Çelësi i përgjigjeve—Trauma e shenjtërisë

Çelësi i përgjigjeve—Trauma e shenjtërisë

PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI

Çfarë mendoni?
Këto janë pyetje personale. Përgjigjet duhet të bazohen te njohuria dhe përjetimi juaj.
Leximi i Shkrimit


• Si mendoni se u ndje Jobi bazuar te reagimi i tij ndaj Zotit, pasi Ai iu shfaq në mes të stuhisë (shihni Jobi 38:1-3)?
Pasi Perëndia iu shfaq Jobit në stuhi, Jobi me të drejtë u përul dhe dallon mungesën e shenjtërisë në jetën e tij në krahasim me madhështinë e shenjtërisë së Perëndisë. Reagimi i Jobit është i ngjashëm me reagimin e Isaias, kur Jobi thotë: “E përbuz veten” dhe Isaia thotë: “I mjeri unë.” Në këtë mësim Dr. Sproul do të shpjegojë më tej domethënien e klithmës së Isaias “I mjeri unë.”


Modeli biblik
• Pse shumë njerëz priren ta zbutin portretin biblik të Perëndisë?
Arsyeja pse shumë njerëz priren ta zbutin portretin biblik të Perëndisë është për shkak se shenjtëria e Perëndisë është traumatizuese për njerëzit e pashenjtë. Në mënyrë që ta kursejnë veten dhe të tjerët nga kjo traumë, njerëzit mund të theksojnë disa atribute të Perëndisë, të tilla si dashuria, në kurriz të atributeve të tjerë.


• Si e përshkroi Habakuku reagimin e tij ndaj pranisë së Perëndisë?
Habakuku u drodh para shenjtërisë absolute të Perëndisë, duke e dalluar mëkatin e tij. Habakuku e përshkruan përjetimin e tij si reagim ndaj veprave të fuqishme të Zotit: “Kam dëgjuar dhe të përbrendëshmet e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda” (Habakuku 3:16).


• Cilat janë dy kategori kryesore të orakujve profetikë, të cilat i përshkruan Dr. Sproul? Jepni një shembull për secilën.
Dy kategoritë kryesore të orakujve profetikë janë orakujt e bekimit dhe orakujt e mjerimit. Orakulli i bekimit ndjek formulën “Lum… .” Një shembull i kësaj janë fjalët hyrëse të Jezusit në Predikimin në Mal. Një orakull mjerimi ndjek formulën “Mjerë… .” Një shembull i kësaj është akuza që Jezusi ngre kundër farisenjve te Mateu 23.

Çelësi i përgjigjeve—Trauma e shenjtërisë

Një standard i shenjtë
• Çfarë shtyhemi të bëjmë në mënyrë të natyrshme në praninë e Perëndisë?
Ashtu si vepruan Adami dhe Eva në kopsht, pasi kishin mëkatuar, ne shtyhemi prej natyre që para Perëndisë ta fshehim veten tonë të vërtetë. Pa hirin e Tij, do ta kalonim gjithë jetën tonë duke u fshehur prej karakterit të Tij të vërtetë, për shkak se përballja me shenjtërinë e Perëndisë ekspozon mëkatin tonë, për të cilin nuk kemi asnjë zgjidhje në veten jonë.

 
• Çfarë arsyeje jep Dr. Sproul për faktin se jemi rehat me papërsosmëritë tona?
Dr. Sproul shpjegoi se ne jemi rehat me papërsosmëritë tona, sepse shpesh e gjykojmë veten duke parë të tjerët. Ne jemi të shpejtë për ta justifikuar veten, për shkak se kemi mundësi të shohim përreth dhe të gjejmë dikë më të shthurur se ne, a thua se Perëndia na gjykon me standarde të ndryshme nga standardet e Tij.


• Pse shqetësimi parësor i Isaias ishte për “buzët e papastra”?
Isaia e kuptoi se vetëm fjalët e tij mjaftonin për ta dënuar para një Perëndie të shenjtë. Sikurse dha mësim Jezusi: “Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun” (Mateu 15:11). Isaia e kuptoi standardin e drejtë të gjykimit të Perëndisë dhe se para Tij do t’i duhej të jepte llogari për fjalët e tij të shkujdesura (Mateu 12:36), sepse fjalët tona zbulojnë zemrat tona (Luka 6:45).

• Çfarë është domethënëse rreth orakullit të parë të Isaias si profet i Izraelit? Çfarë vë në pah kjo rreth kuptimit që Isaia kishte për veten e tij?
Dr. Sproul diskuton dy kategori shpalljesh profetike—orakuj bekimi dhe orakuj mjerimi. Është domethënëse që orakulli i parë i Isaias, pasi u veçua nga Perëndia si profet, është një orakull mjerimi—mbi veten e tij. Kjo vë në dukje që Isaia për herë të parë e kupton veten nën dritën e shenjtërisë së Perëndisë.


• Isaia nuk u pastrua pa dhimbjen e pendimit. Çfarë tha Isaia në praninë e Perëndisë pas orakullit të mjerimit? Çfarë ju tregon kjo rreth natyrës së jetës së krishterë?
Pas orakullit të mjerimit nga Isaia ai reagoi ndaj një pyetjeje të bërë nga Perëndia: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?” Isaia tha: “Ja ku jam! Më dërgo mua.” Pavarësisht se buzët e tij sapo ishin prekur nga një thëngjill i ndezur, Isaia foli dhe e pranoi dërgimin e tij si profet. Kjo na tregon se jeta e krishterë është një jetë shërbimi, shërbim ky që mbështetet mbi përjetimin tonë të faljes së Perëndisë.

• Në këtë mësim Dr. Sproul përshkruan një qëndrim dhe justifikim mbizotërues ndaj mëkatit: “Askush nuk është i përsosur.” Si do t’ia shpjegonit dikujt se Perëndia nuk gjykon sipas këtyre standardeve? Cilat pjesë të Shkrimit do të përdornit?
Shkrimi pajtohet me realitetin se një ditë Perëndia do të gjykojë “të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit” (Romakëve 2:16). Duke e përdorur Shkrimin si themel, përgjigjet për këtë pyetje mund të jenë të ndryshme, megjithatë duhet të marrin në konsideratë faktin që Perëndia, si Ligjdhënës dhe si Gjykatës është edhe i drejtë edhe i shenjtë.

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}