Kapitulli 38: Shenjtërimi (Rritja në ngjashmëri me Krishtin)

Shenjtërimi (Gjithnjë e më të ngjashëm me Krishtin)

Si bëheni më të pjekur si të krishterë? Cilat janë bekimet e rritjes së krishterë?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Në kapitujt e mëparshëm janë diskutuar një sërë veprimesh të Perëndisë të cilat ndodhin në fillim të jetës tonë të krishterë: thirrja e ungjillit (që Perëndia na e drejton neve) rigjenerimi (përmes të cilit Perëndia na tejçon jetë të re), drejtësimi (nëpërmjet të cilit Perëndia na jep një qëndrim të drejtë ligjor përpara Tij), dhe birësim (në të cilin Perëndia na bën pjesëtarë të familjes së Tij). Ne kemi diskutuar gjithashtu kthimin në besim (në të cilin ne pendohemi nga mëkatet dhe i besojmë Krishtit për shpëtimin). Të tëra këto ngjarje ndodhin në fillim të jetës tonë të krishterë.[83]1

Por tani vijmë tek një pjesë e zbatimit të shpengimit që është një punë progresive që vazhdon përgjatë gjithë jetës tonë tokësore. Është gjithashtu një vepër në të cilën Perëndia dhe njeriu bashkëpunojnë ku secili luan role të caktuara. Kjo pjesë e zbatimit të shpengimit, quhet shenjtërim. Shenjtërimi është një vepër progresive e Perëndisë dhe e njeriut që na bën gjithnjë e më të lirë nga mëkati dhe më tepër si Krishti në jetën tonë faktike.

A. Dallimet mes drejtësimit dhe shenjtërimit

Tabela e mëposhtme specifikon një sërë dallimesh mes drejtësimit dhe shenjtërimit:

Drejtësimi

Shenjtërimi

Qëndrim ligjor

Gjendja e brendshme

Një herë e përgjithmonë

Vazhdon përgjatë gjithë jetës

Tërësisht vepër e Perëndisë

Ne bashkëpunojmë

I përsosur në këtë jetë

Jo i përsosur në këtë jetë

I njëjti tek të tërë të krishterët    

Më i madh tek disa sesa tek të tjerët


Ashtu sikurse e tregon kjo tabelë, shenjtërimi është diçka që vazhdon përgjatë gjithë jetës sonë të krishterë. Kursi i zakonshëm i jetës së një të krishteri, do të përfshijë një rritje të vazhdueshme në shenjtërim dhe është diçka që Besëlidhja e Re na inkurajon t’i kushtojmë përpjekjet dhe vëmendjen tonë.

B. Tre fazat e Shenjtërimit

1. Shenjtërimi ka një fillim të përcaktuar tek Rigjenerimi. Një ndryshim i qartë moral ndodh në jetën tonë në pikën e rigjenerimit, sepse Pali i referohet: “larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë” (Titit 3:5). Sapo ne të kemi rilindur, ne nuk mund të vazhdojmë të mëkatojmë rregullisht apo si një vazhdë në jetë (1 Gjonit 3:9), sepse fuqia e jetës së re frymërore përbrenda nesh, nuk na lë t’i përulemi një jete në mëkat.

Ky ndryshim fillestar moral, është faza e parë në shenjtërim. Nga kjo anë, ka ca mbivendosje mes rigjenerimit dhe shenjtërimit, sepse ky ndryshim moral është faktikisht një pjesë e rigjenerimit. Por kur ne e shikojmë nga pikë-vështrimi i ndryshimit moral përbrenda nesh, ne mund ta shikojmë gjithashtu si faza e parë e shenjtërimit. Pali hedh vështrimin prapa tek një ngjarje e përfunduar kur u thotë korintasve: “Por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emër të Zotit Jezus dhe nëpërmjet Frymës së Perëndisë tonë” (1 Kor. 6:11). Po kështu, tek “Veprat” 20:32 Pali mundet t’u referohet të krishterëve si “të gjithë të shenjtëruarve.”[84]2

