mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja, as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj. (Mat. 6:19–21)[101]8
C. Krijesa e re do të jetë një vend me bukuri të madhe dhe shumë gëzim në praninë e Perëndisë
Mes tërë pyetjeve të cilat ne në mënyrë të natyrshme kemi në lidhje me qiejt e rinj dhe tokën e re, ne nuk duhet të humbim nga sytë faktin që Shkrimi në mënyrë të njëtrajtshme e portretizon këtë krijesë të re si një vend bukurie dhe gëzimi të madh. Në përshkrimin e qiellit tek “Zbulesa” 21 dhe 22, kjo temë pohohet në mënyrë të përsëritur. Është një “qytet i shenjtë” (21:2), një vend i “bërë gati si nuse e stolisur për burrin e saj” (21:2). Në atë vend, “vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më” (21:4). Atje ne do mund të pimë “si dhuratë nga burimi i ujit të jetës” (21:6). Ai është një qytet i cili ka “lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj ngjante me gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor” (21:11). Është një qytet me madhësi të jashtëzakonshme, sido që ato masa të merren, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë simbolike. Gjatësia e tij është “dymbëdhjetë mijë stade” (21:16), ose rreth 1,400 milje (2,250 kilometra), dhe “gjatësia dhe gjerësia dhe lartësia e tij janë të barabarta” (21:6). Disa pjesë të qytetit janë të ndërtuara me xhevahire të stërmëdhenj me ngjyra të ndryshme (21:18–21). Në të nuk do të ketë aspak të këqija sepse “nuk do të hyjë në të asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit” (21:27). Në atë qytet, ne do të kemi gjithashtu pozita sundimi mbi të tërë krijimin e bërë prej Perëndisë, sepse “do të mbretërojnë në jetë të jetëve” (22:5).
Por, më e rëndësishme se e tërë bukuria fizike e qytetit qiellor, më e rëndësishme sesa bashkësia të cilën ne do të shijojmë në përjetësi me të tërë popullin e Perëndisë nga të tëra kombet dhe nga të tëra periudhat e historisë, më e rëndësishme se mospasja prej nesh e dhimbjeve, pikëllimit dhe vuajtjeve fizike, dhe më e rëndësishme sesa mbretërimi në mbretërinë e Perëndisë, ku e ku më e rëndësishme se cilado prej këtyre do të jetë fakti që ne do të jemi në praninë e Perëndisë dhe do të shijojmë një bashkësi të papenguar me Të. “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre; do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre” (21:3–4).
Në Besëlidhjen e Vjetër, kur lavdia e Perëndisë mbushte tempullin, priftërinjtë nuk ishin në gjendje që të qëndronin në këmbë e të shërbenin aty (2 Kron. 5:14). Në Besëlidhjen e Re, kur lavdia e Perëndisë rrethoi barinjtë në fushën jashtë Bethlehemit “i zuri një frikë e madhe” (Luka 2:9). Por këtu, në qytetin qiellor, ne do të jemi në gjendje që ta përballojmë fuqinë dhe shenjtërinë e pranisë së lavdisë së Perëndisë, sepse do të jetojmë në mënyrë të pandërprerë në atmosferën e lavdisë së Perëndisë. “Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji” (21:23). Ky do të jetë plotësimi i qëllimi të Perëndisë, të na thërrasë “përmes lavdisë dhe virtytit” (2 Pjetrit 1:3): atëherë ne do të banojmë në mënyrë të përhershme “me ngazëllim para lavdisë së tij” (Juda 1:24; kr. Rom. 3:23; 8:18; 9:23; 1 Kor. 15:43; 2 Kor. 3:18; 4:17; Kol. 3:4; 1 Thes. 2:12; Heb. 2:10; 1 Pjetrit 5:1, 4, 10).