Ky hap fillestar në shenjtërim, përfshin një shkëputje përfundimtare nga fuqia sunduese e mëkatit dhe prej dashurisë për të, në mënyrë që besimtari të mos jetë më i sunduar apo i dominuar nga mëkati e të mos ketë më dëshirë për të mëkatuar. Pali thotë: “Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus.... Sepse mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju” (Rom. 6:11, 14). Pali u thotë të krishterëve se “u çliruat nga mëkati” (Rom. 6:18). Në këtë kontekst, të jesh i vdekur ndaj mëkatit, apo të jesh i çliruar nga mëkati, është diçka e cila përfshin fuqinë për të kapërcyer veprime apo modele sjelljeje të mëkatshme në jetën e dikujt. Pali u thotë Romakëve që të mos e lënë mëkatin të “mbretërojë, pra… në trupin tuaj të vdekshëm,” dhe ai gjithashtu thotë: “As mos ia paraqitni gjymtyrët tuaja mëkatit si mjete padrejtësie, por i paraqisni veten tuaj Perëndisë” (Rom. 6:12–13). Të jesh i vdekur ndaj fuqisë mbretëruese të mëkatit, do të thotë se ne si të krishterë, në sajë të fuqisë së Frymës së Shenjtë si dhe jetës së ringjallur të Krishtit që punon përbrenda nesh, kemi fuqinë të ngadhënjejmë mbi tundimet si dhe joshjet e mëkatit. Mëkati nuk do të jetë më zotërues mbi ne siç ishte dikur përpara se të bëheshim të krishterë.

Praktikisht, kjo do të thotë se ne duhet të pohojmë dy gjëra si të vërteta. Nga njëra anë ne nuk do mundemi kurrë të themi: “Jam tërësisht i lirë nga mëkati,” sepse shenjtërimi ynë nuk do të përfundojë kurrë (shiko më poshtë). Por, nga ana tjetër, një i krishterë nuk duhet të thotë kurrë (për shembull): “Ky mëkat më ka mposhtur. Heq dorë. Kam patur një temperament të keq për tridhjeteshtatë vjet, e të atillë do ta kem derisa të vdes, dhe njerëzve thjesht do t’u duhet të më durojnë  kështu siç jam!” Të thuash këtë është njësoj si të thuash që mëkati ka fituar dominim. Kjo është si ta lejosh mëkatin të mbretërojë në trupat tanë. Do të thotë të pranosh humbjen. Do të thotë të mohosh të vërtetën e Shkrimit që na thotë: “Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë” (Rom. 6:11). Do të thotë të mohosh të vërtetën e Shkrimit që na thotë se “mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju” (Rom. 6:14).

Kjo shkëputje fillestare nga mëkati atëherë përfshin një riorientim të dëshirave tona, në mënyrë që të mos kemi më një dashuri mbizotëruese për mëkatin në jetën tonë. Pali e di se lexuesit e tij ishin më përpara skllevër të mëkatit (siç janë të tërë jobesimtarët), por ai thotë se ata nuk janë më të skllavëruar. “ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër formës së mësimit që iu është dhënë. Dhe, mbasi u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë” (Rom. 6:17–18). Ky ndryshim i dashurisë kryesore të personit dhe dëshirave primare shfaqet në fillim të shenjtërimit.[85]3

2. Shenjtërimi rritet përgjatë gjithë jetës. Edhe pse Besëlidhja e Re flet për një fillim të përcaktuar për sa i takon shenjtërimit, ajo gjithashtu e shikon atë si një proces i cili vazhdon përgjatë gjithë jetës tonë të krishterë. Ky është kuptimi primar në të cilin shenjtërimi përdoret në teologjinë sistematike si dhe në jetën e krishterë përgjithësisht sot.[86]4 Paçka se Pali thotë se lexuesit e Tij janë çliruar nga mëkati (Rom. 6:18) dhe se ata janë “të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë” (Rom. 6:11), ai gjithsesi e kupton se mëkati mbetet në jetën e tyre, kështu që ai u thotë që të mos e lënë të mbretërojë e të mos i nënshtrohen atij (Rom. 6:12–13). Për rrjedhojë, detyra e tyre si të krishterë, është që të shtojnë gjithnjë e më shumë shenjtërimin e tyre, njëlloj sikurse më përpara shtonin gjithnjë e më shumë mëkatet: “ashtu si i paraqitët gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani paraqitni gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim” (Rom. 6:19; fjalët “ashtu si... kështu tani” [Gr. ὥσπερ...οὕτως] nënkuptojnë se Pali dëshiron që ata ta bëjnë këtë në të njëjtën mënyrë: “ashtu si” po këta persona më përpara iu dhanë gjithnjë e më shumë mëkatit, “kështu tani” ata duhet t’i jepen gjithnjë e më shumë drejtësisë për shenjtërim).

Pali thotë se përgjatë gjithë jetës së krishterë “ne të gjithë... shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi” (2 Kor. 3:18). Ne jemi duke u bërë gjithnjë e më shumë si Krishti ndërkohë që vazhdojmë me jetën e krishterë. Për rrjedhojë, ai thotë: “duke harruar ato që kam lënë pas, dhe duke u zgjatur drejt atyre që kam përpara, po ndjek pas synimin, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Fil. 3:13–14)—kjo është në një kontekst ku thuhet që Ai nuk është tashmë i përsosur por që Ai vazhdon të shtyjë përpara për të arritur të tëra qëllimet për të cilat Krishti e ka shpëtuar (vgj. 9–12).

Pali u thotë kolosianëve që ata nuk duhet të gënjejnë njëri tjetrin, përderisa ata kanë “veshur njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë, sipas shembullit të atij që e krijoi” (Kol. 3:10), duke treguar kësisoj që shenjtërimi madje përfshin një përngjasim gjithnjë e më të madh me Perëndinë në mendimet tona si dhe në fjalët dhe veprat tona. Autori i “Hebrenjve” u thotë lexuesve të vet që “...duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon kaq lehtë” (Heb. 12:1), si dhe “Kërkoni ... shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Heb. 12:14). Jakobi i inkurajon dëgjuesit e vet duke u thënë: të “bëheni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues” (Jakobi 1:22), ndërsa Pjetri u thotë lexuesve të vet: “jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj” (1 Pjetrit 1:15).

Nuk është e nevojshme që të renditim citime shtesë për shkak se një pjesë e mirë e Besëlidhjes së Re, merret me udhëzimin e besimtarëve në kisha të ndryshme për se si ata duhet të bëhen gjithnjë e më të ngjashëm me Krishtin. Të tëra nxitjet morale si dhe urdhëresat në letrat e Besëlidhjes së Re, gjejnë zbatim këtu për shkak se të tëra ato i nxitin besimtarët tek një aspekt apo një tjetër me rëndësi të madhe në jetën e tyre. Është pritshmëria e të tërë autorëve të Besëlidhjes së Re që shenjtërimi ynë do të rritet përgjatë gjithë jetës tonë të krishterë.

3. Shenjtërimi përmbyllet në momentin e vdekjes (për shpirtin tonë) dhe kur Zoti të kthehet (për trupin tonë). Për shkak se ka mëkat që ende mbetet në zemrat tona, edhe pse jemi bërë të krishterë (Rom. 6:12–13; 1 Gjonit 1:8), shenjtërimi ynë nuk do të përfundojë kurrë në këtë jetë (shiko më poshtë). Por sapo vdesim dhe shkojmë për të qenë me Zotin, atëherë shenjtërimi ynë nga një anë përfundon, sepse shpirti ynë çlirohet nga mëkati brendabanues dhe bëhet i përsosur. Autori i “Hebrenjve” thotë se kur ne hyjmë në praninë e Perëndisë për të adhuruar, ne hyjmë tek “frymërat e të drejtëve që u bënë të përsosur” (Heb. 12:23). Kjo është e vlefshme për shkak se është në pritshmërinë e faktit që “nuk do të hyjë në të asgjë e papastër” në praninë e Perëndisë, qyteti qiellor (Zbu. 21:27).

Sidoqoftë, kur ne vlerësojmë se shenjtërimi përfshin të tërë personin, përfshi këtu trupat tanë (shiko 2 Kor. 7:1; 1 Thes. 5:23), atëherë ne kuptojmë se shenjtërimi nuk do të plotësohet tërësisht derisa Zoti të kthehet dhe ne të marrim trupa të rinj të ringjallur. Ne presimin ardhjen e Zotit Jezus Krisht nga qielli, dhe Ai “do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i një forme me trupin e tij të lavdisë” (Fil. 3:21). Pikërisht “në ardhjen e tij” (1 Kor. 15:23) ne do të bëhemi të gjallë me një trup të ringjallur, dhe pastaj “do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit” plotësisht (1 Kor. 15:49).[87]5

Procesin e shenjtërimit mund ta paraqesim me një diagram, si në figurën 38.1, duke treguar se përpara kthimit në besim jemi skllevër të mëkatit, (1) se ka një fillim të përcaktuar ndaj shenjtërimit në pikën e kthimit në besim, (2) që shenjtërimi duhet të rritet përgjatë gjithë jetës së krishterë, dhe (3) se shenjtërimi përsoset kur personi vdes. (Plotësimi i shenjtërimit kur ne marrim trupat e ringjallur nuk është përfshirë në këtë grafik thjesht për të ruajtur thjeshtësinë e tij.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}