Në atë qytet ne do të jetojmë në praninë e Perëndisë, sepse “në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t'i shërbejnë” (Zbu. 22:3). Hera-herës, këtu në tokë ne përjetojmë gëzimin e adhurimit të mirëfilltë të Perëndisë dhe e kuptojmë se është gëzimi ynë më i madh t’i japim Atij lavdi. Por në atë qytet, ky gëzim do të shumëfishohet disa herë dhe ne do të njohim plotësimin e asaj gjëje për të cilën u krijuam. Gëzimi ynë më i madh do të jetë të shikojmë Zotin Vetë dhe tek të qenurit me Të përgjithnjë. Kur Gjoni flet për bekimet e qytetit qiellor, kulmimi i atyre bekimeve shprehet në deklaratën e shkurtër: “do të shohin fytyrën e tij” (22:4). Kur ne të shikojmë fytyrën e Zotit tonë dhe Ai të na shikojë gjithashtu me dashuri të pafundme, tek Ai ne do të shikojmë plotësimin e gjithçka të cilën ne e dimë se është e mirë dhe e drejtë dhe e dëshirueshme në univers. Në fytyrën e Perëndisë ne do të shikojmë plotësimin e të tëra dëshirimeve që kemi patur ndonjëherë për të njohur dashuri, paqe dhe gëzim të përsosur, si dhe për të njohur të vërtetën dhe drejtësinë, shenjtërinë dhe mençurinë, mirësinë dhe fuqinë, si dhe lavdinë dhe bukurinë. Ndërkohë që hedhim vështrimin në fytyrën e Zotit tonë, ne do të dimë më plotësisht se më parë që “ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Ps. 16:11). Atëherë ajo që ne dëshirojmë në zemër e për të cilën kemi thirrur në të kaluarën, do të përmbushet: “Për një gjë iu luta Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në Shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij” (Ps. 27:4).
Kur më në fund ne do ta shikojmë Zotin ballë për ballë, zemrat tona nuk do të dëshirojnë asgjë tjetër. “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje ... Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi” (Ps. 73:25–26). Pastaj, me gëzim në zemrat dhe zërat tanë, ne do të bashkohemi me të shpenguarit e të gjitha epokave si dhe me ushtritë e fuqishme të qiellit, duke kënduar, “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, që ishte, që është dhe që vjen!” (Zbu. 4:8).
PYETJE PËR ZBATIM VETJAK
1. Në jetën tënde të krishterë deri në këtë pikë, a ke kaluar shumë kohë duke menduar për jetën në qiejt e rinj dhe në tokën e re? A mendon se në zemrën tënde ka një dëshirim të fortë për këtë? Nëse nuk ka qenë e fortë, përse mendon se është kështu?
2. Në ç’mënyrë të ka bërë ky kapitull më të entuziazmuar për hyrjen në qytetin qiellor? Çfarë ndikimesh pozitive në jetën tënde të krishterë mendon se do të vinin për shkak të një dëshirimi më të fortë për jetën që do të vijë?
3. A je i bindur që krijimi i ri është një vend në të cilin ne do të ekzistojmë me trupa fizikë që janë bërë të përsosur? Po qe se është kështu, a je inkurajuar ose dekurajuar nga kjo ide? Përse? Përse mendon se është e domosdoshme të këmbëngulim që qielli është një vend aktual edhe sot?
4. Cilat janë disa mënyra në të cilat ti tashmë ke grumbulluar thesare në qiell e jo në tokë? A ka edhe mënyra të tjera përmes të cilave ti mund ta bësh atë gjë në jetën tënde tani? A mendon se do ta bësh këtë gjë?
5. Nganjëherë, njerëzit kanë menduar se do të mërziteshin në jetën e ardhshme. A ndjehesh ashtu edhe vetë? Cila është një përgjigje e mirë ndaj kundërshtimit që gjendja e përjetshme do të jetë e mërzitshme?
6. A mund ta përshkruash sadopak atë që mendon se do të ndjesh kur në fund të qëndrosh në praninë e Perëndisë e ta shikosh Atë ballë për ballë?
TERMA TË VEÇANTË
qiell
qiej të rinj dhe tokë e re
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1882–1892 Litton, 600–605
2. Arminiane (Ueslejane ose Metodiste)
1875–1876 Pope, 3:447–454
1892–1894 Miley, 2:472–475
1940 Wiley, 3:375–393
1960 Purkiser, 574–577
1983 Carter, 2:1130–1133, 1136–1140
3. Baptiste
1767 Gill, 2:258–268, 329–340
1887 Boyce, 471–477
1907 Strong, 1029–1033
1917 Mullins, 483–488
1976–1983 Henry, 4:593–614
1983–1985 Erickson, 1225–1234
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 4:433–439; 5:365–376
1949 Thiessen, 397–399
5. Luteriane
1917–1924 Pieper, 3:550–555
1934 Mueller, 639–644
6. E Reformuar (ose Presbiteriane)
1724–1758 Edwards, 2:617–641
1861 Heppe, 706–712
1871–1873 Hodge, 3:855–861
1878 Dabney, 849–852
1889 Shedd, 2b:664–666
1938 Berkhof, 736–738
1962 Buswell, 2:511–538
7. Ripërtëritja (ose karizmatike/Pentakostale)
1988–1992 Williams, 3:479–508
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott, 476–479
2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II
1980 McBrien, 2:1141–1142, 1155–1156
Vepra të Tjera
Blamires, Harry. Të Dish të Vërtetën Për Qiellin dhe Ferrin (Knowing the Truth About Heaven and Hell). Knowing the Truth series, red. J.I. Packer dhe Peter Kreeft. Ann Arbor: Servant, 1988.
Gilmore, John. Zhbirimi i Qiellit: Pyetje Kyçe për Kohën që do të Vijë (Probing Heaven: Key Questions on the Hereafter). Grand Rapids: Baker, 1989.
Grider, J.K. “Qielli (Heaven).” Tek FUT (EDT) fq. 499–500.
Hoekema, Anthony A. “Toka e Re (The New Earth).” Tek Bibla dhe e Ardhmja (The Bible and the Future). Grand Rapids: Eerdmans, 1979, fq. 274–287.
Lincoln, Andrew T. Parajsa Tani dhe Ende Jo: Studime mbi Rolin e Dimensionit Qiellor në Mendimin e Palit me një Referencë të Veçantë ndaj Eskatologjisë së Tij (Paradise Now and Not Yet: Studies in the Role of the Heavenly Dimension in Paul’s Thought With Special Reference to His Eschatology). Society for New Testament Studies Monograph Series. London; New York: Cambridge, 1981.
Murray, John. “Përlëvdimi (Glorification).” Tek Shpengimi i Arritur dhe i Zbatuar (Redemption Accomplished and Applied). Grand Rapids: Eerdmans, 1955, fq. 174–181.
Smith, Wilbur M. Doktrina Biblike e Qiellit (The Biblical Doctrine of Heaven). Chicago: Moody, 1968.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“Zbulesa” 21:3–4: Dhe dëgjova një zë të madh prej qiellit, që thoshte: «Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më, sepse të parat shkuan».
HIMN
“RËRA E KOHËS PO MBARON (THE SANDS OF TIME ARE SINKING)”
Ky është një nga himnet më të bukur të shkruar ndonjëherë në çfarëdo gjuhe. Ai shpreh shumë qartë faktin që bukuria e qiellit është lavdia e Perëndisë, dhe bukuria e madhe e lavdisë së Perëndisë është Qengji i Cili vdiq për ne e që tani mbretëron.
Rëra e kohës po mbaron, agimi i qiellit po kthjellet,
Mëngjesi i verës që kam dëshiruar, mëngjesi i kthjellët i ëmbël zgjohet;
Drita e ditës është pranë por e errët, e errët ka qenë mesnata,
Dhe banon në tokën e Emanuelit lavdia, lavdia.
Mbreti atje në bukurinë e Tij pa shikohet pa penguar;
Qe një udhëtim që ia vlente, paçka shtatë vdekjeve që rrugës duhen kaluar:
Në malin Sion, Qengji qëndron me ushtrinë e dëlirë që është e Tija,
Dhe banon në tokën e Emanuelit lavdia, lavdia.
Oh Krishti, Ai është pusi i dashurisë i thellë e i ëmbël, Ai është themeli!
Përrenjtë në tokë i kam shijuar, më thellë do atje lart të pi:
Atje në një oqean mbushullie prej Tij shtrihet mëshira,
Dhe banon në tokën e Emanuelit lavdia, lavdia.
Nusja nuk i ka sytë tek petkat e veta, por tek fytyra e dhëndrit të shtrenjtë;
Unë nuk do kundroj lavdinë, por vetë Mbretin tim të hirshëm përjetë;
Jo tek kurora që Ai jep, por tek dora e Tij që u tejshpua:
Dhe banon në tokën e Emanuelit lavdia, lavdia.
Autor: Anne R. Cousin, 1857